Në fokus

April 4, 2016 | 8:25

Intervista/Ben Blushi: Nën pushtetin e fjalës

1Një armë si “fjala” ai di ta përdorë me mjeshtëri, ta hedhë në eter apo ta shkruajë në letrën e bardhë. Sqimëtar gjithashtu është, kur kërkon t’i japë pak vlerë letrare dhe banalitetit të zakonshëm të jetës njerëzore. Kryqëzohen në trillin e tij personazhe të anatemuar me histori groteske, ironi fatesh e ngarkesa emotive, e gjithashtu përfshihen gjithfarë emra konkretë me fytyra të tjetërsuara. Janë veç personazhe fiksion të një romani. Dhe pasi në kopertinën e librit është sigluar gjinia e krijimtarisë, nuk ka të drejtë kush ta akuzojë për heqje paralelesh, trillim të fakteve reale e për më tepër ta çojë në “bankën e të akuzuarve” për këtë mëkat letrar. Është letërsi dhe duket se më shumë se kaq as që mund të gjykohet dot. Ben Blushi vjen sërish në shtratin e tij, me një tjetër roman, pasi më parë se kaq u tundua të bënte një sprovë plot dilema parashikimesh. Ndodhi këtë herë që synopsusi të hidhej me shpejtësi të habitshme. Vetëm pak javë u deshën që gjithçka të merrte formën e librit. Një laps hyri në punë, por dhe një tastierë tableti apo telefoni portativ. Prirja për t’u zbrazur ndonjëherë bëhet më e shpejtë se vetë koha. Dhe Blushi këtë herë na sjell një histori politike si për të na kujtuar se edhe pse mungoi ca kohë në seanca e punimeve në Kuvend, ai është pjesë e tij, një i zgjedhur deputet. Por Blushi nuk ka drojë që përmes ironisë, të vërë në lojë gjithë sistemin legjislativ të Shqipërisë, qeverinë qendrore, por më së shumti qeverisjen lokale. Fshikullon fenomenet që tanimë janë shtruar këmbëkryq në jetën politike, premtime shtetarësh që nuk mbahen kurrë, dhe pasurimin e tyre në një mënyrë të frikshme. Fill pasi ka përdorur ambicien letrare për t’ia kundërvënë pasionit të tij të dytë, politikës, ai s’do të bënte gjë tjetër për t’u relaksuar, veç të bënte babain për tre fëmijët e tij dhe të merrte një shëtitje të gjatë në natyrë. Ben Blushi futet sërish në sallën e Kuvendit si shkrimtar, dhe pse siç thotë vetë ai do të donte t’i bënte të dyja, ndoshta më pak të parën dhe më shumë të dytën. E ndoshta në luftën e tij të vazhdueshme në politikë, si një opozitar me opozitën por dhe me të tijtë njëkohësisht, mendon se fjala e shkruar mbetet më gjatë se ajo që hedh nga foltorja e Kuvendit.

Në një hark kohor 7-vjeçar vini me një titull të ri, që shënon dhe librin tuaj të pestë. Si erdhi ky roman? Ishte një shpërthim i brendshëm krijues apo i ngacmuar në rrethana të tjera?

Ky roman nuk bën ndonjë ndryshim nga librat e tjerë që kam shkruar. Nuk ka ndryshim nga librat që botojnë shkrimtarët në përgjithësi dhe ti jeton duke menduar se si do të shkruash çdo ditë. Sigurisht që ky roman u ngacmua një çikë ndoshta dhe nga zgjedhjet e fundit lokale, ku pashë se një pjesë e madhe e kandidatëve ishin krejtësisht të papërshtatshëm. Duke i vënë në pozitën e një njeriu që i duhet të zgjedhë mes një apo më shumë kandidatëve të papërshtatshëm dhe e ka shumë të vështirë të zgjedhë, mendova se njerëzit janë përpara një alternative të pamundur; që ti t’i detyrosh të zgjedhësh një njeri që politikisht mund të jetë i vdekur. Kështu lindi ky libër, që merr përsipër të tregojë sesi një “i vdekur” fiton zgjedhjet.

