Ai e ka njohur Dritëroin përpara se ta takonte fizikisht. Poezitë, tregimet, romanet… ia kishte lexuar të gjitha. Ishte shkrimtari i zemrës, një ngushëllim në ditët e vështira. Ilir Çumani, drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, ka shumë për të treguar për Dritëro Agollin, qysh se në momentin kur u dashurua pas penës së tij te takimi i parë dhe miqësia e gjatë familjare. Një pjesë të këtyre kujtimeve ai i ka hedhur në një libër kushtuar poetit e shkrimtarit e që shumë shpejt do të vijë në duart e lexuesit. Janë miq, kolegë, të njohur që rrëfejnë për raportin e tyre me Dritëro Agollin. Ndër ta është edhe Ilir Çumani që na zbulon aspektin njerëzor të Dritëroit. Mes ndjesive personale, edhe dy episode domethënëse, që e vizatojnë edhe më qartë portretin e tij.
ILIR ÇUMAN/ MBI TË GJITHA, DRITËROI ISHTE NJERI…
Ti Ilir, do recitosh vjershën “Përralla e kecërve” të Dritëro Agollit…! Hë, si thua…!? Befas, shtanga i hutuar. Atë çast, m’u duk se e gjithë bota ishte e imja. Asohere, isha një fëmijë në klasën e katërt fillore. Ishte viti 1977. Mësuesja kujdestare e grupit në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë ku u rrita, quhej Kristina Kumi. Ishte një grua e fisme, e cila, përtej detyrës si edukatore, me pasionin, zellin e përkushtimin e saj, kishte zëvendësuar edhe imazhin e figurës së nënës për ne fëmijët pa kujdesin prindëror.
Ajo ishte një metodiste e mirë, psikologe e përkryer, që mjeshtërisht depërtonte me shumë butësi në botën e secilit prej nesh, duke zbuluar fantazinë, ëndrrat, dëshirat dhe pasionet, të cilat na i nxiste dhe na i ushqente dita-ditës. E dinte fare mirë se një nga autorët, të cilin e pëlqeja dhe e adhuroja me dëlirësinë e një fëmije naiv, ishte pikërisht ai, Dritëro Agolli. Ishim mbledhur të gjithë fëmijët e grupit dhe po përgatiteshim për provat e anketës muzikore të fjalës artistike, që organizohej çdo fundvit në institucionin tonë, e, secili kishte pjesën e vet që do të interpretonte në këtë veprimtari me karakter festivo-edukativ. Atë natë, nuk më zuri gjumi.
Ndieja një ngazëllim pafajësie dhe emocion deri angështim, ngase një nga vjershat e bukura të autorit më të dashur për ne fëmijët në atë program, mësuesja ma kishte besuar mua. Të nesërmen, lashë orën e parë të mësimit e me padurim u nisa drejt bulevardit, atje buzë detit, ku ndodhej edhe libraria e qytetit. Me kursimet e mia që na i jepnin çdo muaj për t’i pasur si lekë xhepi, iu luta librarit të më jepte librin e ri të Dritëroit. Ai qe një libër me kapak ngjyrë vishnje, një përmbledhje e plotë me vjersha dhe poema, e titulluar: “Fjala gdhend gurin”. Vëllimi poetik sapo kishte dalë në treg. Hyra në librari i gëzuar dhe me nxitim të shkujdesur, pa e përshëndetur librashitësin, i cili, kur i kërkova librin, ngrysi vetullat, ngriti supet si për të më thënë se ai libër ishte shitur.
I zhgënjyer, bëra hapa pas nga dera e jashtme për të dalë, por sërish, ai zë i butë e miqësor i librashitësit më bëri ta ndalja hapin. – Prit – më tha, – e kam një kopje, që e kam ruajtur për vete. Atë do të ta jap ty! Nuk iu besova veshëve. Aty për aty, e gjithë mërzitja u kthye në një rrezatim të ngrohtë si dielli i mëngjesit. Librashitësi hyri në kthinat e pasme të eksponateve dhe pas pak u kthye me kopjen e librit. I zgjata kartëmonedhën 5 lekëshe, e pasi e falënderova, mora librin në dorë dhe dola vringthi nga dyqani. Vrapova me një frymë për të kapur orët e mbetura të mësimit.
