Në fokus

May 7, 2019 | 9:55

“Inteligjenca Emocionale, ky kapacitet që duhet ushqyer!”

Njohja e emocioneve, emërtimi i tyre, diferencimi mes një emocioni dhe një tjetri te vetja dhe te të tjerët është një proces. Ne vijmë në jetë me një prirje për të ndjerë dhe shprehur emocione të caktuara, që ne i quajmë emocione bazë, siç janë: lumturia, trishtimi, frika, habia, zemërimi dhe neveria. Ato na ndihmojnë për të mbijetuar.

Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike, terapiste

Mendoni çfarë do t’i ndodhte një të sapolinduri nëse nuk do kishte kapacitet emocional: nuk do të ndiente nevojën për ushqim, nuk do qante dhe nëna nuk do e kuptonte nevojën e tij. I sapolinduri duhet të sigurojë mbijetesën; emocionet që ai shpreh përmes sjelljeve komunikuese (e qara) dhe lëvizjeve të trupit, e ndihmojnë të mbijetojë dhe të plotësojë nevojat përmes nënës.

Duke u rritur, ne mësojmë emocione të reja, më komplekse, si turpi, krenaria, faji, xhelozia, zilia, admirimi, ekzaltimi, etj. Këto emocione i zhvillojmë në sajë të marrëdhënieve me të tjerët.

Nëse fëmija, gjatë rritjes, lejohet dhe nxitet t’i shprehë emocionet, nëse të rriturit i kuptojnë emocionet e tij dhe reagojnë në përputhje me to, në mënyra të përshtatshme, aq më i shëndetshëm emocionalisht do të jetë ky fëmijë. Duke u rritur, do të mësojë të njohë dhe emërtojë emocionet e veta (“Unë jam i mërzitur me ty”), të dallojë emocionet e veta (“Jam e zemëruar” nga “Jam e trishtuar”), të menaxhojë emocionet e veta (“Nëse jam i zemëruar, mund të marr frymë thellë para se të flas”), të njohë emocionet te tjetri (“Shoqja/shoku është i inatosur me mua” dhe të reagojë në përputhje me emocionet e të tjerëve (p.sh të qetësojë një person të frikësuar). Nëse dikush zotëron aftësitë që sapo listova, me siguri ai ka Inteligjencë Emocionale të lartë.

0Çfarë është Inteligjenca Emocionale?
Termi “Inteligjencë Emocionale” u shfaq për herë të parë në vitin 1964, në një artikull. Përkufizimi i parë i plotë u dha nga Salovey dhe Mayer (1990), sipas të cilëve: “Inteligjenca Emocionale është së pari, aftësia e njerëzve për të njohur dhe dalluar emocionet e tyre dhe të të tjerëve dhe së dyti, aftësia për ta përdorur informacionin emocional si guidë për të menduarit dhe sjelljen, në mënyrë që të përshtatemi me mjedisin, të arrijmë qëllimet tona dhe të ndikojmë te të tjerët.” Koncepti i Inteligjencës Emocionale fitoi popullaritet më vonë, në vitin 1995 kur u publikua libri me të njëjtin titull nga David Goleman dhe që atëherë janë shkruar shumë libra dhe artikuj mbi Inteligjencën Emocionale.

2Përse është e rëndësishme Inteligjenca Emocionale?
Studimet e dekadave të fundit në neuroshkencë na tregojnë se pjesët e trurit përgjegjëse për emocionet janë të lidhura me pjesët që përgjigjen për kognicionet (mendimet) dhe veprimet. Madje, sa më mirë të sinkronizuara të jenë ato, aq më të shëndetshëm jemi, në të gjitha aspektet. Mendoni një njeri që mund të jetë tepër i mërzitur. A mund të jetë ai i përqendruar dhe në gjendje të mendojë qartësisht? Tani mendojeni në vendin e punës. A do jetë ai efektiv dhe çfarë vendimesh do të marrë ai?
Është e padiskutueshme që emocionet tona, gjendjet tona të humorit, mund ta quajmë edhe “truri ynë emocional” komunikojnë me mendimet, proceset tona mendore dhe patjetër çdo aspekt të veprimit ose sjelljes, pra, me “trurin tonë racional”. Siç shkruan David Caruzo, profesor në Universitetin Yale, autor i librave mbi Inteligjencën Emocionale: “Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se Inteligjenca Emocionale nuk është e kundërta e inteligjencës, nuk është triumfi i zemrës mbi mendjen, por një ndërlidhje unike e të dyjave” (“Emotional What”?).

Përse nevojitet Inteligjenca Emocionale në vendin e punës?
Kur themi njeri i suksesshëm, menjëherë na vjen në mendje një njeri i zgjuar dhe me inteligjencë të lartë. Është e vërtetë, një person i tillë mund të jetë i suksesshëm, por jo vetëm! Suksesi një individi në kuadrin organizativ nuk shënjohet vetëm nga koefiçenti i inteligjencës së tij! Një element shumë i rëndësishëm që të bën vërtet të suksesshëm është Inteligjenca Emocionale, e cila është përcaktuese për menaxhimin e marrëdhënieve me kolegët, klientët dhe vetveten. Për Inteligjencën Emocionale pak kemi dëgjuar të flitet, pavarësisht se çdo njeri prej nesh mund ta zotërojë atë. Aftësitë intelektuale nevojiten për të kryer aktivitetet mendore, por sa më lart të ngrihet në përgjegjësi një punonjës, aq më tepër inteligjencë emocionale i duhet për ta kryer punën me sukses. Dekada kërkimesh tregojnë se Inteligjenca Emocionale bën diferencës mes atyre që performojnë shkëlqyeshëm në vendin e punës, krahasuar me të tjerët. Vetëm Inteligjenca Globale nuk mjafton!

Përse shërben një trajnim për Inteligjencën Emocionale?
Një meta-analizë (Mattingly dhe Kraiger, 2018) që përmblodhi 58 studime të publikuara dhe të papublikuara prodhoi dy gjetje të rëndësishme: e para, trajnimet e Inteligjencës Emocionale kishin madhësi efekti pozitive të moderuara te pjesëmarrësit që i kishin ndjekur dhe e dyta, efekti nuk varej nga vendi, gjinia apo mënyra sesi ishte matur Inteligjenca Emocionale. Pra, ata që ishin përfshirë në trajnime mbi IE patën rritje të rëndësishme të pikëve në testin e IE pas trajnimit.

Përgjithësisht, studimet na tregojnë se vetëm aftësitë mendore dhe ato teknike nuk parashikojnë dot gjithë suksesin e dikujt. Një pjesë e konsiderueshme e këtij suksesi varet nga Inteligjenca jonë Emocionale.
Çfarë është Inteligjenca Emocionale? Për çfarë na shërben ajo? Si mund ta rrisim atë? Këto janë vetëm disa nga pyetjet që marrin përgjigje në një trajnim mbi Inteligjencën Emocionale.

Qëllimi është që shoqëria të pasurohet me me shumë njerëz me Inteligjencë Emocionale të lartë dhe tregut të punës t’i ofrojmë kandidatë cilësorë për pozicionet që ata kërkojnë dhe njëkohësisht t’i përgatisim të gjithë të interesuarit që të plotësojnë kushtet bazë për të qenë të suksesshëm në punë.
Në një trajnim për Inteligjencën Emocionale mund të marrin pjesë të gjithë personat e interesuar, që dëshirojnë të përmirësojnë inteligjencën e tyre emocionale.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top