Libri ka një gjuhë provokuese, ironike, ka sarkazëm rreth shoqërisë, historisë dhe individëve të ndryshëm.

Pse gjithë ky mllef? Nuk është mllef. Kjo është një mënyrë të shkruari. Në qoftë se bëjmë një test në Shqipëri, njerëzit e pakënaqur nga ky realitet do të jenë më shumë se ata që janë të kënaqur, besoj. Dhe, në qoftë se shumica e shqiptarëve janë të pakënaqur, do të thotë se ka arsye për ta kritikuar gjendjen ku ndodhemi. Pra, të predikosh nuk është as inat dhe as mllef. Unë kam zgjedhur një gjuhë artistike dhe kam krijuar disa personazhe, të cilët mund të ngjajnë me personazhe realë. Të jeni të bindur se personazhet realë, ndoshta janë më keq se sa personazhet e librit tim.

Ju thoni se “Kandidati” është trill artistik, por me sa më ka lënë të kuptoj, për sa edhe unë e njoh Elbasanin, personalisht më lidh me ngjashmëri reale. Unë e mendoj kështu, por ju pohuat në TV të kundërtën: Jeni frymëzuar nga rrethanorë të tillë nga ku keni ndërtuar arketipin tuaj në vepër. Pse morët si vendngjarje Elbasanin, duke përdorur dhe krahasime që njerëzit i kanë keqkuptuar në disa raste, ndryshe nga ç’janë në të vërtetë? Madje keni përdorur dhe një armë të fuqishme të tyren, ironinë?

Unë jam vetë pak elbasanlli, kështu që nuk bëj përjashtim. Duke qenë pak elbasanlli nga nëna, kjo nuk është se më jep të drejtë më shumë se kushdo tjetër të gjykojë apo të merret me këtë qytet, por natyrisht që aty ke shumë arsye ti dhe kushdo tjetër që të besojë se flas për Elbasanin. Megjithatë, kini parasysh që është një vepër letrare, e cila ndërtohet në fund të fundit mbi imagjinatën dhe merr personazhe nga jeta e ditës që u ngjajnë personazheve të vërtetë ose janë personazhe realë që unë i kam përdorur me emrat e tyre, siç është rasti i dikujt që ka vdekur përpara luftës ose mbas saj.

Nuk ka ndikuar fare fakti që jeni deputet i këtij qyteti?

Jo, fare. Siç jua shpjegova, krijimi artistik merr përsipër të përshkruajë se si zhvillohen zgjedhjet në një qytet në kushtet kur njëri nga dy kandidatët për kryetar bashkie ka “vdekur” dhe nuk mund të merresha me dy qytete se zgjedhjet nuk zhvillohen në dy qytete njëkohësisht. Flas vetëm për një qytet.

Bashkë me romanin riktheheni në Parlament, ku nuk keni qenë pjesëmarrës për disa kohë, duke nënvizuar se keni munguar në disa mbledhje të grupit të PS, si dhe në Parlament. Ngacmimet e para të kolegëve tuaj u referuan sigurisht në një trajektore përmes medias, ndërkaq ju vetë keni një koment?

Unë besoj se nuk janë habitur me rikthimin tim në Parlament, sepse unë prej 14 vjetësh jam pjesë e tij dhe nuk jam nga ata që mungoj me sezone. Për më tepër, nuk besoj se janë habitur nga unë që kam shkuar i veshur gjithmonë normalisht dhe pa kapele kaubojsi. Nuk besoj se kam rënë në sy. Natyrisht që, si dhe shumë të tjerë, edhe unë kam mungesat e mia. As në shkollë nuk kam qenë nxënës shumë i rregullt apo shumë i disiplinuar. Në Parlament ka pasur raste që nuk kam qenë, por në përgjithësi shkoj. Unë jam një njeri aktiv atje.

A është “Kandidati” një mesazh për politikën shqiptare? Dashur pa dashur, ky besoj se është dhe qëllimi juaj?