Mësuesja kujdestare në shkollë më tërhoqi vërejtje për mungesën e orës së parë, por, kur i shpjegova arsyen, ajo më hodhi dorën në qafë, duke më përkëdhelur flokët. – Mos e përsërit më, herës tjetër duhet të marrësh leje. Shko tani, ulu në bankë, – më tha. Ato ditë, nuk e ndava librin nga dora. Pjesën që më caktoi mësuesja e mësova përmendsh dhe me të u paraqita mjaft mirë në mbrëmjen e fundvitit, që u zhvillua në shtëpinë tonë të madhe. Për disa ditë rresht, në orët pas studimit, i lexoja me ëndje të gjitha vjershat dhe poemat, nga fillimi deri në fund, derisa e përfundova së lexuari të gjithë librin. Mrekullohesha i tëri nga tematika e gjerë dhe e larmishme e librit.
Një botë e tërë magjepsëse e pushtonte të gjithë qenien time, nga gjuha e pastër, e bukur dhe e pasur e shqipes, llojshmëria e emrave, vendeve, ngjarjeve, njerëzve, kafshëve e shpezëve, pemëve e luleve, maleve e fushave, të cilat gjenin vend në tematikën e gjerë të autorit përmes fabulave, hiperbolave dhe metaforave, simbolikave, harmonisë së vargut plot muzikalitet, mendimit të rrjedhshëm e plot emocion, i qartë dhe mjaft i kuptueshëm që e përshkonte ligjërimin e sintaksës në çdo strofë e varg të poezisë së tij. Sa herë i lexoja dhe i rilexoja ato vargje në vjersha e poema, aq më shumë më shtohej kërshëria dhe dëshira për të lexuar të tjerë libra nga Dritëroi, aq më i afërt bëhej për mua ky autor.
Me kalimin e viteve, emri i tij u bë shumë i dashur për mua. Pena e tij më ngjasonte me zgjojet e bletëve, me shtojzovallet e përrallave, me zërin e bukur të bilbilit, që më ngjallte shpresën dhe optimizmin plot gaz e jetë, ngase ishte personifikimi që kishte në brendësi fuqinë magjike e të pangjashme me të gjitha simbolikat që përqaseshin në fantazinë time prej fëmije. Emrin e Dritëroit, në mënyrë figurative, përmes përfytyrimit që nxiste imagjinatën dhe perceptimin tim, mund ta lidhja vetëm me hapësirën dhe ndriçimin e pafund të dritës, jo në kuptimin metafizik, por me një realitet konkret e të prekshëm që e jetoja.
Ai emër, gjithmonë më dukej se mbante në vetvete të gjithë mistikën dhe universin e botës që na rrethonte, duke na përcjellë mesazhin e së bukurës, fuqinë dhe ekzistencën e madhështisë njerëzore. Përmes fjalës së tij, që ishte si nektari i luleve, si uji i burimit, si ajri që thithim, si oksigjeni për të gjitha gjallesat e tokës dhe nëntokës, bimëve dhe pemëve të mbushura plot me fruta. Të gjitha këto më dukeshin se ishin edhe çelësi sekret i begatisë së tij letrare. Ai emër më dukej gjithmonë sikur shpërndante vetëm dritë për njerëzimin dhe vinte që nga koha e lashtësisë si një lajtmotiv për vazhdimësinë e jetës. Ndaj, shpeshherë kam menduar se sa i mençur ka qenë ai njeri që e pagëzoi patriarkun, poetin dhe shkrimtarin tonë të madh me emrin Dritëro.
Me kalimin e kohës, duke lënë pas fëmijërinë dhe po kaloja në vitet e rinisë time të hershme, e konsiderova veten me fat se kisha mundur të lexoja dhe të njihesha me pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij si në poezi, ashtu edhe në gjininë e prozës, tregimeve, novelave, romaneve, dramave dhe skenarëve, që më pas, disa prej tyre u bënë edhe filma të mrekullueshëm, që edhe sot mbeten mjaft aktualë për vlerat dhe mesazhet universale që përcjellin për shoqërinë, për jetën e përditshme. Gjykoj se, ato janë thesare të paçmuar që do të mbeten si pasuri e madhe e ushqimit shpirtëror të popullit tonë, e kombit tonë, një trashëgimi shumë e vyer për artin dhe kulturën tonë kombëtare. Por, këtë pjesë le t’ia lëmë kohës, e cila është gjykatësja më e mirë.
