Nga:Orjona Tresa
E përfytyrova krejt autoritare natyrën e saj. Natyrisht, ajo është një femër e cila qëndron në krye të aksioneve për prishjen e ndërtimeve pa leje. Duhet të jesh vërtet e fortë dhe të përballesh me “të fortët”. Ndaj mendova se, ndoshta, duhet të kishte diçka më afër prej një burri prepotent, që i bënte dhe shkelësit e ligjit të dorëzoheshin para saj. Duket si një “mision i pamundur”, ndoshta sepse për shtat i shkon më shumë një mashkulli, me vështrim të egër e nofulla të mprehta, si ata gladiatorët që përgatiten të dalin në arenën e dyluftimit. Por nuk ka të bëjë asfare me këtë. E kundërta fakton anën tjetër të Dallëndyshe Bicit. Ajo është plot sharm. E, megjithatë, e vëmendshme dhe e vendosur përpara një anarkie në kundërvajtje me ligjin. Por, me sa duket, ka ende shumë punë përpara. Katrahura urbanistike është aq herë më e madhe saqë për kryeinspektoren e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit ky proces do të vazhdojë pa ndërprerje në të gjitha zonat e vendit.
Në shtatë muaj që mban këtë post, rezultatet kanë qenë të suksesshme. Zonja Bici është e para femër që ka thyer tabutë e këtij institucioni. Kjo ngase paraardhësit meshkuj para saj, sipas të dhënave të IKMT, nuk kanë mundur të bëjnë në një mandat zyrtar, aq sa ajo ka bërë në një ditë të zakonshme të vitit. Përkushtimi nuk njeh kohë pushimi. Shqipërisë i duhet kthyer faqja e munguar, atë që për 25 vjet e tjetërsuan me dashakeqësi, makutëri dhe pangopësi, duke i prishur urbanistikën në themel.
Tensioni dhe intensiteti në ndërveprim janë kryefjala e ditëve të sotme. Dita, siç preferon ta thërrasin kolegët, është atygjendur për çdo rast ndërhyrjeje. Natyrisht me peshoren e ligjit, e drejtë dhe e ndjeshme edhe për ato raste kur ka nevojë për tolerancë.
Teksa bënim albumin fotografik për faqet e “Psikologjisë”, aty në terren ku vlen dhe puna e saj, një banore e zonës tërhoqi vëmendjen e kryeinspektores. Natyrisht, për një çast vëmendja u kthye nga ajo. Flitej për një kat shtesë pa leje. Ankesë jozyrtare, pa vula e shkresa përcjellëse. Kryeinspektorja ishte aty, përse të mos i bëhej e ditur “live”. Mesazhi u mor, procedura ka nevojë për ligjin. Denoncimet shqyrtohen një e nga një… Ne i rikthehemi punës, na duhen fotot për intervistën. Kryeinspektorja pozon. Hedhim ndonjë batutë kur ajo qëndron pranë një fadrome. Ajo na e kthen me buzëqeshje. Nuk kemi parë asgjë nga ajo që është arritur deri më sot. Shumë hapësira publike të uzurpuara pa të drejtë, pritet t’i rikthehen terrenit të lirë. Deri më tani, rreth 6 mijë objekte janë prishur në të gjithë territorin. Sipas kryeinspektores, kjo është një përqindje e ulët krahasuar me objektet e paligjshme që janë ende në këmbë. Çerekshekulli liri xhungle, paligjshmëri, ku më i forti ka rrëmbyer pronën, nuk mund të jenë më mesazhierët e një shteti që po bën përpara. Firma e saj rëndon shumë… me ton… Jo. Me kate, patjetër! Një firmë e hedhur me një stilolaps 100 lekësh, rrëzon sakaq tre kate të ndërtuara në kundërshtim të plotë me ligjin, edhe pse aty mund të jenë shpenzuar aq para sa mund të ngrihej një linjë prodhimi stilolapsash.
