Në anën tjetër të telefonit zëri dukej shumë i përgjumur, edhe pse akrepat e orës tregonin më shumë se 9.00. sidoqoftë, mbërriti në takim më shumë sesa e përpiktë. As vështirësia për të parkuar nuk rezultoi të ishte problem. Inis Gjoni duket sikur është e njëjta prej vitesh. As një gjurmë moshe në fytyrë, asnjë gram i tepërt nuk ia ka cenuar linjat. E meqë ishte mëngjes, qe veshur shumë sport. Një palë xhinse dhe një bluzë zhapone e bardhë prej pambuku. Sandalet me taka të larta, nuk ia vështirësonin ecjen. Ndoshta ngase është mësuar, apo ndoshta ngaqë i takon të ecë pak, veç ca metra nga makina te kafeneja ku ka lënë takim, apo kudoqoftë tjetër i duhet të shkojë. Flokët si gjithnjë kaçurrelë me të njëjtën ngjyrë pothuaj si shenjë identifikuese. Syzet në fillim nuk i heq, ngaqë sytë i kanë ende shenjat e gjumit. Por pas pak, nevoja e kontaktit me sy, e bën t’i vërë mbi tryezën e ulët të barit ku kemi zënë vend. Porosit ujë, kafen s’e pi… dhe fillon të rrëfejë për veten..
Në kulm të verës… ç’bëtë, zbatuat planet që kishit bërë me kohë për pushimet?
Jo në të vërtetë. Më shumë se sa pushimeve, të cilat nuk i shpërfilla, por i bëra copa-copa dhe në vende jo shumë të largëta, pata një impenjim profesional. Po përgatis masterin për regjisurë, i cili konsiston në vënien në skenë të dy pjesëve që kam zgjedhur…
Ju kam telefonuar disa herë dhe celulari juaj ishte i fikur… mendova se kjo nënkuptonte vajtjen me pushime dhe shkëputje të kontakteve për një relaksim më të plotë…
Unë telefonin e fik pikërisht në rastet kur kam shumë punë. E kam fjalën për ato faza të punës thellësisht individuale kur merrem me tekstin e dramave që i lexoj për të përzgjedhur mes tyre ose kur analizoj tashmë dramën e zgjedhur. Në këto raste unë kam nevojë për shkëputje të kontakteve, pasi ndërhyrjet e jashtme më shpërqendrojnë, më ndërpresin punën.
Atëherë le të flasim pak për masterin që po përgatisni, për dramat e zgjedhura…
Masterin po e përgatis në Prishtinë. Drama që kam zgjedhur është e Rexhep Qoses, titullohet “Vdekja e një mbretëreshe”…
Keni zgjedhur Rexhep Qosen meqë do ta vini pjesën në Prishtinë?
Jo. Ishte një dashuri me lexim të parë. Është një pjesë me të vërtetë interesante. Më shijoi shumë leximi. Për herë të parë e kam lexuar para 3-4 vjetësh. E prej kaq kohësh po e mbaj në duar. Në një farë mënyre protagonistja është mbretëresha Teutë, por ajo nuk është thellësisht e përcaktuar dhe jeton në një vend të papërcaktuar.
Ç’ju ka joshur?
Është një dramë e personalitetit njerëzor. Më ka joshur mënyra se si flet, mendon dhe interpreton protagonistja: ajo ka peng në jetën e saj gjërat që nuk i ka bërë… Kjo është një filozofi jete. Po ta marrësh në një tjetër këndvështrim, është shumë e rëndësishme që njeriu në jetë të mos ketë gjëra që ka dashur t’i bëjë e nuk ka mundur…
Ç’ndodh me ju në këtë pikëpamje?