Nuk më ka rastisur asnjëherë në jetën time të njoh së afërmi një figurë kaq komplekse dhe interesante si ajo Dritëroit, tek i cili shpërfaqeshin dimensionet reale të një personaliteti shumëplanësh, ku shkriheshin në mënyrë kaq organike e të harmonizuar madhështia e një mendimtari poliedrik, e filozofit enciklopedik, e intelektualit erudit, e poetit kombëtar, shkrimtarit, akademikut dhe politikanit të klasit të parë. Karakteri i tij burrëror bëhej njësh me atë të njeriut të brishtë e njëkohësisht të thyeshëm përballë fatkeqësive, dhimbjeve dhe vuajtjeve të njerëzve të thjeshtë, e bënin të ishte modest e pa bujë, fisnik, tolerant, zemërgjerë e bujar.
Tek ai ishin bashkuar, në një të vetme, cilësitë më të mira që Zoti mund t’i japë një krijese njerëzore. Ishte magjik në thjeshtësi, spontan dhe i admirueshëm në zotërimin e artit të komunikimit me të gjitha shtresat dhe kategoritë e shoqërisë. Këto cilësi kanë qenë vlera të shtuara që e bënë Dritëro Agollin një nga figurat më të dashura popullore për të gjithë shqiptarët, për të gjithë bashkëkohësit që jetuan epokën agolliane. Kam përshtypjen se, edhe për shumë kohë, brezat që do të vijnë më pas do e njohin edhe më mirë jetën dhe veprën e tij shumë të pasur e të begatë letrare, enciklopedike, akademike, politike e shoqërore, në thelb të së cilës sintetizohet atdhedashuria e patriotizmi, mishërohet në substancë humanizmi, dashuria për njeriun, për atdheun, idealizmi dhe aspirata kombëtare për një vend të begatë, për një botë më të mirë, për një shoqëri më të drejtë, për një Shqipëri të zhvilluar e të përparuar, për të cilat ai dha ndihmesën e vet. Por unë do të dëshiroja të ndalesha në disa momente, që hedhin dritë mbi personalitetin e Dritëro Agollit si njeri, si qenie humane.
Kam qenë me fat dhe i privilegjuar njëkohësisht që, për një kohë të gjatë, prej më se 35 vjetësh, të kem pasur kontakte të herë pas hershme me Dritëroin. E kam njohur kur isha 17 vjeç dhe si çdo i ri, edhe unë kisha dëshirën e papërshkruar ta takoja së afërmi atë njeri. Figura e tij më shëmbëllente me imazhin e një Ati Shpirtëror. Portreti i tij klasik, me ngjyrën e lëkurës së bronztë në fytyrë, flokët e thinjura, hera-herës të shpupuritura nga era, të hedhura përpjetë, me një cigare që e mbante gjithmonë në mes të gishtave ia shtonin edhe më shumë pamjen prej mentori të heshtur me ndikim të padiskutueshëm në të gjithë mjedisin shoqëror dhe atë publik, për shkak edhe të statusit që kishte.
Mirëpo, e gjithë kjo aureolë e krijuar si ndjesi pozitive, shpërbëhej dhe tretej pak e nga pak si ajo dëbora në diell, që në çastin kur bie në kontakt e nisje bisedën me të. Sepse ai vetë, e refuzonte atë lloj statusquo-je që ndonjëherë, pa dëshirën e tij e distanconte nga realiteti, largohej prej saj, duke i rrëzuar të gjitha barrierat që i pengonin komunikimin, duke krijuar një tjetër situatë, me të cilën ndihej më mirë si me kolegët e tij krijues, politikanë e diplomatë të rangjeve më të larta shtetërore, shkencëtarë dhe akademikë, ashtu edhe me njerëzit e thjeshtë, me punëtorin, fshatarin, bujkun, blegtorin, kooperativistin, peshkatarin, mjelësen, minatorin, naftëtarin, ndërtuesin, kovaçin, mekanikun, berberin, kamarierin, pastrueset e natës, etj.. I tillë ishte ai. Kështu e njohin të gjithë.
