Pushimet në fakt nuk kanë mbaruar ende, megjithatë, njoftimi se më 25 gusht filloi shpërndarja e librave shkollorë, i vë fëmijët, por edhe prindërit para mendimit të rifillimit të shkollës. Kjo rutinë, pas një periudhe të gjatë pushimi dhe kohe të lirë, nuk është gjithmonë e lehtë.
Disa e presin me entuziazëm këtë periudhë, pasi do të takohen me shokët e klasës, por për disa të tjerë rikthimi në shkollë është dekurajues. Për ta bërë sa më të lehtë rikthimin në shkollë, psikologia Adelina Pjetra sugjeron disa këshilla për prindërit dhe mësuesit, të cilët bashkëshoqërojnë fëmijët në rrugëtimin e dijes.
Nga Anisa Xhani (Daci)
Sa i vështirë është rikthimi në shkollë për fëmijët?
Prindërit vetë mund të jenë pak nervozë për ditën e parë të shkollës, veçanërisht nëse ata po e dërgojnë fëmijën e tyre në shkollë për herë të parë, ose nëse fëmija i tyre do të ndjekë një shkollë të re. Riorganizimi i kohës, zgjimi herët në mëngjes, nxitimi për të kapur orarin e fillimit të mësimit, shpenzimet ekonomike dhe shumë të tjera bëjnë të ndihesh nën presion dhe ta përjetosh shumë emocionalisht rifillimin e një viti të ri akademik. Jo në pak raste shprehja e shqetësimit nga ana e prindërve për fillimin e shkollës, përcjell ankth edhe te fëmijët, pasi fëmijët modelojnë nga mënyra sesi prindërit i përballojnë situatat dhe ngjarjet e reja në jetë. Edhe fillimi i shkollës është një ngjarje e tillë. Edhe nëse pushimet e tyre verore kanë qenë të mbushura me aktivitete të shumëllojshme apo me ankesa se janë mërzitur dhe se nuk kishin asgjë për të bërë, fëmijët shpesh e kanë të vështirë të kalojnë lehtë tranzicionin e rikthimit në shkollë. Ashtu siç ndodh me çdo situatë të re ose potencialisht shqetësuese – si fillimi i shkollës për herë të parë ose hyrja në një klasë të re, apo shkollë të re – duhet të lejoni që fëmijët të përshtaten, duke i kujtuar atyre që të gjithë ndihen pak nervoz rreth ditës së parë të shkollës dhe se gjithçka do të normalizohet dhe do të kthehet në një rutinë të përditshme në shumë pak kohë.
A përjetojnë ankth fëmijët me fillimin e shkollës?
Megjithëse është normale që të jenë pak ankthioz ashtu siç ndodh në çdo situatë të re, disa fëmijë zhvillojnë simptoma të vërteta fizike, të tilla si dhimbje koke ose dhimbje stomaku, që lidhen me fillimin e shkollës. Nëse jeni të shqetësuar se ankesat e fëmijës suaj shkojnë përtej lëkundjeve normale që ndodhin me rifillimin e shkollës, ju duhet të flisni me mjekun, mësuesin ose psikologun e shkollës.
Çfarë masash duhet të ndërrmarrë prindi, që fëmija mos ta përjetojë keq?
Është e këshillueshme që prindërit të theksojnë gjërat pozitive në lidhje me kthimin në shkollë, të tilla si takimi dhe qëndrimi me miqtë e vjetër, takimi me shokë të rinj të klasës, blerja e materialeve të reja shkollore, përfshirja në sport dhe aktivitete të tjera. Është gjithashtu e rëndësishme të flasësh me fëmijët për atë që i shqetëson ata dhe t’i ofrohet siguri: A kanë frikë se nuk do të bëjnë miq të rinj apo të bashkëpunojnë me mësuesit e tyre? A është thjesht mendimi për detyrat e shkollës që i frikëson ato? A janë ata të shqetësuar për bullizmin nga viti i kaluar?(nëse kanë pasur episode apo ngjarje bullizmi në shkollë)
Prindërit duhet të marrin në konsideratë të përshtasin oraret e tyre të punës për ta bërë këtë tranzicionin më të lehtë. Nëse është e mundur, është veçanërisht e dobishme që prindërit të jenë në shtëpi në fund të ditës së shkollës për javën e parë. Por shumë nëna dhe baballarë që punojnë nuk e kanë këtë fleksibilitet. Në vend të kësaj, prindërit duhet të përpiqen të organizojnë mbrëmjet e tyre në mënyrë që t’u japin fëmijëve aq kohë sa kanë nevojë, veçanërisht gjatë këtyre ditëve të para të shkollës. Nëse fëmija juaj po fillon një shkollë të re, kontaktoni shkollën para ditës së parë për të organizuar një vizitë. Dhe pyesni nëse fëmija juaj mund të shoqërohet me një nxënës tjetër, ose “shok” dhe nëse mund të lidheni me prindërit e tjerë të rinj. Kjo do t’ju ndihmojë të dyve me përshtatjen me ambientin dhe njerëzit e rinj.
