Dëshmi

January 24, 2020 | 8:14

Ina Toska dhe dashuria për fotografitë: “Më mbushin shpirtin! Më pëlqen të punoj”

 

Nga Orjona TRESA

Fotografia është gjithçka për të, që kur zbuloi se ishte më shumë se një talent që e thërriste brenda vetes. Një paqe që e përfshin në dimensione të reja, duke u bërë njëkohësisht udhërrëfyese edhe për shumë njerëz të tjerë. Natyrisht që i pëlqen në këtë rast edhe publiciteti, sepse është e vetmja formë përmes të cilës të evidentojë dhe përçojë punët e saj. Por më shumë se kaq, të gjejë bashkëpunëtorë dhe mbështetës që të mund ta inkurajojnë dhe ndihmojnë në vazhdimësinë e rrugës që ka nisur.

ina-toska

Bisedojmë përmes rrjeteve sociale, sepse siç mund ta dini, Ina është me aftësi të kufizuara sa i takon procesit së të folurit. E ka më të lehtë të shprehet aty, dhe mund ta pyesësh për çfarë të dojë. Nuk ka komplekse, dhe as nuk mërzitet nëse i jep ndonjë këshillë, apo ca më tej, ndonjë kritikë që për dikë tjetër është “e pafalshme”. Nuk është nga ato Ina. Është e hapur dhe i mirëpret edhe kritikat, sepse ka kuptuar që rëndësi ka të mësuarit në gjithë këtë proces. Falë fotografive ka zbuluar jetën në një dimension mbresëlënës. Por nuk do të mbetet gjithçka aty. I pëlqen të revolucionarizojë me stilin e saj, ama duhet mbështetje. Deri më tani e ka mbështetur familja, miqtë e afërt, shoqëria e saj. Por në qytetin e Fierit nuk është se janë kaq të mëdha mundësitë. Ndaj, nëse lexoni për Ina Toskën dhe mund të bëni diçka, përkraheni këtë vajzë sepse ka shumë për të dhënë.

Me anën e Facebook-ut apo Instagramit, Inën e gjen lehtësisht. Mund të shkëmbesh mendime dhe të trajtosh tema për të cilat Ina ka interes. Ka shumë miq gazetarë, me të cilën komunikon vazhdimisht. Ata e kanë përkrahur dhe vijojnë ta bëjnë, sepse ku ka më mirë se sa të stimulosh njerëz që kanë dëshirë të punosh dhe të ecësh përpara, pavarësisht kufizimeve fizike që kanë.

Ina Toska e gjeti veten rrëmbyer pas një aparati, kur tezja e saj i dhuroi një të tillë. Një aparat fotografik i ardhur nga Japonia, i cili do të ndryshonte para dhjetë vjetësh jetën e vajzës nga Fieri. Dhe kjo ishte ëndrra e saj shumëvjeçare që u bë realitet. Tanimë për Inën kjo është një sfidë që mbart emocione të reja. Me mbështetjen e stafit Yunus Social Bussines dhe USAID Albania, ka marrë pjesë në konkursin e zhvilluar prej tyre, ku iu krijua mundësia të fitonte aparatin Canon, me të cilin punon sot.

9

Sa të ndihmon fotografia të shprehësh ndjenjat e tua?

Atë që nuk e them dot me gojë, e shpreh me fotografi. Fotografia është pasioni im më i madh.

Çfarë të pëlqen më shumë të fokusosh në aparatin fotografik, natyrë, objekte, njerëz?

Më pëlqen të fotografoj çdo gjë të bukur që shoh!

Punon me tema të ndryshme apo priresh të fotografosh atë që të tërheq syrin?

Më pëlqen të punoj me tema të ndryshme, sipas mundësive që më ofrohen.

2

Sa të përkrahin njerëzit në iniciativat e tua?

Shumë, dhe u jam shumë mirënjohëse.

I pranon këshillat?

Po, i pranoj, dhe mundohem të komunikoj me sms dhe whatsapp.

Me çfarë po merresh aktualisht?

Tani për tani nuk kam projekte, por po pres ndonjë ofertë që mund të më vijë.

5

Si nis dita jote?

Çdo ditë e imja nis bukur, por kur marr oferta për foto, ajo bëhet edhe më e bukur.

Ti merresh edhe me rrjetet sociale, ku ke mundësi të transmetosh vlerat e tua. Sa të kanë ndihmuar të njihesh më shumë nga njerëzit, të përçosh mesazhet e tua?

Janë mënyra më e mirë që unë të komunikoj me të gjithë admiruesit, shoqërinë dhe miqtë e mi, të cilët i falënderoj përzemërsisht lidhur me realizimin për ndjekje të fotove të mia në Facebook me Ina Toska Photography dhe në Instagram @inatoskaphotography88.

Ka nga ata që të paragjykojnë? Të bezdis kjo gjë? Si ua kthen?

Nuk më bezdis asnjë lloj komenti negativ, përkundrazi më inkurajon. I falënderoj!

Ti jeton në Fier, sa mbështetje ke gjetur si një person me aftësi ndryshe në shoqëri?

Unë kam mbështetjen e jashtëzakonshme nga të gjithë miqtë dhe shoqëria. I dua fort!

7

Ku ndodhen të ekspozuara disa nga fotot e tua?

Për momentin nuk janë të ekspozuara. Të gjitha punimet i kam në shtëpinë time.

Ka pasur shpërblime?

Po, çmimin e parë e kam fituar te një projekt të zhvilluar me mbështetjen e Yunus Social Bussines, tjetër çmim të fituar kam atë të zhvilluar te Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare në konkursin ndërkombëtar të fotografisë, ku fotoja ime mori çmimin e tretë.

Çfarë mesazhi do t’i jepje ti shoqërisë?

Bota është shumë e madhe dhe ka vend për të gjithë. Prandaj dhe dikush si unë ka një pjesë në këtë botë. Me punë dhe vullnet arrihet çdo gjë.

8 6 1 3 4

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top