Në fokus

August 24, 2016 | 7:39

Identitetet e gruas shqiptare

Fatos DINGO, lindur në Berat, mbi 15 vjet punon midis Firences dhe Spezias në Itali. Pas studimeve universitare në Tiranë në Departamentin e Gjuhës Ruse, mori diplomë edhe në Psikologji në Fakultetin e Psikologjisë të Universitetit të Firences.

Fatos DINGO, lindur në Berat, mbi 15 vjet punon midis Firences dhe Spezias në Itali. Pas studimeve universitare në Tiranë në Departamentin
e Gjuhës Ruse, mori diplomë edhe në Psikologji në Fakultetin e Psikologjisë të Universitetit të Firences.

Kur m’u kërkua një shkrim mbi figurën e gruas në shoqërinë shqiptare nuk u mendova shumë dhe pranova. Është një temë që e trajtoj shpesh në kurset e Antropologjisë Kulturore drejtuar studentëve të Italisë, Kinës o gjetkë, në konferenca e seminare ose në diskutime socio-politike, veçanërisht kohët e fundit pas rritjes së dhunës së ushtruar mbi femrat. Por në një moment të dytë u stepa. A mund të flas për gruan shqiptare unë, që jetoj prej kaq vitesh larg Shqipërisë? Po përsëri u mendova dhe i thashë vetes që kjo është një sfidë që e pranoj me dëshirë, për faktin se duke qenë “në distancë” nga subjekti, mund të jap një vizion prospektiv të tijin. Para së gjithash do të doja të ndryshoja përdorimin e termit “gruaja shqiptare” në “gratë shqiptare”. Titulli i artikullit flet qartë për një koncept pluralist dhe kompleks të identitetit ose identiteteve të femrës shqiptare. A mund të flasim për një figurë monolite njehsuese femërore nga Veriu në Jug, nga fshati në qytet, nga malësia në bregdet ose nga një grup socio-kulturor në një tjetër? Dhe, mbi të gjitha, si mund të hamendim figurën psikologjike individuale dhe intime që gruaja shqiptare prej shekujsh ka ndryrë brenda vetes, duke mos pasur deri vonë mjete këqyrje ose vetëkëqyrje si ato që ofronte psikologjia e ndaluar? Që nga viti 1900, kur lindte shteti shqiptar dhe ndjenja qytetare, mund të vërejmë larmi identitetesh të figurës femërore. Edhe më vonë, në periudhën e luftës çlirimtare, edhe më pas në atë të diktaturës komuniste. Në momentin që jetojmë, hipotezoj një larmi edhe më të madhe, kontradiktore dhe në zhvillim të pandalshëm e të papritur të figurës dhe rolit të gruas në shoqërinë shqiptare. Le të bëjmë disa krahasime kontradiktore: Ndërkohë që Shote Galica luftonte në Veri për lirinë e kombit dhe simotrat e saj deklaroheshin burrnesha të virgjëra, Çajupi në Jug përshkruante në mënyrë incizive gjendjen e gruas që dergjej nëpër ara dhe vreshta me këto vargje: Burrat nën hije, / lozin, kuvendojnë, / pika që s’u bie, / se nga gratë rrojnë! Në anën tjetër, në Juglindje, kënga “Kur më vjen burri nga stani”, që këndonte Tefta Tashko, përshkruante një tjetër gjendje shoqërore e antropologjike të gruas: në shtëpi duke pritur burrin që vinte nga stani, nga ullinjtë, nga kisha. Gjatë luftës çlirimtare përsëri mund të ravijëzojmë një imazh kaleidoskopik të gruas ose grave shqiptare: në male ose nëpër rrugicat e qyteteve duke zhvilluar rezistencën, në aktivitete shoqërore, sociale, nëpër profesione të krijuara nga mbretëria paraprirëse ose pushtuesi, por edhe të mbyllura në shtëpi larg jetës shoqërore. Larmia e identiteteve të gruas shqiptare vjen si rrjedhojë e larmisë së identiteteve shqiptare. Që nga Shkodra deri në Vlorë, që nga Prishtina në Dibër, çdo grup lokal e dialektor pretendon të jetë më “shqiptar” se tjetri. Pavarësisht nga përkatësia fetare, dialektore, politike, etj., secili grup i referohet një identiteti të idealizuar kombëtar. Më shumë se një identitet është një ide, një synim, një qëllim. Ashtu siç e shpreh edhe himni i flamurit kombëtar: Rreth flamurit të përbashkuar / Me një dëshir’ e një qëllim… Në të njëjtin nivel qëllimi ose synimi psiko-shoqëror, mund të vëmë re edhe atë tendencë të vetëdijshme e të pavetëdijshme për t’u realizuar si femër, ose më tepër si femër shqiptare. Dihet nga studimi i ligjeve të funksionimit të mekanizmave psikologjikë që më tepër se sa censura dhe ndalimet e jashtme të momentit, janë ato ndalime të brendshme të krijuara që prej fëmijërisë nën ndikimin e ambientit shoqëror që veprojnë në mënyrë të fshehtë dhe të vazhdueshme. Nuk mund të flasim për identitetin, pa marrë parasysh mekanizmat antropologjike të edukimit dhe formimit që çdo shoqëri krijon dhe ka vështirësi t’i braktisë edhe pas dhjetëra ose qindra vjetësh. Për fatin e mirë, në shoqërinë shqiptare nuk kemi fenomene mizore si ai i infibulimit të femrave si në Somali dhe në disa vende të tjera të Afrikës. Mendoj dhe shpresoj të jetë varrosur përgjithmonë edhe zakoni mizor i fishekut në pajë, si edhe paja. Arritjet e shekullit të ri kanë mbërritur me kohë në shoqërinë shqiptare, por nuk është e mjaftueshme. Nuk do të kemi asnjë përmirësim të thellë dhe të konsoliduar të të drejtave të grave pa pasur një shtet të vërtetë të të drejtave në përgjithësi. Dhe një shtet i tillë politik nuk ndërtohet pa një shoqëri të shëndetshme në tri drejtime: psikologjike, shoqërore dhe antropologjike. Ajo që përbën sfidën e shekullit tonë, si për meshkujt edhe për femrat, është ekuilibrimi i së resë me traditat, i hapjes me konservimin, i njohjes së Tjetrit pa harruar Veten. Në evoluimin e shoqërisë, pa dyshim, një vend qendror zë figura femërore. Veçanërisht sot, në një moment si ai që jetojmë, një epokë nomadizmi, por jo vetëm një nomadizëm trupor e fizik, por ai i vlerave dhe domethënieve shoqërore, kulturore dhe etike. Në periudhat e nomadizmit, figura femërore bëhet bosht qendror i kulturës. Hebraizmi e vërteton me figurën qendrore të nënës si kriter vazhdimësie dhe identiteti. Mund të quhesh përkatës i kulturës hebraike, nëse nëna jote është e tillë. Antropologjikisht mund të themi që koha e sotme kërkon një përforcim të linjës së qumështit, ose atë matrilineare të nënës. Arbëreshët e Italisë kanë filluar ta ndjekin atë linjë që mbas shekullit XIV kur emigruan dhe braktisën trojet e tyre ballkanike. Pasiguria dhe nomadizmi i detyrueshëm i kalimeve epokale, pashkët kulturore të vlerave përgjegjësojnë gruan duke e veshur me detyrën e përmbajtjes dhe përcjelljes së mesazhit kulturor, përveç atij gjenetik e biologjik. Duket, por nuk është paradoks të afirmoj që sot, në postmodernizëm, më shumë se në kohët mitologjike, mesjetare, komuniste apo kapitaliste, gruaja gjendet para një përgjegjësie të madhe: të ruajë traditat në mënyrë moderne. Me mjaft gjasa, shumica e meshkujve do të gjendet në një situatë çorientimi ose çoroditjeje përpara ndryshimeve të shpejtuara që po ndodhin. Kjo çoroditje ndodh më shpesh në rastet e emigrimit dhe ndikimit me shoqëri europiane që e kanë kaluar periudhën e parë të çoroditjes. Në shoqëritë europiane, meshkujt, megjithëse shpesh me vështirësi, po kalojnë në fazën e dytë, në atë të ndërtimit të një roli të ri alternativ mashkullor duke sjellë si rrjedhojë edhe në figurën e gruas ndryshime dhe përshtatje pas tërmeteve feministe të viteve ‘70. Ky është çmimi që duhet paguar për të pasur një shoqëri dhe një komb që ia del mbanë, që bëhet. Kam vënë re statistikisht, për shembull, që shumica e atyre që përsërisin frazën e kobshme “Shqipëria nuk bëhet!” janë meshkuj. Femrat nuk dorëzohen lehtë. Më vjen në mendje që personi i fundit, i cili kishte mbijetuar nga zhdukja dhe që fliste dialektin e një grupi të kulturës ugro-fine të veriut të Siberisë, ishte pikërisht një femër.