Unë, përgjithësisht në jetën time i kam bërë gjithnjë gjërat që kam dashur, baletin, spektaklin, regjisurën. E kjo do të thotë se s’do kem pengje. Dhe kam këmbëngulur të bëj gjërat që kam dashur dhe jo ato që janë dashur, apo që do të ishte mirë të bëheshin nga këndvështrimi i të tjerëve. Besoj fort se gjërat, vetëm nëse do t’i bësh, i bën mirë. Ndaj dhe ndihem mirë me jetën time. Ndoshta si një prirje e brendshme e imja, por pa e shpërfillur fatin. Pra njëfarësoj fati mua më ka zgjedhur që unë t’i bëj gjërat që dua, sepse i dua dhe jo sepse ashtu duhet…
Do të flasim më pas për këtë. Por le të rrimë edhe pak te profesioni juaj. Te fakti që jeni regjisore. Më duket një zgjedhje jo edhe aq e pritshme: një vajzë e bukur, protagoniste, gjithnjë “para kamerave” publikisht e njohur… zgjedh të qëndrojë prapa kuintave. Më natyrshëm do të më kishte tingëlluar nëse do të kishit zgjedhur të bënit aktoren… Nuk ju shqetëson prapaskena?
(qesh) Gjatë gjithë jetës sime, në të vërtetë kam qenë në qendër të vëmendjes. Qysh e vogël, rastësisht ose qëllimisht, unë isha protagoniste. U mësova me këtë gjë, e kam shijuar… por njëfarësoj edhe jam ngopur me të. Tashmë, prapavija nuk më shqetëson. Jam e mendimit se në momentin që ndihesh e plotësuar, e ushqyer (dhe daljet e mia në skenë më kanë plotësuar dhe ushqyer) nuk ke më probleme për të qenë në prapaskenë. Por, nga ana tjetër, fakti që unë kam zgjedhur të bëj regjisoren s’do të thotë se unë në çdo çast jam prapa kuintave. Unë nuk kam menduar asnjëherë t’i shpërfill angazhimet e tjera që më vënë para kamerave, pra në sytë e publikut.
E ushqyer…!
Po, e ushqyer. Vite më parë kam lexuar Metamorfozën e Kafkës. Më bëri të reflektoja gjatë, ideja e shndërrimit të njeriut në insekt. Por, në fund analizova se nëse je mjaftueshëm i ushqyer, shmanget rreziku i shndërrimit në insekt. Sa më i ushqyer të jesh, aq më pak zvarranik bëhesh. Dhe unë ndihem e ushqyer, me gjërat që kam bërë, jam e ngopur. Kam qenë me fat, e thashë: kur të tjerët e ëndërronin spektaklin, pjesëmarrjen ne të, daljen para kamerave në sytë e mijëra teleshikuesve, unë isha pjesë e tij…
Sidoqoftë pse teatër? Pse jo brenda spektaklit?
Njeriu e ndjen brenda vetes se çfarë i mungon. Dhe ndoshta unë këtë mungesë ndieja së brendshmi që doja ta plotësoja. Pastaj, jam e mendimit se teatri ka një avantazh: Të mundësosh të jetosh brenda realiteteve të ndryshme. Hyn në botë të tjera, joshëse, nëpërmjet teksteve të shkruara nga dramaturgët. Nga ana tjetër, kjo të mundëson një lloj reflektimi, një lloj mbylljeje në vetvete që në vend të jetë e mundimshme është relaksuese. Qoftë edhe thjesht për faktin se kapërcen në një realitet tjetër nga ai konkreti në të cilin ndodhesh.
Çfarë ju pëlqen më së shumti në procesion e punës së regjisores?
Së pari puna paraprake. Ti je me veten, me tekstin dhe autorin e saj. Pastaj gjithashtu me pëlqen puna në tavolinë…
Ndiheni në pozicionin e liderit? Ju pëlqen kjo gjë?
Nuk duhet të ketë të bëjë me nevojën për të qenë lider, por me kënaqësinë që të jep puna në grup.
Thatë pak më lart: E vogël, në qendër të vëmendjes… sepse ishit e bukur?