Ajo është një grua e fortë, e cila beson se forca nuk qëndron te muskujt, por te mendja. “Të hedhësh një firmë, kërkon më shumë mund e guxim se të prishësh një objekt me tritol, – shprehet Bici. – Nëse do të jem ‘e famshme’ si gruaja që u dha fund ndërtimeve pa kriter, atëherë e pranoj të qenit e famshme, sepse kjo është meritë e punës reale, jo e karriges që mbaj”, thotë ajo, teksa bëhemi gati të nisim intervistën.
Mbani mbi supe një barrë të rëndë që duhet pranuar, fizikisht i shkon pak më shumë gjinisë mashkullore, çfarë kostoje ka pasur për ju si kryeinspektore?
Nëse do të ishte punë fizike, e pranoj, që ditën e parë do ia kisha lënë një burri, pavarësisht luftës për barazi gjinore (qesh). Por detyra e kryeinspektores së Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit është në radhë të parë një besim i madh. Sigurisht që të hedhësh një firmë në këtë detyrë, e cila vendos të prishë një objekt, është shumë herë më e rëndë se sa të lëvizësh një ton peshë me krahë. Mirëpo, kur peshon realitetin e dhimbshëm që ndeshim përditë, katrahurën ndërtimore me ëndrrën që kemi dhe më kanë besuar, kjo peshë lehtësohet menjëherë. Sigurisht që ka kostot e saj një punë e tillë dhe janë kryesisht personale. Me të afërmit e mi më shumë flas në telefon se sa i shoh nga afër. Koha, e pamjaftueshme…
Po nëse ka kaq kosto personale, mund ta lini si punë apo jo?
Unë këtë detyrë nuk e lidh me personalen, por me publiken. E urrej shprehjen “la detyrën për arsye personale”. Çdo të thotë kjo? Kaq e thjeshtë është? Qëndron një vit, dy vjet në një post publik dhe papritur jep dorëheqjen për “arsye personale”. Dhe, çuditërisht, këto arsye “formohen” gjithmonë kur sektori që drejtohet nga funksionari publik ka dështuar. Më e ndershme do të ishte “dështova, nuk ia dola. Uroj pasardhësin”… Nuk është turp të dështosh në një detyrë.
Ju do ta bënit?
Sigurisht.
Cilat janë vështirësitë konkrete? Jo pak herë kemi dëgjuar në edicionet informative familjarë apo pronarë godinash në zona të rëndësishme turistike apo rrugë nacionale të kërcënojnë me jetën e tyre për të mos ua shembur objektet?
Janë pasojat e një çerekshekulli paligjshmërie, lirie xhungle, ku secili bën ç’të dojë pa dhënë llogari dhe, nëse është edhe “i fortë”, i rrëmben kujtdo pronën. Mbi të gjitha ia rrëmben shtetit, publikut. Tani që shteti, pas 25 vitesh ka nisur të vendosë rregullin dhe ligjin të barabartë për të gjithë dhe të marrë në kontroll territorin, kemi edhe skena të tilla, ku paligjshmëria bën edhe veprimet e fundit ekstreme para se të dorëzohet. Sigurisht që dorëzohet, sepse nuk ka në anën e saj as ligjin, as dokumentacionin, as pronën dhe, në fund fare, as logjikën. Por kjo ka vështirësitë e saj, pasi ka struktura të gatshme për të shfrytëzuar çdo pakënaqësi. Megjithatë, politika që unë ndjek tek IKMT është “tolerancë vetëm për rastet ekstreme”…
Pra, qenkeni edhe tolerante kur doni?
Jo kur dua, por kur duhet. Jemi treguar të kujdesshëm për sa u përket banesave, përjashto rastet kur ndërhyrja është bërë në mbështetje të projekteve publike të miratuara nga institucionet e tjera.
Në këtë mënyrë shkelni ligjin e barazisë para ligjit për komunitetin?