Atdheu ndërtohet mbi arketipin e gjakut

Është i përbërë plotësisht nga femra grupi studiues i Universitetit të Pekinit që hulumton çështjen e ligjit mbi familjet kineze që duhet të bënin vetëm një fëmijë deri më tash. Kam bashkëpunuar kohët e fundit me atë grup, i cili jep kontributin e tij për ndryshimin e atij ligji absurd kundër familjes. Si koleget profesoresha, ashtu dhe studentet në specializim deklaroheshin kundër tharjes së degës trashëgimore të kombit dhe nuk kishin as frikë të dilnin edhe kundër politikës për të çuar përpara ekzistencën dhe për të kundërshtuar plakjen e kombit. Miti i Rozafatit flet mbi një element aq të rëndësishëm për mbijetesën e një kombi: qumështin e nënës. Nusja e re Rozafat, para se të pranojë ta murosin, kërkon që t’i lënë të lirë një gji për t’i dhënë qumësht vogëlushit të saj. Gjysma e trupit të saj pastaj shndërrohet në kështjellë, urë, truall, bëhet Mëmëdhe (alternativë e Atdheut që ndërtohet mbi arketipin e gjakut) duke i shërbyer vazhdimësisë. Qumështi dhe gjaku janë dy kolona mbajtëse, dy lumenj të pashtershëm të një ekzistence kolektive. Rëndësia e tyre është e barabartë, por në epoka të ndryshme njëri ose tjetri merret si simbol i parë i vazhdimësisë. Jo rastësisht, Naim Frashëri përdorte më me dëshirë termin Mëmëdhe. Përkufizimi i figurës femërore shqiptare sot është tejet i vështirë për faktin se vlerat e referimit psiko-shoqëror dhe kulturor kanë hyrë në një rrymë marramendëse, të paqendrueshme dhe të larmishme ndryshimi. Në kaleidoskopin e ravijëzimit të një imazhi femëror mund të fusim elemente nga më të ndryshmet: minifundet në Malësinë e Madhe, ferexhetë në qendrën e Tiranës, gra ministre dhe gra që mbartin peshën e druve në shpinë, gra të mbyllura në shtëpi që gjejnë kënaqësinë në zgjedhjen e detersivit më të përshtatshëm për të larë dyshemenë dhe ato që emigrojnë për të studiuar ose për të përmirësuar gjendjen familjare. Sot më shumë se ndonjëherë nuk ka vend për atë bosht mesdhetar që krijon tensionin psiko-antropologjik familje-krijues me dy ekstreme: TURPI-NDERI. Si rrjedhojë, është anakronist imazhi i gruas i ndarë në mënyrë skizofrenike midis Afërditës dhe Shën Marisë, midis prostitutës dhe shenjtores. Përsëris që në këtë rrugë evoluimi, për të tejkaluar skizofreninë e këtij boshti turpi nuk janë vetëm meshkujt që bëhen pengesë. Mbi të gjitha është vetë gruaja që e ka thithur që kur ka lindur në strukturat e saja të vetëdijes ose të pavetëdijes. Këtë gjë e ndjej në praktikën time klinike në emigracion, ku shpesh armiku më i madh i gruas shqiptare është vetvetja. Në disa kushte lehtësuese ekonomike, ku mjafton vetëm vendimi i brendshëm i gruas për të çliruar veten, ky hap nuk kryhet sepse gjyqtari më i rreptë nuk është as burri, as vëllai, as vjehrra. Është vetvetja.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.82

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top