Edhe kjo duhet të ketë qenë. S’e di për çfarë tjetër. Tek e fundit kam qenë e përkëdhelur nga të gjithë në familje, por edhe jashtë. Dhe nuk dua ta vras mendjen për të gjetur pse-në. Kështu ka qenë dhe e kam shijuar. Unë isha shumë e vogël kur më zgjodhën të bëhesha pjesë e spektakleve televizive. Dhe mendoni që asokohe ishte një ekran i vetëm i parë nga të gjithë. Ishte koha kur lidhja me televizionin e njerëzve ishte shumë e madhe se sot. Më ka pëlqyer kjo gjë. Dhe prej gati 20 vjetësh, nuk kam më ndonjë peng, ose nevojë për përmbushje të mëtejshme në këtë aspekt, pra lidhur me të qenit në mënyrë të drejtpërdrejtë para syve të publikut.
Le t’i kthehemi thënies suaj, që më tërhoqi vëmendjen: bëj gjërat që dua dhe jo gjërat që duhen…. Kjo mund të ketë pasoja… dhe ju e dini mirë këtë gjë...
Nuk bëhem pishman për gjërat që bëj. Njeriu sidomos në moshë madhore është i vetëdijshëm. Dhe gjërat që bëhen me vetëdije s’ka pse të të shqetësojnë.
Dhe gjithçka që keni dashur e keni bërë?
Edhe mua më është dashur të mos bëj gjëra që kam dashur t’i bëj. Por sidoqoftë gjërat që kam bërë i kam dashur më parë.
Për çfarë e keni fjalën?
Për tërësinë e gjërave. Nuk e ndaj jetën në copa…
Epo një ndarje do ta bëjmë: profesioni dhe jeta private…
As këtë ndarje s’e bëj. Janë të lidhura me njëra -tjetrën, janë në vazhdimësi… Jo, jo, jetën s’e shoh me fragmente.
Por ne do të flasim për jetën private. Mendimet dhe konceptet tuaja. Për shembull: si duhet të jetë një mashkull që të tërheqë vëmendjen tuaj?
Një mashkull duhet të jetë mashkull… në kuptimin e plotë të fjalës…
Më vjen ndërmend një tekst psikologjie. Aty flitet për këndvështrim femëror mbi mashkullin. Mesa duket gratë, disi kontradiktore, e duan mashkullin të tillë, pra mashkull, por edhe të butë njëkohësisht (të pranishme pjesën femërore). Diçka që në pamje të parë tingëllon e panatyrshme…
Kur them mashkull, unë nuk nënkuptoj një “maço”. Këtu e kam fjalën për karakterin e tij të fortë, për personalitetin e tij. Të gjitha femrat tërhiqen nga personaliteti. Sigurisht, dua që të jetë edhe përkëdhelës.
A ekziston mashkulli romantik?
Përvoja ime më thotë që ekziston. Kohëzgjatja është tjetër gjë. Bota sot po ecën në një rrugë tjetër. Njerëzit janë bërë shumë egoistë. Femrat më të vetëdijshme për pushtetin që kanë, janë bërë më të pavarura…
E keni fjalën se nuk është më i brishtë seksi tjetër?
Femrat janë të brishta, por kjo nuk është varësi. Nevoja për përkëdhelje që ajo ka, nuk ia cenon pushtetin. Femrat dinë ta marrin situatën në dorë…
Le të flasim për ju…
Po, mua më pëlqen të jem e përkëdhelur. Përderisa kam qenë gjithnjë që në fëmijërinë time, pse të mos kërkoj të jem e përkëdhelur edhe nga mashkulli që kam në krah. Por mbi të gjitha më pëlqen të jem e kuptuar. Dhe jam. Kur një mashkull e kupton një femër e bën atë të ndihet më e plotësuar.
Ç’vlerë kanë për ju paratë? A duhet që mashkulli juaj t’i ketë edhe paratë?