Qëllimi im është të bëj një letërsi që më pëlqen mua. Unë nuk bëj letërsinë që u pëlqen të tjerëve. Në radhë të parë duhet ta pëlqej vetë. Në momentin që më pëlqen vetë dhe e shijoj, vendos ta botoj. Unë kam dhe gjëra që s’i botoj dhe nuk kam për t’i botuar kurrë. Pra, qëllimi nuk është që t’i jap mesazh dikujt, një politikani apo një klase politike. Por, sigurisht, në qoftë se aty ka nuanca që përshkruajnë klasën politike dhe deformimin elektoral që ndodh në Shqipëri apo mënyra sesi në disa raste media, e manipuluar vetë, manipulon zgjedhësit, këto janë gjëra që i kam rrëfyer në një libër. Nuk besoj se pyetja qëndron mbi mua se pse e kam bërë. Megjithëse është letërsi, nuk është realitet iluzor. Janë gjëra që në Shqipëri ndodhin. Nuk besoj se ka njeri të më kundërshtojë që kjo ndodh në Shqipëri, që ne votojmë për të “vdekurit”, që të “vdekurit” në shumë raste kanë pasur të drejtë vote, që klasa politike nuk po i jep Shqipërisë atë që pritej, që pakënaqësia është shumë e madhe për sa kohë ka shumë emigracion, shumë dëshpërim tek të rinjtë, shumë varfëri, shumë pabarazi, shumë padrejtësi dhe sigurisht më mirë që një shkrimtar të merret me këto apo të merret me tingullin e zogjve?! Mendoj se një shkrimtar militon në shoqëri dhe, në qoftë se bën sikur nuk sheh, çfarë ndodh?! Pastaj ai nuk është në rolin e vet.

Njiheni si personi më kundërshtar brenda partisë suaj. Çfarë nuk ju ka pëlqyer deri më sot nga lëvizja politike që përfaqësoni dhe çfarë do të dëshironit të ndryshonte?

Unë mendoj se ka shumë gjëra për të ndryshuar, por siç nuk mendoj që kjo intervistë duhet të ketë këtë nuancë. Ka gazeta të tjera politike që mund ta konsumojnë.

Nëse do të ishit kryeministër, çfarë do të bënit ndryshe?

Nuk i përgjigjem kësaj pyetjeje. Unë nuk i përgjigjem kurrë një pyetjeje me sikur. Flas për gjërat që bëj dhe atë që jam vetë.

Cila është marrëdhënia juaj me kryeministrin Edi Rama?

Besoj se nuk ka asnjë interes për këtë lloj pyetjeje.

Po me kolegët e tjerë brenda grupit? Ju jeni vetë pjesë e politikës, por në këtë 25-vjeçar si ju duket përfaqësimi i saj?

I meritojnë shqiptarët ata që i kanë votuar, apo pjesa më e madhe pa vetëdije nuk di kë ka zgjedhur, apo të tjera interesa janë? Nuk kam qejf që në një revistë me karakter socio-psikologjik të merrem me një intervistë politike, por po ju them që përfaqësimi i klasës politike shqiptare është më i rëndomti në 25 vjet. Parlamenti i Shqipërisë, në disa raste, ka pasur shumë komunistë ose shumë pseudo-demokratë, por kaq shumë injorantë nuk ka pasur asnjëherë. Kjo është kategoria që na rëndon ndoshta më shumë sot.

Do ta ndiejmë edhe më gjatë rrugës…

Kam frikë se po.

Më pëlqeu një mesazh i juaji në një intervistë televizive. I ftuat shqiptarët të mos largohen nga vendi i tyre, por gjithashtu iu drejtuat që të durojnë edhe për një afat 3-vjeçar. Kjo ishte dhe si një thirrje drejtuar qeverisjes së majtë për të ndryshuar performancën. Pra ju prireni nga një qëllim i mirë, por edhe një shpresë nga qeverisja se ka kohë në dispozicion për t’ia dalë mbanë të fitojnë dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare? Besoni në këtë?

