Nga Almira Llausha, psikologe këshillimi,
psikoterapiste EMDR
Fotografia është kthyer në një tendencë për brezin e ri. Mjafton një aparat fotografik, një program si photoshopi të instaluar në kompjuter, dhe mund të arrish të bësh gjëra të bukura falë syrit vëzhgues. Mund të jenë të shumtë ata të cilët janë të pasionuar pas fotografisë, dhe një prej tyre është edhe Ina Toska.
Ina është një vajzë me aftësi speciale. Ajo shprehet se asgjë nuk e ka penguar për të arritur atë çfarë i ka pëlqyer të bëjë. Ajo ka punuar fort, duke marrë pjesë nëpër evente të ndryshme me punët e saj. madje Ina ka qenë një konkurrente e denjë, aq sa ka arritur të fitojë certifikata të shumta vlerësuese për pjesëmarrjen e saj.
Fotografia për Inën është puna, pasioni dhe shpirti artistik që e mban aktive, që e vë në lëvizje dhe i merr përkushtimin më të madh.
Por çfarë e bën Inën një fotografe? Cili është raporti i saj me fotografitë? Është thjeshtë aparati fotografik apo ka diçka më shumë mes pasionit dhe përkushtimit?
Jo vetëm aparati, por mbi të gjitha është fuqia e saj, e shpirtit, karakteri, energjia dhe një vullnet i madh, që rrallë mund të mos e tërheqë vëmendjen e dikujt. Ina shprehet se këtë e bën pa lodhje dhe sepse fotografia e frymëzon. Është një art nga i cili mbushet me jetë. Madje, e plotëson.
Shpeshherë, kur ajo ndjehet e mërzitur dhe e tensionuar, rrëmben aparatin e saj dhe fotografon pamje, evente, ngjarje të ndryshme.
Indikacionet e para për fotografi Inës i kanë lindur që herët, rreth moshës 5-vjeçare. Ajo sot ka realizuar ëndrrën e saj që është, hapja e ekspozitës personale. Ina punon si vullnetare në një qendër fëmijësh me aftësi speciale në qytetin e Fierit.
Intervista
Si ka lindur pasioni yt për fotografinë?
Në moshën 5-vjeçare një kushërirë e imja më zbukuronte gjithmonë dhe më çonte në studio fotografike për të më bërë foto. Atje shikoja shumë fotografi të bukura dhe më pëlqente të shkoja gjithmonë.
Si e kuptove që të pëlqente fotografia?
Një shoqja e mamit që jetonte në Japoni, më bëri dhuratë një aparat të vogël. Bëra shumë fotografi me të dhe të gjitha fotot i laja në studio. Më pëlqente shumë dhe kisha dëshirë të shkrepja dhe të kisha shumë fotografi.
Përpara se të zbuloje rreth pasionit tënd, çfarë bëje? Cilat janë arsyet që e pëlqen punën si fotografe?
Gjatë viteve të shkollës nuk mungoja në asnjë ekskursion, po ashtu dhe me familjen, çdo të diel udhëtonim shumë. Unë shikoja diçka të bukur dhe e fotografoja menjëherë. Kisha shumë dëshirë të blija një aparat fotografik profesionale. Këtë dëshirë ma plotësoi familja. Duke fotografuar sa më shumë foto, punoja me to, dhe meqenëse nuk shprehem mirë me fjalë, në ato foto unë tregoj më shumë se fjalët. Për herë të parë realizova ekspozitën time me ndihmën e fotografit “BenArt Print”. Unë merrem me diçka të bukur, ma plotëson ditën dhe ndihem shumë mirë kur e shikoj se çfarë pune të bukur kam realizuar.
Çfarë lloj zhanri të pëlqen të fotografosh?
Më pëlqen të fotografoj natyrën si edhe punimet nga duart e vogla të fëmijëve të moshave të ndryshme për të treguar, sepse edhe fëmijët bëjnë diçka të bukur.
Cila është gjëja më e mirë e të qenit fotografe?
Gjëja më e mirë është sepse unë jam bërë “Ina Photography”. Më identifikojnë kështu pasi shëtis shumë, takoj njerëz që më duan, marr shumë urime, ndjej kënaqësi në punën që bëj.
Çfarë e bën punën tuaj ndryshe nga të tjerët?
Kam 7 vite që punoj si vullnetare fotografe, por për mua kjo punë është shumë, sepse më jep kënaqësi të jashtëzakonshme.
Çfarë u sugjeron të tjerëve të cilët kanë një pasion?
Mos hiqni dorë nga pasioni juaj, sepse është një punë e jashtëzakonshme. Për mua fotografia është një kujtim që nuk vdes kurrë. Çdo foto tregon shumë.
Një mesazh për lexuesit e revistës?
Bota është shumë e madhe dhe ka vend për të gjithë. Prandaj unë apo dikush si unë ka një pjesë vendi në këtë botë. Të ecim përpara në jetë, me durim dhe guxim! Gjithmonë duhet të ecim përpara me forcë dhe pozitivitet. Pasioni dhe ëndrra e gjithsecilit për diçka, pavarësisht pengesave të çdo lloji qofshin ato, nuk njohin limit! Mos hiq dorë kurrë nga pasionet dhe qëllimet e tua! Me punë e me vullnet, asgjë nuk është e pamundur!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.