Komunikimi në ditët tona ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm. Shkëmbimi i informacionit ndërmjet personave të vendosur në anë të ndryshme të globit është bërë shumë më i thjeshtë dhe i shpejtë falë përdorimit të internetit. Përtej përdorimit normal të internetit me të cilin nënkuptohet kërkimi i informacioneve e përdorimi me kriter për qëllime pune e informative, dallohet edhe përdorimi i ekzagjeruar deri në abuzim i internetit. Ky fenomen është në rritje sidomos tek të rinjtë. Gjithsesi studiuesit konstatojnë se grupmosha më e prekur përfshin kategorinë nga 15-40 vjeçare, aq sa në ditët tona flitet për Internet Addiction Disorder (IAD), (çrregullim i shkaktuar nga varësia e internetit), patologji kjo gati e njëjtë me toksikomaninë. Për herë të parë do të përdorej ky term nga psikiatri amerikan Ivan Goldberg në vitin 1995 i cili propozoi edhe disa kritere diagnostikuese. Goldberg me propozimin e tij, ndikoi në përhapjen e një refleksioni i cili do të tërhiqte vëmendjen e shumë psikologëve dhe psikiatërve, duke sjellë kështu drejt vëmendjes së të gjithëve rrezikun që shkakton varësia nga interneti.
Disa nga simptomat:
• Nevoja për të qëndruar gjithnjë e më shumë kohë në rrjetin online për të përftuar kënaqësi;
• Reduktim i interesit ndaj aktiviteteve të tjera që nuk përfshijnë internetin;
• Pas reduktimit apo ndërprerjes së përdorimit të internetit shfaqen shenja agjitacioni psikomotore, ankth, depresion, mendime obsesive rreth asaj çfarë po ndodh online, simptoma tipike këto të abstinencës;
• Verifikohet domosdoshmëria për të pasur akses më të shpeshtë në rrjet si dhe për të qëndruar një kohë më të gjatë nga ajo çfarë kishte parashikuar fillimisht individi;
• Pamundësi për të ndërprerë apo për të mbajtur nën kontroll përdorimin e internetit;
• Individi vazhdon të përdor internetin pavarësisht vetëdijes se po i shkakton probleme fizike, sociale e psikologjike. Shqetësuese është se këta individë fillojnë të lënë gjithnjë e më shumë mënjanë familjen, raportet sociale, punën, apo nevojat ekzistenciale personale si, p.sh. ndodh të mos ndjejnë nganjëherë edhe nevojën për të ngrënë, mund të shfaqin edhe çrregullime gjumi. Predispozitën më të madhe për të zhvilluar këtë lloj varësie e kanë personat që shfaqin tendenca tërheqje prej raporteve ndërpersonale. Ata ndeshin vështirësi komunikimi dhe raportimi social të cilat mund të jenë të gjeneruara nga probleme psikologjike apo psikiatrike, familjare e relacionale. Një aspekt tjetër që duhet trajtuar është se internetomania merr trajta të ndryshme, ajo mund të jetë: varësi nga raportet që krijohen online ( p.sh facebook apo chatet). Kjo dukuri shpeshherë sjell edhe paqëndrueshmëri në jetën bashkëshortore, afektive familjare, sociale, reduktohet rendimenti shkollor dhe i punës. Varësia nga interneti mund të shfaqet edhe si varësi nga lojërat online, personat e përfshirë në këtë kategori kanë tendencën të përdorin kazinot, lojërat interaktive apo bastet. Humbasin kështu dita-ditës raportet ndërpersonale, lidhjen me punën e me jetën reale duke shpenzuar edhe sasi të mëdha parash. Mund të shfaqet edhe “Varësia nga mbingarkesa konjitive online”, kjo për shkak të mbingarkesës së të dhënave që gjenden online, individi fillon të shpenzojnë gjithnjë e më shumë kohë duke kërkuar apo organizuar të dhënat që gjenden online.