Jam e bindur që, në raste të tilla, edhe komuniteti nuk është i gatshëm të shohë një familje që mbi kokë ka vetëm qiellin.
A do të jetë kjo një betejë e gjatë për të arritur normalitetin e dëshiruar në urbanistikë? E kam fjalën për Tiranën, kryeqytetin që gëlon nga kapërthimi i hapësirave, por edhe për katrahurën ndërtimore në bregdetin shqiptar?
Ne betejën e parë e kemi fituar. Ndërtimet e paligjshme janë ndaluar. Kjo është një arritje e madhe. Ndoshta kujtesa e shkurtër nga e cila vuajmë si ballkanas, nuk na i sjell më në mendje pamjet kur në çdo rrugë e rrugicë ku ecnim, shihnim njerëz që hidhnin llaç e tulla në çdo dyqan, minimarket, pallat etj., duke shtuar një cep, duke zgjeruar një dhomë, duke vënë një shkallë, duke bërë një shtesë e çdo gjë tjetër që i shkon në mendje njeriut në një vend pa ligj, pa rregull dhe ku mund të bësh si të duash me pak lekë nën dorë. Mendojeni këtë për një ditë, në gjithë Shqipërinë. Tani mendojeni që kështu ka qenë për 25 vjet. Ndërkohë që operacionet tona serioze kanë vetëm 7 muaj që kanë nisur. Krahas numrit të përbindshëm të ndërtimeve, është edhe fenomeni i ligjërimit të këtyre ndërtimeve. Me qindra e mijëra të tilla janë legalizuar brenda pak ditësh në 2013, pas qershorit apo janë në një proces të tillë. Është ajo shprehja që ju e keni dëgjuar kaq herë: jeni selektivë. Ne nuk mund të cenojmë parimin e sigurisë juridike të pronës. Prishja e objekteve të tilla vetëm do t’i shtonte kosto shtetit. Ndërkohë që për bregdetin dhe zonat turistike, po veprojmë më me shpejtësi, sigurisht duke qenë në mbështetje të projekteve të qeverisë, siç ishte operacioni i Pogradecit, apo ai i Vlorës.
Keni pasur kërcënime reale? Të qenit femër në “fushë të betejës” ka riskun e vet.
Ka riskun, por edhe përparësitë e veta. Një burrë mund të vendosë përpara ligjit, sedrën, ndërsa unë kam vendosur përherë ligjin, sepse nuk pranoj të fyhem nga të panjohur të prekur nga një ligj që është bërë për të gjithë vendin tonë, e që nuk pranojnë se koha e xhunglës ka përfunduar dhe u duhet të zbresin nga pema. Sigurisht që kam pasur të tilla, por nuk kanë arritur kurrë asgjë. Asnjëherë. Ndoshta ky moslëshim ka sjellë sot dhe këtë lloj qetësie në gjithë territorin e vendit.
Cila ka qenë situata më e ndërlikuar fizikisht, por edhe ajo që ju ka prekur emocionalisht? Si i keni zgjidhur çështjet?
Asnjëherë. Për sa kohë drejtoj këtë institucion, nuk kanë ndodhur përplasje fizike të rënda, sepse gjithmonë, nëse kanë ekzistuar zona të nxehta, ne kemi pasur mbështetjen e policisë së shtetit, krahas punonjësve të institucionit tonë. Janë regjistruar debate të forta, kërcënime të formave ekstreme, presione të ndryshme etj., që janë zgjidhur me bisedime më së shumti, por edhe me veprim të shpejtë nga ana jonë, kur e shihnim se kundërshtimi ishte jashtë çdo logjike.
Në radhët e ndërtimeve pa leje regjistrohen dhe individë të veshur me pushtet. Ia keni dalë t’jua prishni objektet në fjalë? Opozita është ajo që ngre zërin për vendime selektive.
