Riaftësimi dhe kthimi i të sëmurit në punë është beteja e radhës me të cilën vihen përballë mjekët. Kjo përveçse kërkon kohë, dikton nevojën edhe për një trajtim të specializuar, pasi synohet jo vetëm përmirësim i gjendjes fizike, por edhe përmirësim i gjendjes psikologjike dhe asaj shpirtërore.
Një trajtim kaq gjithëpërfshirës ndihmon për të çrrënjosur njëherë e mirë pasojat e infarktit. Mjekët e cilësojnë këtë etapë si etapën e riaftësimit. Sipas mjekut kardiolog, Petrit Bara, kjo mund të arrihet në mënyrë graduale dhe hap pas hapi deri në rikuperim të plotë të të sëmurit.
“Procesi i riaftësimit ndahet në disa faza: faza akute, faza e dytë e provës ushtrimore, faza e tretë apo faza e shtrimit me afat të gjatë. Faza akute pothuajse kalohet në spital deri në 2 javë, faza e dytë është pas daljes nga spitali, pas ditës së 14-të, që mund të fillohet pas provës ushtrimore që i sëmuri në një ngarkesë që i rrit rrahjet e zemrës 120–130 në minutë nuk shfaq dhimbje aritmi ventrikulare, krizë hipertensive dhe nuk ka ndryshime të segmentit ST. Faza e tretë fillon 3 muaj pas atakut të infarktit. I sëmuri së paku dy herë në javë duhet të bëjë seancë gjimnastike dhe një sforcim fizik 40–50 minuta. Mund të shoqërohet me ndonjë shok pa ndonjë kontroll kardiologjik të veçantë”, shprehet Bara.
Në fillim fillohet me një orar të reduktuar deri pas muajit të tretë dhe pastaj kalohet me orar të plotë. “Si përfundim, në procesin e riaftësimit duhen shfrytë- zuar aftësitë adaptuese të sistemit kardiovaskular që synojnë në kthimin në gjendjen kardiake normale”, vijon më tej Bara. Por përveç ushtrimeve fizike, çfarë nuk duhet injoruar është aspekti psikologjik. Është me rëndësi që me të sëmurët që kanë kaluar infarkt të punohet edhe në këtë drejtim, pasi vetëm në këtë mënyrë kapërcimi sërish në përditshmëri do të jetë më i lehtë.
Ecje për të mbajtur larg sëmundjet e zemrës
Mjaftojnë katër orë ecje në javë për të mbajtur larg sëmundjet që prekin zemrën. Është kjo këshilla që vjen për të moshuarit mbi 65 vjeç, te të cilët risku është më i lartë. Hulumtimi i kryer tregoi se personat që kishin një aktivitet të moderuar, si ecje apo aktivitete të tjera të tilla si peshkimi apo kopshtaria, kanë treguar një rrezik të reduktuar për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare me 31 për qind, ndërsa vdekshmëria nga këto sëmundje ishte më e ulët me rreth 54%. Edhe rezultate më të mira për ata që bëjnë të paktën tri orë në javë aktivitet të dendur tregoi një reduktim prej 66% të vdekshmërisë. “Ushtrimi mund të jetë më i vështirë me kalimin e moshës, megjithatë është e rëndësishme për njerëz të moshuar për të arritur një aktivitet të mjaftueshëm dhe për të qëndruar të shëndetshëm”, thanë autorët e studimit.
Ushqimet e dëmshme për zemrën
Mishi i përpunuar
Proshutat, salsiçet dhe suxhuku përmbajnë sasi të madhe të nitratit dhe natriumit, të cilët ndërlidhen me problemet e zemrës, ndaj këshillohet që përdorimi i tyre të jetë i kufizuar.
Mishi i kuq
Edhe pse mishi i kuq është më i shëndetshëm në raport me mishin e përpunuar, mjekët sugjerojnë që të tregohemi të kujdesshëm me sasinë e përdorimit, për shkak se ai përmban sasi të mëdha të yndyrave të ngopura.
Pijet e gazuara
Kur bëhet fjalë për sëmundje të zemrës, shumë njerëz mendojnë në kolesterol dhe yndyrë, por edhe sheqeri mund të jetë njësoj i rrezikshëm në rast se konsumohet në sasi të mëdha.
Përdorimi i tepruar i kripës
Kripa e tepërt shkakton rritjen e presionit të gjakut, gjë që rrit rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve koronare të zemrës.
Panorama
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.