Në fokus

February 19, 2016 | 10:26

Intervista/ Olesia Duka: Engjëlli mbrojtës… SHENDI

2Pa shumë pretendime, ose thjesht modeste në atë që dhuron pa kushte, ajo ka ëndërruar gjithmonë që të eci në gjurmët e një gruaje të jashtëzakonshme për nga vlerat dhe misioni i saj në jetë. Gjithsesi kjo nuk do të thotë se aspiron të bëhet “shenjt”, dhe as t’i bashkohet një urdhri fort të njohur humanist, si një murgeshë me veshje të bardhë e shirita blu në anësore. Gjithkush ka modelet e tij në jetë. Ajo gjithashtu nuk bën përjashtim. Veç modeli i Nënë Terezës, asaj gruaje të rrallë e plot pasion, e frymëzon pareshtur. Dhe nëse ka diçka që ajo kërkon ta konkretizojë është pikërisht sentenca: “Dëshiron të jetosh? Lufto!”

Kjo është Olesia Duka, një femër në karrierë dhe yll për nga bukuria. Gjithçka plotëson kuadrin e portretit të saj, gjithashtu fisnik. Shumëkush e njeh si mjekja që të kthen buzëqeshjen. Përndryshe e njohin dhe si vajza që di të falë. Ka veç miq. Armiqtë nuk ekzistojnë për të. Dhe nëse ndokush e “urren” a i bën keq në passhpinë, ajo e ka falur pa e ditur cili është. Dhe kjo ka të bëjë me shpirtin e saj të paqtë.

Prej vitesh, vullnetarisht merret me përkujdesjen dentare të fëmijëve me çrregullim të spektrit autik. Altruiste? Padyshim. Mund ta quajmë edhe kështu. Përderisa gjithmonë ka dashur të japë nga vetja diçka për një tjetër që, nëse nuk ka asgjë, të paktën ka shumë më pak se ajo. E nëse e pyet se përse e bën këtë, në një kohë pragmatizmi, krize vlerash apo dhe krize ekonomike pse jo, ajo të përgjigjet thjeshtë se; ka disa ndjesi të cilat nuk shpjegohen dot me fjalë, por thjesht konkretizohen.

Ajo kërkon t’i ndihmojë njerëzit, edhe pse në dorë ka veç frezën dhe darët e stomatologut. Por kjo nuk është më pak se bisturia e një kirurgu, sigurisht. Por gjithsesi dhe kaq nuk është pak. Nëse secili do të bënte pjesën e tij për të ndihmuar njerëzit në nevojë, e le të jetë biznesmen, një mjek apo shofer taksie, bota do të merrte më shumë vlerë. Më humane do të ishte gjithashtu.

Olesia vjen nga një familje solide, e cila e ka mbështetur në gjithçka të sajën pa më të voglin dyshim. Agroni, babai i saj ekonomist e nëna Bardha, mjeke stomatologe. Ajo vetë përveçse trashëgoi profesionin nga e ëma, preferoi që në jetëshkrimin e saj profesional të shtonte dhe diplomën për farmaceutikë. Artin e ka lënë pas prej kohësh, edhe pse aty ka qenë po aq profesioniste. Prej vitesh drejton një klinikë stomatologjike të quajtur “Shendi Dent”, trashëgimia e çmuar nga familja. Por në “curriculumin” e saj është shënuar dhe si shefe e shërbimit të kirurgjisë dentare në Spitalin Ushtarak, e më tej dhe si pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë. Të gjitha këto padyshim e bëjnë fort krenare.

Në përditshmërinë e saj të zakonshme, Olesia është po aq e thjeshtë e miqësore me njerëz që i ka përqark, në kohë kafeje apo një darke romance. Por gjithsesi ka dëshirë të thotë se një mik për kokë është ai tek i cili beson dhe nuk zgjedh fjalët për t’u shprehur, por thjesht rrëfehesh si tek prifti. E duke u futur më tej në jetën e saj, mund të prekim dhe diçka përtej intimes, që në kujdes e sipër kjo vajzë me botë të gjerë e zbulon: Njeriu mëson vazhdimisht duke gabuar, e në çastin që nuk gabon më, atëherë nuk jeton më.