Ana financiare e përmbushur ndikon shumë pozitivisht në marrëdhënien në çift. Dihet tashmë, shpesh krizat në çift kanë si shkak problemet financiare. Paraja është një rregullator në mbarëvajtjen e marrëdhënies.
31-vjeçare… është një moshë kur ora biologjike troket. A keni menduar të keni një fëmijë?
(buzëqesh, heziton, buzëqesh sërish) Fëmija është diçka që në të vërtetë e mendoj. Por jo aq intensivisht sa për ta bërë realitet tani për tani.
Ju keni një motër më të madhe, prej vitesh të martuar, nënë e tre fëmijëve. A nuk ndikon ajo tek ju nëpërmjet modelit që ofron?
Ilda ka qenë gjithnjë një model për mua. Sigurisht jo për të bërë zgjedhjet e saj. Ajo është martuar herët dhe i është përkushtuar tërësisht familjes dhe fëmijëve, nuk ka punuar kurrë. Unë kam bërë zgjedhje të tjera. E kam dashur dhe vlerësuar karrierën. Nga ana tjetër, fëmijët e saj na kanë bërë ne jo të mendojmë për të pasur fëmijët tanë, por për t’i mbajtur ata pranë vetes për t’u ndjerë mirë në shoqërinë e tyre. Ilda thotë shpesh: unë kam bërë nga një fëmijë për secilën prej nesh… Viki, vajza e dytë e motrës sime, ka qenë gjithnjë “e imja” (qesh). Dhe me të vërtetë ne jemi kënaqur gjithnjë me mbesat. Na është dukur sikur i kemi pasur tonat.
Le të kthehemi te ideja juaj e mëmësisë. Pse e shtyni, pse jo “tani për tani”? Frikë për linjat? Frikë nga ideja e pengesës në karrierë? Apo nuk keni nxitjen e partnerit…
Midis nesh, ka ndodhur ta diskutojmë një temë të tillë. Por e thashë, jo thellësisht në mënyrë serioze e për të marrë një vendim. Sa për linjat nuk shqetësohem. Dhe as nuk trembem se do të më pengojë në karrierë… S’e di… Fundja nuk kam pasur edhe aq shumë kohë. Kam qenë shumë e angazhuar.
…Ju duhet ta dini se fëmija kërkon sakrifica, ka privimet e veta.
E di mirë. Mjaft të shoh time motër që ka sakrifikuar gjithçka. Por ajo është e kënaqur. Nga ana tjetër unë nuk besoj se nuk jam e aftë për të sakrifikuar. E kam provuar veten në raste të tjera: sakrifikoj dhe nuk e kthej kokën pas. Pastaj, gjithë çfarë bën një nënë për fëmijën, edhe pa e provuar e besoj, nuk mund të quhet sakrificë.
E përfytyroni veten në pozicionin e motrës suaj të madhe? Pra duke braktisur karrierën për t’iu kushtuar fëmijëve?
Nuk e di. Por nuk do të çuditesha po të ndodhte. Të lija karrierën për familjen. Fundja përmbysja e gjërave nuk është aq larg mënyrës se si unë e jetoj jetën. Ama, sa i përket fëmijëve, por jo vetëm, dua që gjithçka të vijë në mënyrë natyrale.
Ç’është për ju bukuria?
Është shumë mirë të jesh e bukur. Por duke qenë e tillë, edhe për shkak të kësaj, kam arritur të zbuloj ligësinë njerëzore. Në fillim s’e kuptoja, m’u desh të kalonte kohë e të pasurohesha me përvojë. Njerëzit e mendojnë botën jashtë apo rreth e rrotull tyre ashtu siç ata janë së brendshmi. E nëse janë të ligj, e mendojnë botën me ligësi. Dhe janë të ligj nëse kanë mungesa. E pastaj sa më i lig të jetë njeriu brenda, aq më me ligësi e sheh botën rreth e rrotull apo të tjerët përballë.