Opozita…! Kjo katrahurë në fakt është rezultat i ish-pushtetit, që sot është opozita dhe normalisht ajo do ta mbrojë. Është e dhimbshme të shohësh përditë një qytet gri, që nuk ofron asgjë të kënaqshme për syrin dhe jetesën. E kur kjo bëhet e njëtrajtshme edhe jashtë Tiranës, atëherë të kaplon trishtimi. Kur vjen puna që në veprim hidhen mjetet e IKMT-së, objekti nuk ka më emër, ai thjesht është një objekt i paligjshëm.
Në kaosin urbanistik kombëtar, sa godina pa leje janë shembur në total, sa hapësira urbane janë përfituar dhe sa pritet realisht të çlirohen nga betonizimi pa kriter?
Deri në këtë moment që flasim, prej shtatorit të 2014-ës, janë prishur rreth 6 mijë objekte. Duket një numër shumë i madh, por realisht është një përqindje e ulët krahasuar me objektet e paligjshme që janë ende në këmbë.
Rreth 500 mijë, sikur u deklarua nga ALUIZNI?
Kaq janë vetëm objektet që kërkojnë të hyjnë në proces legalizimi. U shtoni këtyre edhe objekte që nuk kanë aplikuar për një proces të tillë. Sado ta vini numrin e tyre, do të keni të drejtë, sepse askush nuk e di. Një shembull: sa qindra e mijëra pallate në çdo cep të Shqipërisë, në katet e para gati është zënë hyrja, sepse banori i këtij kati fillimisht ka bërë një si depo, pastaj e ka zgjeruar për të rregulluar biçikletën dhe, më pas, meqë martoi djalin, e shtoi dhe e bëri dhomë.
A presim ndonjë “bum” të radhës?
Do të ketë shumë të tilla, jo vetëm si kjo që keni parasysh ju nё pyetje, por edhe nga ato që duan shumë eksploziv për të bёrё “bum”…
Si kanë reaguar qytetarët, grupet e interesit pas këtyre iniciativave të guximshme?
Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me komunitetin. E di që shumica nuk e kupton problematikën dhe pengesat, por megjithatë mbështetja dhe përkrahja ka qenë e jashtëzakonshme. Kjo duket jo vetëm nga denoncimet që vazhdojnë njësoj si në dy muajt e parë, por edhe nga kërkesa e llogarisë ndaj nesh. Shprehje të tilla “pse nuk vini në qytetin tonë”, “pse e latë këtë godinë”, “pse, pse, pse” mua më japin të dhënat se publiku na ndjek dhe pritshmëritë i ka të larta. Dhe kjo më gëzon. Jam e ndërgjegjshme se nuk mund t’i plotësojmë të gjitha kërkesat e tyre njëherësh. Por, po aq e sigurt jam se, çdo ankesë trajtohet në kohën më të shpejtë. Një falënderim shumë të veçantë do të bëja për mediat shqiptare. Na kanë mbështetur dhe na mbështesin në çdo hap dhe kanë kuptuar më së miri se angazhimi që kemi marrë përsipër nuk bëhet vetëm dhe nuk është vetëm detyrë e institucionit të IKMT-së. Bashkëveprimi dhe bashkëpunimi besoj se është primar.
Na rrëfyet se bashkëpunimi IKMT-komunitet është i lartë. Në fakt, cilat janë shtyllat që i kanë bërë të dukshme këto arritje?
Përgjegjësi, seriozitet, ligjshmëri. Shqiptarët duan ligjin pёrballё “të fortit” që zapton lulishten para pallatit, trotuarin që e zhduk dhe nuk jep llogari, madje ironizon me ankuesin e përditshëm. Sot, ky model ka marrë fund. Pikërisht kjo është lidhja e fortë që, në pak muaj, na ka bërë njësh me shumicën. IKMT nuk njeh “të fortë” përveç ligjit dhe shtetit.
