Dëshmi

January 24, 2019 | 13:06

Ina Qirjo: I kontrolloj emocionet, motivohem prej tyre!

Ekrani kërkon femra të bukura, por dhe serioze mjaftueshëm për të transmetuar lajmin që nuk ka të bëjë doemos me jetën rozë të njerëzve publikë. Ina Qirjo i ka të dyja dhe di të përcjellë çdo lajm tek spektatori, nga ai që kërkon të dëgjojë gjithfarë gjërash deri tek selektivët nevrastenikë me pult në dorë. Ajo është një prej ikonave të News24, televizionit ku më shpejt se koha kalon vetë lajmi.

Për më tepër nuk vjen nga rruga pasi ka lexuar ndonjë lajm për punësim në gazetë. Ajo ka një përvojë të gjatë si njeri publik dhe një prej eventeve që ajo e tregon me krenari është dhe përfaqësimi i Shqipërisë prej saj në “Model of the World”. Në një intervistë për revistën, Ina Qirjo, kjo vajzë spontane dhe modeste për aq sa i takon, rrëfen atë çka e motivon jashtë kamerës, sepse vetë ekrani bën të lexueshme prej saj vetëm aparencën, apo thënë ndryshe, pjesën mbi ujë të ajsbergut.

Emocionet, çfarë rëndësie përmbajnë ato në momente të veçanta?

Emocionet janë një proces dinamik, që kanë një fillim dhe një fund, dhe që zgjasin për një kohë relativisht të shkurtër. Ato janë një sistem sinjalizimi, duke pasur një lidhje të ngushtë me gjendjen shpirtërore dhe duke ndikuar në një mënyrë a një tjetër në sjelljen tonë dhe në mënyrën se si ne i krijojmë marrëdhëniet me të tjerët. Emocionet shfaqen në mënyra të larmishme, duke mbartur brenda vetes gëzimin, trishtimin dhe shpeshherë edhe frikën.

Si i shprehni?

Unë kam preferuar gjithnjë të jem një njeri spontan, duke i lejuar vetes të gëzoj, të lumturohem për diçka që më ndodh në jetë, sikundër edhe të qaj ndaj atyre gjërave që vërtet ma kanë dhënë një emocion të tillë. Kam jetuar dhe vazhdoj të jetoj momentin me çdo emocion që ai mbart në vetvete. Kam ditur gjithmonë që falë mbajtjes nën kontroll të emocioneve, të nxjerr në pah temperamentin tim, personalitetin, humorin dhe motivimin për të bërë diçka.

Jeni tip që ju rrëmbejnë emocionet apo ruani gjakftohtësinë?

Emocionet i kam ndarë gjithmonë në të bukura dhe jo pozitive. Por kam ditur gjithmonë të marr më të mirën prej tyre. I kam kthyer shpeshherë në favorin tim. Në përditshmërinë time, por edhe në jetën profesionale, kam mësuar se emocionet janë të pandashme në çdo moment, dhe për vetë faktin se zgjasin pak, i kam jetuar ashtu siç kanë ardhur. Mund të them që në shumicën e rasteve, jam unë ajo që drejtoj emocionet, sikundër ka ndodhur që në raste të veçanta e kam humbur “betejën” ndaj tyre.

Mbani mend ndonjë situatë të tillë dhe si ia keni dalë?

Kam lotuar në transmetim live. Ky ka qenë një moment që nuk do ta harroj kurrë, sepse të them me plot gojën që vërtetë më ka bërë ta humb betejën me emocionet. Rrallë më ndodh t’i shpreh ato, por rasti i një djali 7-vjeçar të paralizuar prej vitesh dhe ndihma që ai dhe nëna e tij kërkuan live në një studio televizive babagjyshit të Vitit të Ri, që në rastin konkret ishte kryeministri Rama, më ka prekur pa masë.

Emocionet janë pjesë e jetës, cili ka qenë emocioni më i bukur i jetës tuaj?

Të them të drejtën kam shumë të tilla. Ky që do them tani është një ndër emocionet e bukura që kam përjetuar. Po kthehem pas në kohë, atëherë kur isha vetëm 17-vjeç dhe përfaqësova Shqipërinë në “Model of the World” në Kinën e largët. Eksperiencë e jashtëzakonshme që të vjen rrallë në jetë dhe unë e shijova me të gjitha emocionet që mbarti. Zakonisht rrethohem nga njerëz që dinë shumë mirë të më falin emocione dhe nga ato më të bukurat madje.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 133

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top