Në psikologji inibizmi shihet si një luftë e brendshme midis dëshirës që na shtyn drejt përmbushjes së saj dhe pranisë së dëshirave të tjera kontroverse, të cilat na shtyjnë në krahun e kundërt duke mos i realizuar ato.
“Dhe po të doja nuk do të mundja… diçka më bllokon”… Sa herë gjatë jetës kemi përjetuar këtë ndjesi? Sa herë jemi dorëzuar para një situate që na krijonte ankth apo na vinte në vështirësi? Sa herë, pasi kemi menduar me gjakftohtësi, kemi kuptuar se në qoftë se do të ishim sjellë ndryshe, situata do të kishte marrë tjetër zhvillim? Po përse duket sikur diçka na bllokon? Ky fenomen në psikologji quhet inibizëm. Inibizmi jep idenë e energjisë që mbaron, për shkak se dikush papritur “heq prizën nga korrenti”. Në fakt, kjo dukuri shihet si një luftë e brendsh – me midis dëshirës që na shtyn drejt përmbushjes të saj dhe pranisë së dëshirave të tjera kontroverse, të cilat na shtyjnë në kahun e kundërt duke mos i realizuar ato.

Psikologe zhvillimi
Të gjithë e kemi përjetuar ndjenjën e të mos qenit të aftë në situata të caktuara apo fusha të ndryshme: punë, shkollë dhe familje. Sot koha ecën me shpejtësi marramendëse dhe kërkon gjithnjë e më shumë që të përshtatemi me ritmin e saj, por paaftësia për të bërë këtë gjë dhe pamundësia për të humbur kohë në reflektime të gjata, nuk bën gjë tjetër veçse shton gjithnjë e më shumë situatat ku del në pah ndrojtja.
Por çfarë është ndrojtja?
Si kuptimi i përgjithshëm i fjalës ashtu dhe ai shkencor ndajnë të njëjtën pikëpamje negative të ndrojtjes. Personi i ndrojtur është shumë i kujdesshëm, flet pak, ka vështirësi në vlerësimin e vetvetes, është i rezervuar dhe mosbesues. Ndjenja që e mbizotëron në marrëdhënie me të tjerët është sikleti i vazhdueshëm. Mund të themi se ndrojtja është një përvojë subjektive, e shoqëruar me nervozizëm në situata të ndryshme shoqërore. Shkenca fokusohet më së shumti në aspektet thelbësore që vëzhgohen drejtpërdrejt te ndrojtja, të cilat lidhen me mënyrën e të sjellurit, siç është inibizmi, dhe shmangia e situatave ndërpersonale.
Inibizmi është një tipar i personalitet që ndryshon nga ndrojtja në njëfarë mënyre, pasi, ndërsa kjo e fundit është një frikë sociale, inibizmi është frika që ndiejmë ndaj çdo stimuli apo situate të re dhe të panjohur, e cila shfaqet edhe kur nuk ka persona të tjerë të pranishëm.
Frojdi flet për inibizmin në fusha të ndryshme: për marrëdhënien seksuale, ushqyerjen, lëvizjen apo aftësinë për të punuar. Personat, sipas kësaj teorie, kufizojnë përdorimin e disa funksioneve në mënyrë të ndërgjegjshme për të shmangur situatat që u shkaktojnë ankth. Vetëm në rastet më të rënda, kur inibizmi shndërrohet në një melankoli, kemi të bëjmë me një humbje të interesit për botën e jashtme, që na shtyn deri në humbjen e aftësisë për të dashuruar. Kjo gjë verifikohet në një nivel të pandërgjegjshëm (Freud, Zija dhe melankolia 1915). Në këto raste kemi të bëjmë me një zbrazje të egos që shkaktohet nga identifikimi ynë me një objekt të braktisur, i cili mund të jetë një i largët apo njeri në familje e shoqëri dhe që do të donim t’i ngjanim. Për të kuptuar më konkretisht se çfarë është inibizmi, le të mendojmë për të gjitha ato raste kur kemi qenë gati për të vepruar dhe do të donim të vepronim, por në fund jemi ndierë të bllokuar, duke mos arritur të realizojmë qëllimet tona me vullnet të lirë. Ky temperament karakterizohet nga apatia, inercia dhe ngurrimi për të marrë iniciativën për të folur me të tjerët.
Fëmijëve që kanë këtë tendencë u duhet më shumë kohë për t’u përshtatur ndaj situatave të reja dhe për t’u qetësuar.
Aspekte të tjera të rëndësishme janë kujdesi ekstrem ndaj situatave ku duhen marrë vendimi dhe shfaqja haptas e frikërave të pazakonshme. Këta persona në përgjithësi dallohen edhe nga fiziku, pasi janë të gjatë dhe të dobët. Ata kanë tendencën për ta mbajtur kokën poshtë dhe të mënjanuar. Fëmijë të tillë mund të përkufizohen si “të ngadaltë në shprehjen e ndjenjave”. Ky tipar i veçantë i personalitetit është i pranishëm që në moshën dyvjeçare, ku mund të shfaqin ndrojtje dhe frikë të tepruar.
Të gjithë ne, në raste të caktuara e provojmë ndjenjën e ndrojtjes, por te disa persona kjo ndjesi mbizotëron dhe është e dukshme, të cilët karakterizohen nga frika e madhe e mosmiratimit, gjykimit apo mospranimi nga të tjerët, që shoqërohet me një ndjenjë inferioriteti dhe ankthi të tepruar. Janë arsye thelbësore, që e shtyjnë një person të ndrojtur (turpshëm) të vetizolohet, të shmangë takimet sociale, intimitetin, publikun dhe ballafaqimin me të tjerët. Megjithatë, duhet të themi se kur këta persona ndihen të mbrojtur në mjedisin që i rrethon, shfaqin ndjenja sociale. Tek të rriturit apo adoleshentët inibizmi social merr “rrugë të ndryshme” në bazë të seksit dhe përkatësisë.
Ndrojtja shfaqet në mënyra të ndryshme si te meshkujt ashtu dhe te femrat. Meshkujt janë më të prekur nga ky problem pothuajse dy herë më shumë se sa femrat, të cilat në të kundërt karakterizohen nga një fobi sociale.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.