Kjo nuk ka të bëjë fare me qeverinë. Absolutisht, jo. Kam thënë që më vjen shumë keq që shqiptarët po ikin në masë. I mirëkuptoj dhe shumicën e tyre e justifikoj, sepse janë njerëz që po i ikin padrejtësisë dhe varfërisë, pabarazisë dhe grabitjes dhe indiferencës totale të shtetit. Prandaj janë të justifikueshëm. Nuk ikin për qejf. As për luks. Ikin nga varfëria. Unë kam thënë se do të ishte mirë të ishin këtu edhe për disa vjet, sepse unë besoj që, edhe për disa vjet, ne mund të gjejmë një zgjidhje apo t’u japim një kthesë punëve tona. Në qoftë se nuk e arrijmë, pastaj do të jetë shumë vonë. Pse them për disa vjet? Sepse në qoftë se zbrazja e Shqipërisë do të vazhdojë me këtë ritëm që ka nisur 100-150 mijë veta në vit, imagjinoni që për 10 vjet mund të ikin një milion veta. Dhe, në qoftë se njerëzit ikin nga Shqipëria, shpresa jonë për ta ndryshuar Shqipërinë do të jetë gjithnjë e më e vakët. Dhe e besoj këtë gjë.

Flasim për kryeqytetin, i cili ofron më shumë material besoj për trille artistike? Pas “Basenit”, qëndron në skedarët tuaj të radhës ndonjë subjekt si “Tir’on-a”?

Nuk e di, s’e krahasoj dot. Unë nuk flas për gjërat që kam ndër mend të shkruaj. Mund të jem pak bestyt, por nuk e bëj kurrë këtë gjë. Derisa s’e kam mbaruar një gjë që e kam shkruar, nuk e tregoj.

Me këtë rast, si po ju duket Tirana?

Tirana është një qytet që unë e njoh shumë mirë, sepse këtu kam lindur dhe këtu kanë lindur fëmijët e mi. Është qytet që unë gjithmonë do ta dua, pavarësisht se vjen duke u shëmtuar përditë. Në Tiranë, njerëz si puna ime që kanë lindur këtu mësohen me shëmtinë dhe janë të pafuqishëm ta ndalin. Nuk është se Tirana ka qenë një qytet shumë i bukur, por ka qenë shumë i dashur për shkak të kushteve, rrethanave. Ndihem i pafuqishëm, sepse e kam të pamundur të ndaloj se po shëmtohet.

A e keni një mesazh konkret?

Unë nuk kam ndonjë mesazh. Mendoj se qyteti mund t’i japë Shqipërisë pak më shumë, të rrezatojë pak më shumë harmoni. Në fakt, Tirana sot është bërë një qytet shumë i egër, qytet shumë i vështirë për të jetuar, në rast se nuk je një njeri i motorizuar. Në qoftë se je një fëmijë apo i moshuar le të themi, ky qytet është i armiqësuar me ty. Ky qytet do vetëm ata që kanë lekë dhe kjo nuk mund të vazhdojë. Është një xhungël për kafshë shumë të buta, siç janë shumica e qytetarëve të Tiranës.

Cila është marrëdhënia që keni me historinë, duke qenë se prirja juaj ndihet dukshëm artistikisht edhe në veprat që keni shkruar?

Më pëlqen shumë historia dhe, sigurisht, duke mos qenë as historian, as profesionist, por vetëm një amator, lexoj herë pas here histori, në faza të ndryshme. Para disa vitesh lexoja shumë histori bizanti, të Perandorisë Osmane. Tani lexoj histori të një kohe pak më të re. Pavarësisht se jam një njeri që përgjithësisht nuk mbaj mend, pra mbaj mend fenomene, por jo data apo detaje historike, kur shkruaj përpiqem ta përdor historinë për subjektet që zgjedh. Dhe këtë e kam bërë dhe është një nga gjërat që njerëzit në disa raste ma kanë marrë për mirë, sepse kam marrë personazhe historikë, madje i kam futur në një kontekst që ndoshta ata nuk kanë qenë. Këtë s’e kam bërë për t’i rënduar, për të rishkruar fatet e tyre, por e kam bërë vetë. E kam bërë në funksion të një ideje.

Në letërsinë tuaj ju prireni të gërshetoni pa fund periudha të ndryshme të historisë dhe personazheve të jetuar gjithaq në kohë të ndryshme. A ju duket e drejtë, pavarësisht nga trilli, që letërsia t’i bjerë në qafë historisë në këtë mënyrë?

