Në fokus

October 28, 2016 | 8:03

Inteligjenca, intelektuali dhe intelekti

Sonila Gruda Psikologe zhvillimi

Sonila Gruda
Psikologe zhvillimi

Le të bëjmë së pari një refleksion, duke iu referuar kuptimit të përgjithshëm se çfarë është inteligjenca. Me fjalë të thjeshta ne mund ta përshkruajmë atë si kapacitetin për të përdorur në mënyrë të shkëlqyer një aftësi të veçantë. Për shembull, aftësia për të luajtur një instrument, për të zgjidhur një detyrë matematike, për t’u orientuar. Sigurisht një pjesë e këtyre aftësive është e lindur, edhe pse është i pamohueshëm fakti që këto aftësi mund të jenë pjesërisht të edukuara. Përtej kuptimit të përgjithshëm, studimet më të fundit psikologjike na shpjegojnë se si inteligjenca nuk mund të konsiderohet një aftësi e njëkuptimshme, pasi në të mund të jenë të përmbledhura aspekte të shumta, madje shumë të ndryshme. Për këtë arsye flitet më shumë për disa inteligjenca se sa për një inteligjencë.

Për shembull, për Gadamer ato janë verbalegjuhësore, pamore-hapësinore, trupore-kinestetike, logjike-matematike, muzikore-ritmike, intrapersonale, ndërpersonale (kolektive). Por, gjithashtu është e vërtetë se ka tregues të njëkuptimtë që e trajtojnë inteligjencën si një aftësi të vetme, si koeficient inteligjence. Përkrahësit e teorive të inteligjencave të shumëfishta mbështesin faktin se testet që masin IQ-në, janë në gjendje të vlerësojnë vetëm disa nga aftësitë mendore, mes të cilave aftësitë logjike dhe ato të arsyetimit abstrakt. Gjithashtu, është i vërtetë dhe fakti se ata persona që shkëlqejnë në fusha të caktuara, kanë një koeficient të lartë të inteligjencës. Shembujt janë: Einstein, Turing, Stephen Hawking.

Debati mbi inteligjencën dhe matjen e saj në psikologji është akoma i hapur për arsyet e sipërpërmendura. Përtej përkufizimeve të ndryshme inteligjenca është një proces tepër i rëndësishëm, i cili na vjen në ndihmë, duke na dhënë aftësi të veçanta për të përballuar probleme specifike. Nëse provojmë të mendojmë se si mund të jetë një person inteligjent, vështirësisht e asociojmë me intelektualin, edhe pse ndonjëherë përdoren si sinonime të njëra-tjetrës. Intelektuali në realitet është diçka krejtësisht ndryshe. Intelektualët sot akuzohen si persona të shkëputur nga realiteti, që shohim vetëm interesat e klasës së pasur borgjeze dhe që bëjnë arsyetime të vështira për t’i konkretizuar në jetën e përditshme, pra janë të mbyllur në vetvete.

Por cilët janë intelektualët? A janë vërtetë të tillë? Përkufizimi etimologjik është i qartë: fjala intelektual vjen nga inteligere, që do të thotë “të lexosh brenda”, që përdor intelektin.

Çfarë do të thotë kjo?

Rreth këtij koncepti mund të japim përkufizime të ndryshme. Intelektualin e kam përfytyruar gjithmonë si një person që mendon dhe që është i aftë të nxjerrë nga përvojat dhe reflektimet e tij diçka të re dhe prekëse aq sa arrin t’i stimulojë të tjerët dhe vetveten të reflektojnë mbi ekzistencën e tyre. Nëse do na pyesnin për sa i përket të menduarit dhe rëndësisë së tij, thuajse të gjithë do të përgjigjeshim pozitivisht, por besoj se pak nga ne arrijnë të apasionohen realisht me procesin e të menduarit. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë të vazhdojmë të kërkojmë përgjigje rreth pyetjeve që i drejtojmë vetes, të mos kënaqemi asnjëherë në zgjidhjet që kemi arritur, e për më tepër nga ato që na vijnë nga të tjerët, të cilat nuk duhet të jenë gjë tjetër veçse stimuj për t’i drejtuar pyetje vetes. Intelektuali bëhet më i vetëdijshëm për botën e tij, për botën që po jeton dhe më i aftë të relacionohet me botën e të tjerëve, pra të jetë empatik. Ai është në gjendje të hapet, të hyjë në marrëdhënie me të gjithë, duke mos e bërë steril reflektimin e tij. Nëse reflektimin e mbyll në vetvete rrezikon të bëhet një ndërtim i atij që e ka prodhuar. Ky është një nga rreziqet më konkretë për intelektualin. Një tjetër karakteristikë që mendoj se duhet të ketë, është ai i të qenit i qartë, mbi të gjitha nëse këtë aktivitet vendosim ta bëjmë profesion, si në rastin e profesorëve të universitetit, të opionionistëve, të hulumtuesve, të gazetarëve, pse jo dhe të artistëve, të cilët janë të detyruar të mendojnë për të prodhuar gjëra të reja. Me këtë term kuptohet kapaciteti për të qenë lehtësisht i kuptueshëm, i të qenit në gjendje ta transmetosh mesazhin në atë mënyrë që për atë që dëgjon të arrijë t’ia përsërisë të njëjtin reflektim një bashkëbiseduesi, pra, të jetë në gjendje për ta bërë të tijin, ta memorizojë dhe ta ripërpunojë. Një imazh që shpesh i bashkëngjitet intelektualit është ai i të diturit. I ditur është ai i cili mëson nga eksperienca, di të bëjë thesar mbi atë që ka mësuar, por mbi të gjitha, di të flasë me të tjerët. Figurën e të diturit e lidhim shpesh me atë të një të moshuari, që mbase për herë të parë në histori lihet mënjanë. Eksperienca e shumtë që të moshuarit kanë i bën ata të ditur, kjo pasi dinë të identifikojnë shumë më shpesh se sa të rinjtë atë çfarë ka me të vërtetë rëndësi në jetë, për të qenë vetvetja dhe të lumtur. Rrallëherë dhe vështirësisht një i moshuar do t’ju thotë të lidheni pas krenarisë suaj, pas parave, ose aq më pak, pas pushtetit. Të moshuarit ia ka mësuar jeta këto gjëra tejet të rëndësishme. Në këtë kuptim, ai është i ditur. Dituria është një formë e përdorimit të intelektit, është një ushtrim intelektual. Në këtë pikë është mëse e nevojshme të përkufizojmë se çfarë kuptojmë me fjalën intelekt, pra, instrumentin që përdor intelektuali.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top