Duket sikur ju ka bërë të vuani të qenit e bukur… (hesht, heziton) …
Gati – gati nuk jam ambientuar ende me intrigat dhe aftësinë njerëzore për të intriguar… E keni parë filmin MARLENA të Xhuzepe Tornatores, ku luan Monika Beluçi… Çfarë mrekullie ai film. Shpjegon gjithçka. Ligësia njerëzore është më e madhe sesa mund ta mendosh… Ligësia e njerëzve në raport me të bukurën… Dhe ende s’e kuptoj se pse njerëzit duan gjithnjë të gjejnë të zgjuarën tek një e shëmtuar…
Çfarë mekanizmash mbrojtës keni krijuar?
Unë eci përpara, pa parë ç’ndodh anash meje. Nuk merrem as me të tjerët, me jetët e tyre, me punët e tyre.
Si reagoni në raste të pazakonshme në të cilat mund të jeni ndodhur?
Me gjakftohtësi. Ka momente emocionesh, momente rebelimi. Por në fund mbyllem në veten time, dhe me rrethin tim. Kam rreth e rrotull njerëz të paktë, por shumë të zgjedhur, të cilët më bëhen barrierë mbrojtëse. Kam sidomos një mbështetje të jashtëzakonshme familjare.
Midis motrave… në familje
Mes tri motrave… cila është marrëdhënia juaj?
Jemi shumë të lidhura me njëra-tjetrën (Ilda sapo e ka marrë në telefon duke e ndërprerë bisedën tonë – ‘‘Ku je’’, e ka pyetur për t’i bërë të qartë menjëherë vendin se ku ishin dhe ku Inisi duhej të shkonte menjëherë me të mbaruar. Dhe kjo ndodh shpesh, përditë). Fakti që ne jemi tri motra, ka qenë një e mirë.
A e keni ëndërruar ndonjëherë praninë e një vëllai? Fundja pse!?
As prindërit tanë nuk janë ankuar ndonjëherë për këtë gjë. Së paku ne s’i kemi dëgjuar ta thonë. Pastaj, ne kemi pasur Ingridin sa për 100 djem në shtëpi (qesh). Është shumë kapricioze, këmbëngulëse në plotësimin e tekave..
Cila ka qenë marrëdhënia juaj me prindërit?
Me tim atë, flisja për çdo gjë. Edhe tani që ai nuk jeton më, e gjej veten duke menduar: çfarë do të më thoshte ai për këtë gjë?
Ç’këshillë kujtoni nga ai?
Ai ka ndikuar shumë tek unë. Sidoqoftë një këshillë që e kam gjithnjë në mend nga ai: vlerësoje punë tënde. Dhe bëji edhe të tjerët që ta vlerësojnë… Shpesh nuk kisha nevojë t’i flisja. Më kuptonte pa i folur. Mandej fliste ai e unë dëgjoja. E kam kaq të vështirë ta shpjegoj me fjalë lidhjen që kam pasur me tim atë… Ishte shumë e rëndësishme për të lumturia ime. Këtë donte ai. Këtë e kuptoja unë.
Mënyra se si flisni të krijon përshtypjen se ju keni pasur me babanë një marrëdhënie të ndryshme nga ajo që kishin motrat e tua…
Tingëllon e çuditshme, por gjithnjë më është dukur kështu… sikur ai çdo gjë e bënte për mua… Vite më parë, m’u krijua përshtypja se edhe magnetofonin e bleu për mua, që të dëgjoja unë muzikë…
Cila jeni ju si grua, zonjë shtëpie...
(qesh) Ah, katastrofë. Nuk jam aspak e zonja, pothuaj e paaftë. Nuk gatuaj, jam rrëmujaxhie… S’di ta përdor lavatriçen… Por besoj se në momentin që do të më duhet apo do të vendos të jem tjetërkush në shtëpi, do të mund ta bëj.
A.M
Botuar në revistën Psikologji, tetor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.