Ajo që Olesia pret të kurorëzojë tanimë është ndërtimi i vetë strehës familjare. Më tej një fëmijë biologjikisht nga barku i saj si nënë, e ndoshta dhe një të birësuar për vet natyrën prej humanisteje të paepur. E për të gjitha është ende në kohë.

***

3Shihemi në një periudhë të veçantë për ju, por interesante dhe për këdo që do të lexojë për ju. Pakkush e di që prej 5 vitesh jepni një kontribut për fëmijët në nevojë. Nga lindi kjo ndjesi, ishte e fshehur brenda jush, ndonjë situatë e veçantë që meritonte kujdes, apo instinktet femërore?

Ka disa ndjesi që ndoshta nuk shpjegohen me fjalë, por thjesht konkretizohen. Ndoshta ka të bëjë me mënyrën se si një person rritet, edukohet, me ambientin ku jeton, me rrethin familjar. Në familjen time fëmijët janë parë gjithmonë si personat që meritojnë më shumë kujdes dhe kanë nevojë më shumë se kushdo tjetër për dashuri, për siguri. Ndaj, ndjesia për të qenë pranë fëmijëve e për t’u kujdesur për ta, nuk ka qenë asnjëherë e fshehur tek unë. Kur këta fëmijë kanë probleme shëndetësore, përgjegjësia për t’i ndenjur pranë është akoma më e madhe.

Ju thoni se fëmijët meritojnë dinjitet, pavarësisht se kush i sjell në jetë. Çfarë keni bërë ju konkretisht për ta, jeni lidhur me ndonjërin prej atyre që kuroni në klinikën tuaj, keni krijuar familjaritet jashtë kësaj ndihme?

Fëmijët meritojnë dashuri pa kushte. Meritojnë të rriten me dinjitet, pavarësisht se kush i sjell në jetë. E them këtë, sepse gjatë punës sime kam parë edhe prindër që edhe kushtet e veçanta të fëmijëve të tyre i përdorin më tepër për përfitime personale, sesa për t’i ardhur në ndihmë fëmijës. Prej më shumë se 5 vitesh, klinika stomatologjike “Shendi Dent” që unë drejtoj, ndihmon me donacione fëmijët “Shtëpia e shpresës” në Elbasan. 27 fëmijët autikë të kësaj qendre janë ndihmuar jo vetëm financiarisht, por klinikisht. Momentalisht, “Shendi Dent” po kujdeset për Rajanin, një fëmijë autik. Bëjmë të pamundurën që Rajanit të vogël të mos i mungojë asgjë dhe të jetë pjesë e programeve specifike për fëmijët që kanë çrregullime të spektrit autik. Autizmi është një çrregullim i trajtueshëm, ndaj “Shendi Dent” kontribuon që këtyre fëmijëve të mos i mungojnë terapitë e nevojshme.

Keni një apel për shoqërinë shqiptare në kushtet ku besoj ka shumë për të bërë kundrejt fëmijëve, jo vetëm atyre me autizëm, por edhe ndaj atyre me patologji të tjera apo të braktisur?

Prindërit dhe fëmijët kanë nevojë për mbështetjen e ngrohtësinë tonë, sepse bëhet fjalë për një rrugë të gjatë e të mundimshme. Kanë nevojë për praninë tonë! Kanë nevojë të mos ndjehen të braktisur, të mos ndjehen të pashpresë. Sigurisht, që misioni i “Shendi Dent” do të shtrihet edhe më tej, duke u gjendur sa më pranë fëmijëve në çdo qytet të Shqipërisë.