E takova për herë të parë në vitin 1985 te Bar Kafeja e pesëmbëdhjetëkatëshit në Hotel Tirana. Sa herë që dilte nga shtëpia për në punë, aty ndalonte të pinte edhe kafenë e mëngjesit. Ishte ulur në një tavolinë me shkrimtarin Vito Koçi, asokohe redaktor në gazetën “Drita”. Prej dëshirës së madhe, e mora guximin dhe iu afrova pa droje duke u prezantuar se cili isha, për t’i thënë se ai ishte Njeriu, poeti dhe shkrimtari im i zemrës dhe se pas shumë përpjekjesh e gjeta mundësinë të vija dhe ta takoja enkas. Kjo dëshirë e imja e kahershme dhe statusi që mbaja si një ish-fëmijë i rritur jetim, e preku, u emocionua shumë dhe më ftoi në tavolinën e tij ku zhvilluam së bashku edhe një bisedë mjaft miqësore e të ngrohtë.
Gjatë bisedës ndjeva se në qenien e tij ndodhej një shpirt i butë dhe i ngrohtë atëror. Dukej tepër i brishtë dhe i ndjeshëm, jashtë formatit të një zyrtari të rëndësishëm autoritar e me peshë në administratën e kohës. Në xhep mbaja një fletë fletoreje, ku kisha shkruar edhe një skicë letrare. Mora guximin dhe ia dhashë. Ai e lexoi me vëmendje dhe pasi e mbaroi së lexuari, luajti pak kokën, buzëqeshi në shenjë miratimi dhe pastaj i la porosi Vitos të kujdesej për ta botuar. Skica u botua të dielën në gazetën “Drita”. Që nga ajo kohë, njohja me shkrimtarin e madh u kthye në një miqësi të vërtetë, që zgjati për mbi 30 vjet. Më pas lidhëm miqësi familjare edhe me bashkëshorten e tij, Sadijen e mrekullueshme, me dy fëmijët Elonën dhe Artanin.
Në vitin 1984, në Shtëpinë e Fëmijës “8 Nëntori”, që sot mban emrin “Zyber Hallulli”, zhvillohej një ceremoni martesore krejt e veçantë. Dasmën e organizonte administrata e këtij institucioni me rastin e martesës së njërës prej vajzave të rritura aty. Raimonda Gazheli quhej. Monda u rrit në atë familje të madhe, me shumë motra e vëllezër të tjerë. Prindër të saj u bënë edukatorët dhe kujdestarët që e rritën dhe u kujdesën për të si prindër të vërtetë, deri sa ajo doli në jetë. U shkollua, u diplomua si mësuese, duke u rikthyer sërish në dyert e kësaj shtëpie. Tashmë jo vetëm si motër e madhe, por edhe si edukatore për të vegjlit e tjerë që rriteshin aty. Gjatë kohës që Monda punonte si edukatore u njoh me një djalë, me të cilin u dashurua dhe vendosi të lidhte kurorën martesore. Nga administrata e institucionit u vendos që dasma e Mondës të bëhej në familjen e madhe “8 Nëntori”, atje ku ajo kaloi fëmijërinë, atje ku edhe u rrit.
Në dasmë morën pjesë shumë dasmorë, fqinjë që i kishin shtëpitë aty rrotull, fëmijët dhe i gjithë personeli i Shtëpisë së Fëmijës, njerëz të pushtetit etj.. Ishte e pranishme edhe Tefta Cami, ish-ministre e Arsimit dhe e Kulturës; Jashar Mezenxhiu, ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës; e mes tyre edhe dy miq krejt të veçantë. Ata ishin Dritëro Agolli me bashkëshorten e tij, Sadijen. Asokohe, Dritëroi ishte edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Në fakt, prania e tij në atë dasmë së bashku me bashkëshorten nuk kishte të bënte aspak me postin që mbante, ngase ai e ndiente si një detyrim moral që i buronte jo vetëm nga sentimenti njerëzor, por edhe nga ndjenja e lartë prindërore për të marrë pjesë në një ngjarje të tillë të gëzueshme dhe krejt të veçantë, sepse martohej një vajzë e re, që në fëmijërinë e saj i kishin munguar prindërit dhe familja. Prania e Dritëroit dhe e Sadijes në atë dasmë dukej sikur plotësonte këtë boshllëk. Vetë Raimonda ndihej krenare që në ditën më të rëndësishme të jetës së saj, kishte pranë çiftin Agolli.