Kryeministri në fillim të mandatit jua besoi këtë pushtet grave. Sa e vështirë ka qenë për ju të qenit femër, grua në karrierë, familjare dhe mikeshë? Si jeni ndier pas arritjeve në krye të INUK nga vetë Rama?
E shoh që e keni me dёshirё akronimin INUK. Nuk jeni e vetmja. Por tani jemi IKMT, Inspektoriati Kombёtar i Mbrojtjes sё Territorit. Kjo për parantezë… Kryeministri premtoi dhe solli një erë të re në politikën dhe në jetën shqiptare. Nuk mendoj se u besoi pushtetin grave, por i ftoi ato të bëhen pjesë e shtetit, pjesë e së ardhmes, të jenë kontribuuese në realizimin e ëndrrës së tyre dhe të shqiptarëve. Nuk besoj se ka qenë e thjeshtë. Kryeministri Rama theu një tabu. Deri në 2013 ne njihnim gratë që visheshin si burra, apo gratë-skifterë të politikës. Tanimë njohim edhe gratë normale. Që nuk është e nevojshme të ngrenë zërin për t’u bërë të dukshme. Personalisht, falënderoj përzemërsisht kryeministrin për mbështetjen e çmuar dhe jam mirënjohëse për vlerësimin e vazhdueshëm të punës së Inspektoriatit. Për sa u përket vështirësive që renditët në pyetje, jo për t’u bërë “hileqare” duke iu përgjigjur pyetjes me pyetje, por do të desha të dija: si ju është përgjigjur një burrë kur i keni bërë këtë pyetje?!
Jeni ndier e paragjykuar në postin që drejtoni?
Absolutisht jo! Për çfarë duhet të më paragjykojnë?! Jam e diplomuar me titullin juriste në Fakultetin e Drejtësisë pranë Universitetit të Tiranës, profesion që e ushtroj prej 15 vitesh. Eksperienca, përkushtimi, përgjegjshmëria në zbatimin e ligjit në çdo veprim, të ndihmon të jesh më e qartë dhe efektive kur merr përsipër post drejtues në një institucion publik. Puna ime tregon shumë; të gjithë burrat para meje, në të gjitha vitet që kanë drejtuar, kanë prishur gjithsej aq objekte sa prish IKMT e drejtuar prej meje në një ditë nga ankesat e qytetarëve.
Psikologjikisht, është një detyrë që e përballoni?
Fillimi ka qenë i vështirë. Njerëzit nuk ishin mësuar të mos i zgjidhnin “punët”. Kur nuk ia arrinin, çudia kthehej në mllef, e mllefi në urrejtje. Prej kësaj vinin edhe kërcënimet që folëm pak më sipër. Por, unë kam marrë disa angazhime, kam detyrime dhe do t’i çoj deri në fund.
Një femër që përballet me kauza të forta dhe me ngarkesë gjithashtu. E njihni veten si femër të fortë?
Më kanë cilësuar shpesh si “gruaja e hekurt”, “gruaja e fortë”, madje edhe “gruaja fadromë”. Personalisht nuk më kanë pëlqyer ndonjëherë krahasime të tilla diskriminuese për gratë. Besoj se forca nuk qëndron te muskujt, por te mendja. Të hedhësh një firmë, kërkon më shumë mund e guxim se të prishësh një objekt me tritol. Pra, s’ka të bëjë me forcën e muskujve, por me formimin, njohjen, aftësitë dhe vendosmërinë për të marrë përgjegjësi. Unë, vërtet drejtoj një institucion që bie në sy për “forcën”, por mos harroni se e gjithë IKMT, e gjithë flota e mjeteve, vihet në lëvizje veç nga një firmë. Kjo, për mendimin tim, është forca e vërtetë. Përballja me realitetin përpara se të hidhet ajo firmë. Pjesa tjetër pastaj u takon burrave. Bashkëpunëtorët e mi në IKMT janë të gjithë profesionistë. Pavarësisht se janë provokuar shpeshherë, kanë ditur të përmbahen dhe t’u përmbahen ligjeve.