Siç thashë dhe më sipër, unë kam përdorur personazhe historikë në librat e mi. Nuk dua të përmend ndonjë emër shqiptar se ma marrin për ters, por për shembull Otellon, një personazh i famshëm i Shekspirit, ashtu si Hamleti, Makbethi, Romeo e Zhuljeta që janë ikonat e letërsisë botërore. Unë e kam bërë me qëllim. Çfarë kam bërë me Otellon? Ai, duke qenë personazh sa letrar aq edhe historik në një kuptim, e kam marrë dhe e kam sjellë në Shqipëri, ndërkohë që ai s’ka qenë asnjëherë se ishte komandant në Venedik në vitin 1600. Unë e kam sjellë në Vlorë; ai nuk ka ardhur në Vlorë. Otello origjinal i Shekspirit është i moshuar, 50-60 vjeç ndoshta dhe i pasur, komandant. Kurse Otello im, që kam sjellë në Vlorë është i varfër, është jetim, është i ri dhe skllav. Pra, e kam marrë këtë gjë dhe e kam ndryshuar. Është njësoj sikur të shkosh në Romë apo në Venecia dhe të blesh një mobilie e ta sjellësh në shtëpi, ta pastrosh, t’i japësh një lustër. Kjo është komplet një tekë, një kapricio letrare, të cilën e kam bërë për të treguar se sa Otello ka sot Europa. Njerëz që vijnë nga një kontinent tjetër, me ngjyrë, të poshtëruar, të përçmuar, njerëz që nuk integrohen dot dhe njerëz me të cilët do të duhet të fillojmë të mësojmë të jetojmë se si do të na vinë dhe ne në Shqipëri pas pak orësh, sepse kjo kriza e refugjatëve në Siri, çfarë do të sjellë? Do të sjellë në Shqipëri njerëz ndryshe nga ç’jemi ne, me të cilët do të duhet të mësohemi të bashkëjetojmë, se s’ka rrugë tjetër.

Dalja e romanit tuaj në prag të panairit të librit është e planifikuar nga ana juaj apo kemi të bëjmë me një rastësi?

E kam shkruar shumë shpejt këtë libër, por është mirë që do të jetë dhe në panairin e librit, pasi ai është një mundësi e madhe për të komunikuar me njerëzit, edhe për shkak se rrjeti i librarive dhe infrastruktura e librarive në Shqipëri është cenuar rëndë këto 20 vitet e fundit. Shumica e librarive, jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe janë kthyer në dyqane kozmetike apo celularësh. Njeriu e ka shumë të vështirë të jetë në raport me librin. Pra, kini parasysh dhe një fakt tjetër: libri sot konkurrohet shumë keq në dëmin e vet nga televizori, teknologjia në përgjithësi dhe të shkosh në librari është një sforco që besoj se jo shumë njerëz janë të gatshëm ta bëjnë. Panairi i librit e jep këtë mundësi. Është një vitrinë shumë e madhe libri, ku njerëzit hyjnë dhe kthehet në një festë libri. Mbase përkon. Mua më vjen shumë mirë që do të jem në panair këtë vit me këtë botim.

Flasim për gjuhën, komunikimi dhe të investuarit, duke qenë se degëzimet tuaja trashëgojnë të njëjtat interesa. Politika dhe gazetaria ku ju keni qenë pjesë përbërëse, si qëndron te ju? Ju keni qenë në këto dy fusha ku standardi i shqipes është shndërruar në banalitet. Shqipja juaj në çfarë pozicioni qëndron?

Unë nuk mund të bëj vlerësim për shqipen time. E di që ka shumë njerëz që, me siguri, mendojnë se shqipja ime nuk është ajo që duhet. Unë përpiqem të shkruaj gjuhën që njerëzit komunikojnë sot. Besoj që një letërsi, e cila do një gjuhë që njerëzit nuk e përdorin, nuk u thotë gjë atyre. Në qoftë se sot kthehemi pas në kohë, lexojmë autorët e viteve ’30–’70 jam i bindur që fëmijët e sotëm të moshës mbi 10 vjeç e kanë të vështirë t’i kuptojnë për shkak të gjuhës. Nganjëherë, gjuha kthehet në një mani të vetme. Unë nuk e kam këtë gjë. Unë kërkoj të përdor gjuhën që njerëzit lexojnë dhe përdorin në komunikimin e tyre normal.