Humanizmi dhe mirësia juaj shkon përtej asaj që ju bëni. Më thoni se udhëhiqeni nga figura e Nënë Terezës. Çfarë e bën një vajzë të re të ndjekë hapat e kësaj gruaje të fortë?

Sigurisht që Nënë Tereza është një shembull që frymëzon, por krahasimi juaj më duket i tepërt, megjithëse më përkëdhel në sedër. Motivet për të bërë vepra bamirësie janë të ndryshme, të njohura dhe të panjohura edhe për mua vetë. Gjithçka që di është se pas çdo vepre të tillë ndjehem më e plotësuar, më e mirë dhe ky eksplorim brenda vetes më shtyn që të vazhdoj më tej dhe të bëj atë që ndjej. Nga Nënë Tereza më së shumti më pëlqen një grumbull thëniesh rreth jetës, një varg i të cilës është: Dëshiron të jetosh? Lufto!

Besoni ju në Zot? E quani gjithaq veten të fortë?

Sigurisht që besoj në Zot. Të ndjerit “e fortë” në shumicën e rasteve të largon nga besimi, por me mua nuk ndodh kështu. Unë jam sa e “fortë” aq edhe e brishtë dhe ky binom bashkëjeton tek unë në mënyrë shumë harmonike.

Në kësi rastesh lindin dhe paragjykimet, ju trembin apo ju shtyjnë të ecni përpara?

Paragjykimet janë pjesë e ambientit ku jetojmë dhe sigurisht që në disa raste edhe unë mund të jem pjesë e tyre. Personalisht rrallë ndikohem nga opinionet dhe kjo më bën që vlerësimet e të tjerëve shpesh t’i anashkaloj pa vëmendje.

Për t’u rikthyer te fëmijët. Jeni e re e padyshim nuk mund ta anashkaloj një pyetje që lidhet pikërisht më gjithçka ju bëni. Duke lënë mënjanë jetën profesionale, në jetën tuaj private e shihni veten në të ardhmen pse jo, një birësuese në distancë apo nënë e një fëmije të birësuar. Ka jo pak raste aktualisht, që i kemi dëgjuar nga emra të njohur.

Mendoj që së pari të kem një fëmijë që biologjikisht të jetë i imi, por kjo nuk e përjashton mundësinë që në një të ardhme të kem edhe fëmijë të birësuar nga unë.

***

Cila është jeta juaj private karshi angazhimeve profesionale dhe asaj akademike?

Jeta ime kornizohet nëpërmjet familjes time, shoqërisë dhe punës. Më pëlqen të dal fundjavave me shoqërinë, të pi një gotë verë dhe të argëtohem me ta.

Cili është koncepti juaj për mashkullin ideal, e keni gjetur atë, apo ai ekziston vetëm në përralla, ose në ëndrra?

Sigurisht që te çdo femër ekziston imazhi i një mashkulli ideal, që për mua mund të konkretizohet me këto cilësi: Të ketë integritet, pjekuri, sinqeritet dhe përgjegjshmëri. Sigurisht që këtyre do i shtoja edhe paraqitjen Smiling face (black and white).

Në një marrëdhënie të fikur, psikologët thonë se të dyja palët kanë faj. Keni mësuar ju nga gabimet në jetë? Po të falni? Cila është vlera e faljes sipas jush?

Njeriu mëson vazhdimisht duke gabuar. Në momentin që nuk gabon më, atëherë nuk jeton më. Sigurisht që gabimet të bëjnë të reflektosh, por nuk është e thënë të mos i përsërisësh më kurrë ato. Problem do të jetë nëse bën gabime akoma më të mëdha, sepse ky është një tregues që nuk po ecën përpara. Gabimi shoqërohet gjithmonë me një falje dhe kjo është një simbiozë e përjetshme.