Keni menduar ndonjëherë të hiqni dorë dhe, nëse po, cila do të ishte rruga që do të ndiqnit?
Siç jua thashë edhe më lart, kemi detyrime, kemi angazhime. Unë postin nuk e shoh si vend ku rri sa të duash dhe ikën kur të duash, duke thënë “kam arsye personale”. Në punën private po, edhe mund ta paraqesësh dorëheqjen pa arsyetim. Detyra është përgjegjësi para qytetarëve, para publikut, para atyre që na kanë dhënë besimin. Nëse do të jetë një prej tyre që do të kërkojnë largimin, atëherë falënderoj qytetarët për mbështetjen, publikisht ashtu siç kam komunikuar deri më sot, dhe atёherё po, mund tё largohem. Pra, vetë nuk e mendoj diçka të tillë, me gjithë presionin, sepse kam ende shumë për të bërë nga projektet tona. Rruga ime është ajo e përgjegjësisë dhe zbatimit të ligjit.
Kur është “armë” e juaja protagonizmi? E përqafoni idenë se, në fakt, duhet të bësh diçka për protagonizëm?
Nuk kam dashur dhe s’dua që komunikimi mediatik i përditshëm me publikun nëpërmjet ekranit të bëhet në emrin e drejtueses, por kam preferuar gjithmonë të jetë institucioni, siç edhe mund ta keni vënë re. Sinqerisht nuk kuptoj shumë nga përfitimi që ke duke reklamuar punën, por kuptoj që puna nuk ka nevojë për reklamë. Reklama është vёrtet shpirti i tregtisë, por jo i punëve publike. Unë jam një drejtuese në shërbim të qytetarëve dhe komunikimi im në mjetet e informacionit, ka vetëm një qëllim: informimin e publikut me punën që po bën institucioni për të cilin ata paguajnë taksa dhe presin punë. Është IKMT që u intereson, jo emri i drejtuesit.
Cili është raporti juaj i të qenit emër publik me famën?
Nuk shoh pse duhet të jem e famshme. Emër publik jam, sepse më bën posti që mbaj dhe, duke lënë për pak modestinë mënjanë, edhe puna që kemi realizuar në këto shtatë muaj, për të cilën ndihem krenare. Nëse do të jem “e famshme” si gruaja që u dha fund ndërtimeve pa kriter, atëherë e pranoj të qenit e famshme, sepse kjo është meritë e punës reale, jo e karriges që mbaj.
Sa e shihni të rëndësishme praninë tuaj në media për të informuar gjithçka, pra për të qenë transparente?
Media zë një vend të rëndësishëm në punën e IKMT-së. Sërish i falënderoj. Bashkëpunimi me ta ka sjellë ndërgjegjësimin e shpejtë të qytetarëve. Është media, ajo që transmeton operacionet tona dhe efektet që japin në komunitet, duke sjellë pikërisht atë padurimin te qytetarët e tjerë. Sigurisht që me median, me të gjitha, vizive, të shkruar, apo elektronike kemi një marrëdhënie shumë të mirë. Në komunikimet e para që kam pasur me stafin, transparenca me publikun, me ankuesit, me denoncuesit ka qenë nga gjërat kryesore që kam kërkuar. Deri tani nuk jam zhgënjyer.
Sa e rëndësishme është për një njeri të dijë mendimin e të tjerëve?
“Informacioni është pushtet”, ka thënë Napoleoni, por besoj se kjo vlen në luftë. Ne jemi në paqe. E, në paqe, kjo që thoni ju u duhet vetëm diktatorëve, apo atyre që drejtojnë me frikë se nuk janë të aftë. Personalisht në punën që bëj nuk më intereson se çfarë mendojnë të tjerët, por çfarë punojnë, çfarë rezultatesh japin.