Ata qëndruan gjatë gjithë kohës pranë Mondës, ngritën dolli për çiftin, Dritëroi këndonte dhe bënte humor e shaka me dhëndrin, i përkëdhelte të gjithë fëmijët e vegjël që e rrethonin dhe nuk i ndaheshin prej gëzimit të madh. Me këtë gjest, si Njeri me ndikim të madh në publik, ai përcillte një mesazh human mjaft domethënës për mjedisin shoqëror në përgjithësi dhe për të gjitha hallkat e pushtetit të kohës në veçanti, që ato të tregoheshin në lartësinë e duhur ndaj kësaj shtrese, duke rritur vëmendjen dhe kujdesin për t’u krijuar raste dhe mundësi të favorshme për integrimin e tyre. Ky gjest tregonte prek dhe u emocionua pa masë.
Më kërkoi kopjet e projekt– propozimit që i kisha marrë me vete dhe nënshkroi edhe ai duke hedhur firmën e tij së bashku me Sadijen, për ta mbështetur këtë nismë kaq të bukur dhe humane, e cila u finalizua me një ligj të posaçëm në Kuvendin e Shqipërisë, të mbështetur nga të gjithë deputetët. Por më e veçanta ka qenë pjesëmarrja e Dritëroit dhe e Sadijes në një tjetër veprimtari, që organizohej me fëmijët jetimë në sallën e madhe të Hotel Tirana International me rastin e 20 majit, “Dita Kombëtare e Jetimëve”, në vitin 2007. Në këtë aktivitet, ku merrnin pjesë qindra fëmijë jetimë në drekën festive të shtruar enkas për ta, pati një moment mjaft emocionues.
Pesë foshnja të porsalindura dhe të braktisura në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” u bënë pjesë e ceremonisë së kësaj veprimtarie. Ato mbërritën në këtë veprimtari të shoqëruara nga personeli mami e spitalit dhe erdhën për t’u pagëzuar me emra nga disa personalitete, pjesëmarrës aty. Njëri prej këtyre foshnjave i seksit mashkull do të pagëzohej nga Dritëroi. Ai erdhi bashkë me Sadijen dhe duke e marrë në krah foshnjën e braktisur, tha: “Unë këtij djali të bekuar, që do të jetë edhe pjesëtar i familjes sonë, do t’i vë një emër dhe ai do të quhet Martin”.
Pas kësaj, Dritëroi i vendosi edhe një zarf me 100 dollarë, duke ndjekur ritualin e traditës që kanë shqiptarët në të tilla raste. Gjesti ishte simbolik, por mjaft domethënës për mesazhin që mbartte në vetvete. Vetëm një Njeri si Dritëro Agolli mund ta përcillte këtë mesazh me kaq shumë emocion dhe vërtetësi. Këto janë disa nga shumë momente dhe mbresa të bukura që kam përjetuar pranë një Njeriu të madh, i cili më ka frymëzuar gjatë gjithë jetës sime, më ka ushqyer me frymën e aspiratave dhe idealeve njerëzore. Ndodh në jetë që, individë të veçantë, sa më shumë kalon koha që ata janë larguar nga jeta, aq më shumë na duket se i kemi gjithmonë në mes nesh, diku rrotull.
Janë kudo dhe ngado frymohet dhe jetohet, në gjithçka të bukur e të begatë që ata kanë lënë pas si një trashëgimi, e cila do të përcillet ndër breza… Dritëroi është emri i përveçëm që, askush si Ai ka lënë kaq shumë gjurmë në jetën e gjithsecilit. Ai është kudo nëpër Shqipëri. Është në jetët tona, në zërat dhe gugatjet e foshnjave të sapolindura, te çdo plak e te çdo fëmijë, te çdo i ri dhe e re, te qytetari e fshatari, te bujku e blegtori. Emri tij është në qiellin e kaltër, në diellin që prek majat e maleve çdo mëngjes, në kodra e male, në fusha të gjelbëruara e të mbjella me grurë, në lugina e shpate, në lumenj e liqene, në pyjet me dëborë e pemët e larta, në lahutat e malësorëve të bjeshkëve dhe vallet e dasmave myzeqare, në diga hidrocentralesh, në buçimat e sirenave të anijeve dhe trenave, në auditorë shkollash e universitete, në biblioteka e rafte librash. Kudo. Tashmë, Ai i përket kujtesës sonë kolektive, i përket pavdekësisë, vetëdijes sonë kombëtare!