Pasojat
Duke ndjekur gjurmët e teorisë së nevojave të Maslow, mund të hipotezojmë se shumë subjekte gjejnë kënaqësi në përdorimin e disa shërbimeve si email, newsgroup apo chat. Lehtësisht gjenden raste ku individët deklarojnë një identitet gjinor tjetër nga ai real, përshkruajnë karakteristika fizike, moshore, gjendje civile dhe pune jo reale, duke përfituar kështu nga ky mjedisi i zhveshur nga çdo lloj përgjegjëshmërie i cili mundëson daljen apo hyrjen nga konteksti eksperencial i rrjetit virtual sipas dëshirës së tyre. Duke gënjyer, provojnë euforinë e një lirie të pafundme e mbase për herë të parë në jetën e tyre provojnë ndjesinë e të qenit interesant, duke treguar aspekte që mund t’i demonstrojë vetëm aty ku mungon kontakti viziv. Vërehet se kush përdor këto chat-e ka mundësi të realizojë në mënyrë virtuale unin e tij ideal, mund të ndjehet përfundimisht në formë ideale. Prandaj e ka tejet të vështirë të shkëputet nga këto ndjesi kënaqësie e të mbyll kompjuterin, për t’u kthyer në realitetin ku askush nuk mendon se është në formë perfekte. Nëse zgjedhim të ndjekim nga ana tjetër teorinë Frojdiane të pulsioneve vihet re se pjesa më e madhe e rrjeteve web ofron ndër të tjera edhe materiale me natyrë seksuale apo pornografike. Studiuesit mendojnë gjithashtu se pas kësaj varësie fshihet dëshira për të gjetur një botë virtuale ku mund të realizohen nevojat të cilat kanë ndeshur pengesa realizimi të vazhdueshme në jetën e përditshme. Strukja virtuale sjell mënjanim të përballjes me problematikat ekzistenciale. Kjo ka shtyrë që shumë autorë të hipotezojnë se përdorimi i internetit shkakton zhvillimin e një gjendje të alteruar të vetëdijes e cila përngjason me ëndrrën. Siç ndodh në ëndërr, po ashtu në rastin e varësisë nga interneti, sidomos kur instaurohen lidhje emocionale online mendohet se kjo inkuarajon shprehjen e impulseve të pavetëdishme, vihen në akt fantazi përfaqësimi sociale apo individuale. Të gjitha këto elemente mund të konsiderohen për shpjegimin e realizimit në rrjetet virtuale të disa fenomenve me natyrë seksuale, agresive, apo përdorimi i një identiteti tjetër.
Shërimi nga internetomania
Janë krijuar posaçërisht pyetësorë vetëvlerësimi që gjenden online. Kjo mund të konsiderohet si një pikë- fillesë për zhvillimin e vetëdijes së subjektit që zotëron një problem, pasi shpeshherë duhet nënvizuar fakti se kjo sjellje nuk përjetohet si shqetësuese. Varësia nga interneti për faktin se është e bazuar tek kënaqësia dhe jo tek vuajtja, është tejet e vështirë të eliminohet. Prandaj dhe vetëm nën ndikimin e familjarëve apo personave që iu qëndrojnë pranë ata mund të arrijnë të kërkojnë ndihmë psikologjike. Këta persona mund të shërohen dhe rruga më efikase për të dalë nga tuneli i varësisë është ndihmesa profesionale individuale dhe psikoterapia e grupit. Në këtë mjedis gjenden pjesëtarë më të njëjtin problem. Aty ata mësojnë të bashkëndajnë emocionet dhe ndjenjat e tyre si dhe hap pas hapi mund të mësojnë të reduktojnë e të kontrollojnë sjelljet disfunksionale. Me kalimin e kohës vendin e varësisë e zë vetëdija. Përftohet kështu besimi në vetvete dhe ndjesia se zotërojnë drejtimin e jetës së tyre. Vendosja e disa rregullave do t’i ndihmonte shumë personat e përfshirë në këtë varësi:
• Përpiquni të reduktoni qëndrimin me orë të gjata online, maksimumi jo më shumë se një ose dy orë në ditë;
• Qëndrimi në internet nuk duhet të kthehet medoemos në një zakon ditor, i cili duhet respektuar patjetër;
• Duhen integruar aktivitet online me aktivitete të ngjashme reale si (shëtitjet në natyrë, instaurimi i kontakteve sociale reale), në këtë mënyrë nuk rrezikohet të konsiderohet vetëm rrjeti web si instrument i privilegjuar për t’u relaksuar apo për të krijuar raporte sociale;
• Nuk duhen zëvendësuar rrjetet sociale reale me ato virtuale;
• Nëse vini re se keni një nevojë të pakontrollueshme për t’u lidhur me internetin, nxitoni të kërkoni ndihmë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.