Në çaste të vështira sa e rëndësishme është për ju mbështetja e dikujt? A këshilloheni?
Patjetër. Përditë. Unë nuk jam e pagabueshme. Çaste të vështira ka përherë dhe po përherë unë kam një shpatull se ku mbështetem, ashtu siç kam edhe një mendje me të cilën këshillohem. Po ta mendoj edhe pak, janë disa mendje me të cilat këshillohem (qesh). Mirëpo, e dua shprehjen shqiptare, “pyet shtatë a tetë dhe bëj si di vetë”.
Ndërrojmë temë për ta “thyer” paksa rrjedhën e bisedës. Si është një ditë e zakonshme për Ditën?
Prej shtatë muajsh lidhet vetëm me punën. E vërteta në këto muaj është: e shtuna ka qenë njësoj, si e hëna dhe e diela nuk ka pasur shumë ndryshim nga e marta. Kanë qenë shumë të rralla daljet me shoqërinë, aq të rralla sa tashmë edhe kur dal ndonjëherë vishem si për punë. Mëngjesi, dreka, pasditja dhe darka, deri mëngjesin tjetër janë të gjitha të lidhura me takime, me mbledhje, me firma, me telefonin… Kjo është dita e zakonshme. E lodhshme, stresuese, me mangësi, por edhe me kёnaqёsinё qё tё ofron rezultati dhe përkrahja e qytetarëve.
Angazhimet për shkak të detyrës jua kanë rrëmbyer kohën e mjaftueshme familjarëve. Si e kompensoni mungesën tuaj?
Është e vërtetë. Më parë nuk e besoja se puna do të merrte kohën që u takon të afërmve dhe miqve. U kërkoj gjithmonë falje. U jam debitore, shumë madje. E di qё mungesa nuk mund tё kompensohet. Edhe sa herë “vjedh” pak kohë për ta kaluar me ta, “armiku” im, telefoni, është sërish aty.
Pse nuk e fikni?
Këtë nuk e bëj kurrë.
Cila jeni ju në raport me karrierën dhe familjen? Çfarë roli luan ajo dhe sa mbështetje keni gjetur tek ata në momente të ndryshme?
Kam një marrëdhënie të veçantë me secilin prej tyre, pavarësisht se koha që kaloj me ta është e pakët. Jam e bindur se, pa mbështetjen e tyre, do ta kisha të vështirë të bëja gjithçka kam arritur deri tani.
Ndalemi te miqtë, një pjesë e rëndësishme e jetës. Investojmë për ta dhe rrekemi t’u marrim mendimin e mirë kur ua kemi nevojën. Çfarë janë ata për ju?
Miqësia është pjesë e rëndësishme e jetës sime. Nevojë nuk kemi për praninë e tyre njëherë në sa kohë, kemi nevojë përditë për ta. Është fat t’i kesh. Unë jam me fat për miqtë që kam afër dhe besoj se do t’i kem edhe shumë kohë më pas. Shpesh unë përdor një shprehje: Askush nuk është perfekt dhe mikja e ngushtë e kupton këtë gjë.
Është gatimi një nga terapitë më çlodhëse? Cila është vlera e një vakti të shëndetshëm?
Familjen time e ka shoqëruar gjithmonë dashuria për kuzhinën. Është një ndër mënyrat e shfaqjes së dashurisë për ata që kam më për zemër, ndonëse tashmë, nga një rit i përditshëm, është kthyer në një zakon të rrallë.
5 gjërat që ju bëjnë juve të lumtur?
Lumturia vjen në forma të ndryshme. Ndonëse gjërat që na bëjnë të lumtur në jetën tonë ndryshojnë nga një kohë në tjetrën. Një kujtim i bukur i së shkuarës dhe atyre që na presin përpara.
Botuar në revistën Psikologjia, mars 2015
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.