POST SCRIPTUM
Requiem për Sadijen, gruan fisnike me dhimbjen më të bukur në botë…! Do mbetet një nga pengjet e mëdha të jetës sime që nuk munda të isha i pranishëm në përcjelljen e saj, në udhën drejt Amshimit! Një arsye përtej pamundësive të mia më pengoi për të mos qenë i pranishëm ditën e Lamtumirës për Gruan Fisnike, e cila me mirësinë, dashurinë dhe dhimbjen e bukur të saj, e fisnikëroi edhe më shumë Dritëroin tonë, miqtë dhe të gjithë njerëzinë, anembanë Shqipërisë.
Në faqen e brendshme të kopertinës në romanin e Dritëroit “Trëndafil në gotë”, të cilin na e dhuroi kohët e fundit, Sadija shkruan: “Nevilës dhe Ilirit, ia bëj këtë kushtim në romanin e Dritëroit. Ky çift i bukur më kujton ditët e lumtura pranë Dritëroit. Edhe tani që ai nuk është fizikisht, unë flas me atë nëpër shtëpi, kur ulem në kolltukun e tij, kur ha bukë, kur shkoj në dhomën e gjumit, kur shtrihem të fle ato pak orë që bëj. Megjithatë, ai do të jetojë në trupin tim derisa të marrë frymë, pasi më ka lënë shumë detyra për t’ia mbaruar, gjithashtu ka lënë vepra që nuk harrohen. Me dashuri, Sadije Agolli – Tiranë, 11 Shtator, 2017″. Ky kushtim është një prej disa nga kujtimet që ne si familje kemi nga miqësia jonë mbi 30- vjeçare me të pavdekshmit Dritëro dhe Sadije Agolli.
Dy javë para se ajo të niste rrugëtimin e saj pa kthim, biseduam gjatë në telefon. Folëm për Dritëronë që ajo e deshi aq shumë dhe e vuajti prej 2 vjetësh deri në asht ikjen e tij. Biseduam për shumë gjëra të bukura, për kujtimet e shumta që kishte dhe i ruante përgjatë 52 viteve të jetës bashkëshortore me Njeriun që jetoi, pulsoi e frymoi çdo çast e sekondë pranë tij. Më foli për planet dhe detyrat që i kishte vënë vetes si të vetmen mënyrë për të mposhtur dhimbjen, duke mbledhur e sistemuar fletë për fletë, çdo copë letër e shënim, çdo dorëshkrim të Dritëroit. Ndjeva në fjalët që më thoshte se jetonte si askush tjetër çdo çast e në çdo qelizë të trupit të saj të brishtë, me dhimbjen e mungesës së Tij. Ndaj dhe m’u krijua përshtypja se fisnikja Sadije e kërkonte me dëshirë e ngulm ikjen e saj nga kjo botë, ngase nuk qëndronte dot më në këtë pritje të gjatë që e mundonte… Iku shpejt, për të mos e lënë vetëm Njeriun që e deshi më shumë se veten, Bashkëshortin shembullor, Babain ideal e të dhembshur, Prindin model, Gjyshin e ëmbël të nipërve e mbesave, Intelektualin sipëror, Edukatorin e pashembullt të vegjëlisë, Vëllain, Poetin, Mikun e të gjithëve ne.
Ikën si dy shtërgje të fundit njëri pas tjetrit në udhëtimin e largët, larg zhurmës prej të gjallëve, ngase ata të dy kurrë nuk ishin mësuar të qëndronin pa njëri-tjetrin… Ikën duke na lënë pas një dashuri të pamat, por edhe një dhimbje të madhe në eter për ne të gjallët e përkohshëm, që nuk po mundemi të mësohemi me mungesën e tyre fizike. Na lanë pas një mal me kujtime, një det me dashuri, një oqean me mirësi, një vepër të pavdekshme që do të mbijetojë ndër breza. Faleminderit Elona dhe Artan, që më çelët portat e kujtesës për të thënë fjalët e zemrës e të dhimbjes për dy Njerëz të mrekullueshëm që aq shumë i kam dashur, aq shumë i dua dhe do t’i kujtoj gjithë jetën për çka ata ishin, janë e do të mbeten, për gjithçka na dhuruan plotë mirësi, fisnikëri e bujari… Shpirti u ndrittë në Paqe!
Arkivë e vitit 2019
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.