Interneti ofron mundësi pa limit si për të rriturit, ashtu dhe për fëmijët, adoleshentët. Të mirat që ofron interneti kanë karakteristika të ndryshme, sepse ata mund të komunikojnë me të tjerët, të vizitojnë uebsajte të ndryshme për qëllime argëtimi dhe informimi për projekte shkollore, qasje më e lehtë në shumë informata, blerje, lexim lajmesh, studime dhe plagjiatura të ndryshme, lojëra, transaksione bankare dhe financiare, reklama etj.
Ti mund të krijosh, të bashkëpunosh aty, të diskutosh për tema pafund, të bësh thashetheme me miqtë dhe të panjohurit, të gjesh shokun a shoqen e jetës. Mundësitë janë të pafundme! Rreziku, nëse nuk je i kujdesshëm, gjithashtu mbetet i lartë nga rrjetet sociale dhe rrjedhja e informacioneve. Prandaj duhet të mos tejkalohet norma për mediat sociale dhe përdorimi i internetit.
Ndikimi psikologjik i medias sociale është i madh. Aspekti më i rëndësishëm është aftësia e saj për të lidhur njerëzit rreth botës dhe për të sjellë gëzim pavarësisht largësisë, të gjesh të njohur të vjetër me të cilët kishe humbur lidhjet dhe të vendosësh lidhje me të afërm të largët. Ndikimi social është një nga sukseset më të mëdha të revolucionit mediatik social, përmes krijimit të rrjeteve të mëdha që ndajnë mes tyre identitete, informacion dhe ide. Madje kushdo nga ne ndesh persona që kanë një opinion të tyrin për çdo temë diskutimi. Këto media janë shndërruar tashmë në hapësira reale të opinionbërjes.
Avancimet në teknologjinë e komunikimit kanë rritur pafund pasojat në jetën sociale, kulturore, ekonomike dhe politike, duke përcaktuar mënyrat në çfarë informacioni është përpunuar, transferuar dhe shprehur kreativiteti. Megjithëse, teknologjia ka pasur gjithmonë një ndikim transformues në hapjen e shoqërisë, interesat e tanishme në teknologjinë e informacionit, në krijimin dhe avancimin e saj, në zhvillimin dhe teorinë, duket si interesa të paimagjinuara më përpara.
Ndikimi politik informacionet dhe gjithçka që ndodh në jetën politike të vendit, por edhe anekënd globit janë vetëm një klikim larg. Çdo platformë bëhet e njohur, çdo incident politik gjithashtu, ndërsa njerëzit kanë zërin e tyre, shfaqjen e opinionit të tyre për çdo gjë që ndodh dhe i prek apo jo. Ndikimi ekonomik në operatorët e ndryshëm ekonomik, i shfrytëzojnë rrjetet sociale për shkak të audiencës së lartë që ato kanë. Përveç reklamimit të produkteve në këtë audiencë masive përfitohet dhe reagimi i shpejtë, pa kosto i përshtypjeve të konsumatorit ndaj produkteve dhe shërbimeve të ofruara, edhe për konsumatorët, mediat sociale ofrojnë një pafundësi zgjedhjesh dhe shkëmbim informacioni mbi shërbime dhe produkte të caktuara me konsumatorë të tjerë, duke përfituar dhe kërkuar cilësinë dhe çmimin më të mirë.
Hebert Marcuse na lë të kuptojmë se ne jemi shndërruar në mallra që shitemi dhe shesim duke u konvertuar me to, duke u identifikuar me to, sepse jetojmë në një shoqëri njëdimensionale. Interneti gjithashtu ka anët negative të saj që ndikojnë psiqikisht dhe fizikisht të individi dhe grupmoshat e caktuara. Ato janë më përmbajtje pornografi dhe materiale seksuale; shfaqen probleme mendore, varësitë, çrregullime mendore, probleme sociale, urrejtje sociale, dhunë, informacione të pasakta. Shfrytëzime joligjore të përmbajtjeve të mbrojtura, keqpërdorim i mundësisë për kryerje të transaksioneve financiare, etj.
Në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi, prindërit, përfaqësuesit ligjorë kanë përgjegjësi parësore për krijimin e kushteve të jetesës që garantojnë mirërritjen, zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve të tyre. Fëmijët dëshirojnë të krijojnë apo zhvillojnë miqësi, të kalojnë kohën dhe ndonjëherë të kërkojnë informacione me një përmbajtje të caktuar në internet, ndonjëherë edhe duke biseduar, dialoguar, kontaktuar përmes chat-it, mirëpo kjo duhet mbikëqyrur dhe menaxhuar me shumë kujdes, duke krijuar kushtet e përshtatshme që fëmija nuk duhet të ndihet i frustruar. Adoleshentët mund të hyjnë në internet edhe me anë të pajisjeve portative. Rregulli se kompjuteri duhet vendosur në një vend të dukshëm për gjithë familjen, është ende i vlefshëm. Por, me anë të një tableti ose një celulari të lidhur me internetin, fëmija yt mund të hyjë në botën e këtj rrjeti të madh ndërlidhës si kurrë më parë, madje pa mbikëqyrjen tënde, dhe adoleshentët nuk i kuptojnë pasojat e atyre që postojnë në rrjetet sociale. Prandaj duhet pasur parasysh që internetin nuk e ke armik. Përkundrazi, telashet vijnë nga keqpërdorimi i tij. Fëmijët mund të dinë më tepër për teknologjinë, mirëpo prindërit dinë më tepër për jetën. “Teknologjitë janë sisteme dhe makineri që ne i përdorim për t’i bërë gjërat mirë, jo për të na shkatërruar apo për të na shkaktuar varësi”.
Po e mbyll me një thënie të të madhit Sami Frashëri. “Fëmijës i duhen dhënë ato që i duhen, jo ato që kërkon”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.