Inteligjenca artificiale vazhdon të sfidohet, duke tejkaluar njeriun dhe vetveten. Kjo, falë programit “Alpha Go Zero” që është në gjendje të mësojë, vetë duke filluar nga zero dhe pa një shtysë fillestare nga njeriu, por falë eksperiencës, thuhet në revistën shkencore “Nature”, për këtë program të ideuar në Britani të Madhe nga kompania “DeepMind” e gjigantit amerikan të internetit “Google”.
Duke u vetëprogramuar, “Alpha Go Zero” ka arritur të mund paraardhësin e tij “Alpha Go”, që edhe ai vetë kishte fituar famë duke mundur në një turne kampionin në lojën Go, Lee Sedol.
Ky rezultat për “Alpha Go” erdhi falë një stërvitjeje intensive ku vëzhgonte dhe memorizonte miliona lëvizje të lojtarëve njerëz dhe më pas aplikoi në praktikë atë që kishte mësuar duke korrigjuar automatikisht gabimet e tij.
Por, “AlphaGo Zero” është në gjendje të mësojë krejtësisht vetë nga eksperienca që fiton duke luajtur, duke analizuar lëvizjet e mundshme dhe duke memorizuar strategjitë fituese për çdo situatë.
Gjatë këtij ushtrimi intensiv, programi luajti gati 50 milionë lojra kundër vetvetes dhe më pas falë kësaj eksperience arriti të mundë njeriun./Bota.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.