Për ta përforcuar, i riktheheni ngjarjeve që kanë shënuar te ju historinë e jetës? I keni falur njerëzit që ju kanë zhgënjyer? Çfarë do të bënit nëse do të riktheheshit pas në kohë?

Nëse do të kthehesha pas në kohë mendoj që do të bëja ekzaktësisht ato gjëra që kam bërë. Nuk e qortoj jetën time, pasi e gjykoj atë objektivisht dhe mendoj që ka qenë ajo e duhura. Në jetën time kam patur më shumë fakte sesa ngjarje. Ngjarja në jetë është një kthesë e madhe që të ndryshon rrjedhën e saj dhe mua ende nuk më ka ndodhur diçka e tillë, pra një ngjarje.

Disfatat në jetë. Çfarë nuk të vret, të bën më të fortë. Sa pajtoheni me këtë tezë?

Jam dakord me këtë konkluzion, jeta na ofron çdo ditë shembuj që e konfirmojnë këtë.

Ndalemi te familja dhe plotësimi i saj, keni menduar për krijimin e saj?

Sigurisht që mendoj se ka ardhur momenti për të menduar për një të ardhme të afërt e të largët, pra për një të ardhme të plotë. Në këtë ardhmëri unë kam si shembull prindërit e mi.

Sa janë fëmijët pjesë plotësuese e saj? Sa do të dëshironit të kishit, të cilës gjini dhe pse?

Fëmijët janë një lumturi e madhe, janë një bekim nga Zoti. Një familje pa këtë “bekim” mund të quhet fatkeqe. Unë mendoj që dhuratat në çdo rast janë të mirëpritura, sidomos kur ato t’i dërgon Zoti dhe kështu nuk mendoj që rreth kësaj teme të bëj një planifikim për sasinë apo gjininë. Në çdo rast një fëmijë është i adhurueshëm.

Ju thoni se familja është një mbështetëse e fortë e iniciativave të tua. Aty ku është familja, çdo gjë është e sigurt. Konkretisht sa ju ka mbështetur familja juaj?

Familja ime më ka mbështetur në gjithçka. Unë tashmë trashëgoj një sipërmarrje të krijuar nga familja ime, që do të thotë se suksesi im i ka rrënjët aty.

Ju vini nga një familje me traditë, e konsoliduar. Sa ka ndikuar në jetën tuaj në të gjitha aspektet? Është ajo modeli i vyer prej së cilës keni përftuar atë që ju përfaqëson sot?

Unë vij nga një familje intelektuale. Profesion të parë kam stomatologjinë të trashëguar nga mamaja ime, megjithëse kam mbaruar edhe fakultetin e farmacisë. Im atë ka punuar si ekonomist. Suksesi i tyre në jetë ka projektuar në njëfarë mënyre suksesin tim të tashëm, duke e bërë të tashmen dhe të ardhmen tonë.

***

Flasim për profesionin. Puna, jo vetëm si mjet jetese, por si një mënyrë për të arritur ambiciet personale. Ju thoni se është fat të bësh punën që do! Sa e vërtetë është gjithë kjo?

Kjo pyetje nuk ka nevojë për përgjigje. Unë realisht rregulloj dhëmbë. U dhuroj njerëzve një buzëqeshje të bukur.

Po shoqëria sa është pjesë e përditshmërisë, por edhe përkufizim i jetës tuaj? Keni ju shumë miq, apo pak dhe saktë.

Miqësia është një grumbull rrathësh dhe ti je në qendër të tyre. Sa më rreth i ngushtë të jetë, aq më i afërt është ai që ndodhet në perimetrin e tij. Këta rrathë nuk interferojnë me njëri-tjetrin, por mund të bashkëjetojnë qetësisht. Mik për kokë për mua është ai tek i cili beson dhe nuk zgjedh ndodhitë dhe fjalët për t’u shprehur, por rrëfehesh si tek prifti.

1

Botuar në revistën Psikologjia, qershor 2015

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top