Si t’i ndihmojmë fëmijët për të lehtësuar rikthimin në shkollë?
Për të ndihmuar në lehtësimin e shqetësimeve të rikthimit në shkollë përpiquni të kaloni fëmijët në një rutinë të vazhdueshme të orarit për të fjetur gjumë më herët pak javë përpara fillimit të shkollës.
Gjithashtu sigurohuni që ata:
- Të flenë mjaftueshëm (të vendosësh një orar të arsyeshëm kur duhet të flejnë në darkë, në mënyrë që ata të kenë pushuar mirë dhe të jenë të gatshëm për të mësuar në mëngjes)
- Të marrin një mëngjes të shëndetshëm (ata janë më të vëmendshëm dhe janë më produktiv në shkollë nëse hanë një mëngjes të mirë çdo ditë )
- Përdorni një kalendar muri ose një axhendë personale për të regjistruar kur janë të caktuara detyrat, kur do të jepen teste, do të mbahen praktika jashtëshkollore dhe provimet, etj.
- Mbajini të organizuar dhe të bëjnë gati gjithçka çfarë ju nevojitet për të nesërmen që një natë më parë (detyrat e shtëpisë dhe librat duhet të futen në çantë dhe rrobat për të nesërmen duhet të jenë gati dhe të vendosen në dhomat e tyre të gjumit )
Po mësuesit si duhet të sillen për të krijuar një ambient sa më social në klasë?
Shumica e mësuesve e fillojnë vitin shkollor duke prezantuar veten dhe duke folur për të gjitha gjërat që fëmijët do të bëjnë atë vit shkollor. Disa mësues u japin nxënësve një mundësi për të treguar diçka për veten e tyre që të njihet edhe nga pjesa tjetër e klasës. Është e këshillueshme që fëmijët të arrijnë të shprehin emocionet e tyre për fillimin e vitit të ri akademik, përjetimet dhe shqetësimet e tyre. Mund të kuptojnë që nuk janë të vetmit që ndjejnë pak ankth dhe shqetësim, mund të marrin mbështetje dhe orientim nga mësuesja dhe të ndihen të dëgjuar dhe të vlerësuar. Do rekomandoja që javën e parë të shkollës mësuesit të fokusohen më tepër në krijimin e marrëdhënieve mes nxënësve me njëri-tjetrin dhe nxënës-mësues, që të ndihen që i përkasin atij grupi dhe që do jenë mbështetje për njëri-tjetrin gjatë gjithë vitit shkollor. Dhënia e detyrave të shtëpisë dhe ngarkesa mësimore mund të induktohet ngadalë në javën e dytë të shkollës. Vendosja e komunikimit dhe mbështetja emocionale për nxënësit në fillimin e vitit të ri akademik, do ishte një nga hapat apo ndërhyrjet më të vlefshme që mund të ofrojë një mësues për nxënësit e tij. Gjithashtu është e rëndësishme që mësuesit të kenë njohuri për çdo fëmijë. Se si një fëmijë mëson; psh fëmijët me ADHD duhet të ulen në pjesën e përparme të klasës , dhe një fëmijë me probleme shikimi duhet ulur sa më pranë tabelës së zezë. Kjo do siguronte një mbarëvajtje më të efektshme të një ore mësimore dhe do të reduktonte konfliktet apo problemet gjatë mësimdhënies.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.