Dëshmi

April 23, 2018 | 14:09

Iliard Shaba: Pushimet jashtë sezonit, relaksi im

Mbi objektin prej druri, të latuar në gjatësi, në trajtën e një violine të madhe, ai arrin të zotërojë të gjithë pushtetin që i jep interpretimi mbi katër tela. Bëhet njësh me të, duke lënë të kuptojë kalimin nëpër ndjesi që veç muzika di t’ia falë. Iliard Shaba, ndonëse i ri në moshë, ka një talent të pamatë.

Veçantia e tij më impresionoi në një nga përvjetorët festivë të mikeshës së grupit, e cila e kish zgjedhur si qershia mbi tortë për mbrëmjen. Kështu ndodhi vërtet. Performanca e tij na la pa fjalë. Jo se veshi ynë muzikor ishte i përsosur, por interpretimi që Iliardi bëri me disa prej hiteve të kohës, na la shijen e mirë deri sot e kësaj dite. I kudogjendur në aktivitetet artistike, jo vetëm në Tiranë, por kudogjetkë, Iliard Shaba është shndërruar në artistin e përzgjedhur, të vetmin në llojin e tij, i cili me perfomancat e tij u jep festave jetë. I formuar në shkollën klasike, siç njihet Liceu Artistik “Jordan Misja”, Iliardi me talentin e tij sqimatar ndaj gjinisë klasike muzikore, i edukuar me Çajkovskin, Bahun e të tjerë, vijon të improvizojë me po të njëjtën magji, hite të kohës. Falë violonçelit, ai i shndërron ato në zhanre tejet tërheqëse.

Edhe pse periudhë vere, për të angazhimet vijojnë të ndërthuren ashtu si në çdo sezon të vitit, mes aktivitetesh dhe relaksit të përftuar në alternim me pushimet e shumëdëshiruara. Sipas Iliardit, “njeriu duhet t’i bëjë të gjitha, edhe pushimin, edhe punën. Kjo pasi edhe puna e tepërt është e dëmshme, për rrjedhojë edhe pushimet e tepërta sjellin të njëjtën ndjesi”. Natyrisht si për çdokënd, pushimet janë domosdoshmëri për t’u stakuar dhe rimarrë energjitë e duhura. Por si pjesë e jetës ai e sheh funksionale raportin e të vlerësuarit gjërave që jeta na ka dhënë.

Problemet në jetë bëjnë që njeriu të vlerësojë ato që ka. Kështu që edhe problemet duhen. Po pate sikur vetëm njërën nga këto që përmenda, jeta kalon në monotoni. Unë ia dal shumë mirë me punën që bëj, për arsye se në dimër kur njerëzit kanë angazhime, jam më i lirshëm”. E për t’iu përgjigjur pyetjes se si ndihet pas pushimeve, Iliardi krejt natyrshëm pohon, “unë thjesht kam sezon ndryshe nga shumica”.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top