Letërsia shqiptare si ju duket se ka ecur, në prurjet e reja ka tërheqje të mira sipas jush? Keni ndonjë emër që ju ka bërë për vete?

Nuk e kam zakon të flas për kolegë. Nuk më shkon kjo gjë, por besoj se letërsia shqipe mbas një kohe tronditjeje normale tranzicioni, ku çdo gjë në Shqipëri u fut në tranzicion. Me përjashtim të korrupsionit pas vitit ’91, gjithçka kaloi në tranzicion. Letërsia, shkenca, sporti, arti, qeverisja… dua të them që dhe letërsia pati tranzicionin e vet. Mori tronditje, sepse kur gjërat ndryshuan, ata që shkruanin natyrisht që nuk mund të mendonin. Dolën në një habitat të ri. Besoj se sot letërsia shqipe po e merr pak veten. I thotë diçka lexuesit. Unë them që ka letërsi, sepse kemi pasur vite që nuk ka pasur fare. Tani, mirë apo keq, kemi letërsi.

Ju si Ben niseni nga letërsia për të bërë letërsi apo niseni nga politika për të bërë letërsi?

Ma bëjnë gjithmonë këtë pyetje. Është njësoj sikur një zonjë që shkon në punë dhe bën edhe punët e shtëpisë. Ajo i bën të dyja dhe askush nuk i thotë “si i bën këto të dyja?”. Dhe shkrimtarët në përgjithësi nuk lindin shkrimtarë. Ti në përgjithësi ke një profesion tjetër dhe pastaj bëhesh shkrimtar. Pra, mund të jesh inxhinier, arkeolog, muzikant, sportist, jurist. Nuk ka shkollë për shkrimtari. Politika ishte një nga profesionet e mia, por sigurisht jo më i dashuri. Shkruaj në kohën time të lirë, në disa raste, sigurisht, duke i rënë në qafë politikës dhe mirë bëj besoj.

Flasim për diçka tjetër. Ju jeni shprehur publikisht se gjenet nuk janë ata që ndikojnë në formimin në proces të njeriut, ndërkohë që shkenca e vërteton se ato janë çelësi kyç?

Unë nuk e kundërshtoj shkencën. Unë kam mendimin tim. Besoj se shoqëria ndikon më shumë te gjeni, tek ajo çka bën apo çka është njeriu. Unë nuk kam thënë që diabeti është gjenetikisht i transmetueshëm apo nuk kam thënë që tensioni mund të mos jetë gjenetikisht i transmetueshëm. Kam folur vetëm për raportin e njeriut me shoqërinë, që në një kuptim përkthehet si inteligjencë. Pra, aftësia e njeriut për të menduar normalisht dhe për të krijuar gjëra të mira. Këtë e përkufizoj pak a shumë si inteligjencë, por nuk është tamam dhe besoj se inteligjenca nuk trashëgohet gjenetikisht, kështu që shoqëria ndikon më shumë se gjeni, në aftësinë e njeriut për të menduar drejt dhe për të qenë i vlefshëm.

Sa rol ka luajtur në formimin tuaj familja? Për çfarë i jeni mirënjohës?

Absolutisht i jam mirënjohës, sepse në familjen time kam mësuar të shkruaj, përveç të tjerave. Shumë njerëz në familjen time, mbase nuk do të donin që unë të shkruaja, sepse kjo është një torturë për çdo njeri që e bën. Nuk është gjithmonë aq e bukur sa duket. Por unë jam mësuar që i vogël të shoh pothuajse gjithë burrat e familjes sime që shkruanin. Sikur të mos bëja si ata, nuk do të isha shumë funksional. Fati e deshte që këtë aftësi ta rifitoja me kohë. Ju mund të thoni që është gjenetike. Nuk e di.

Po familja juaj sa ju ka mbështetur në investimin akademik dhe krijues, në atë të të qenit një individ me vlera, model që duhet pranuar, i duhet shtuar më shumë shoqërisë sot mentaliste akoma.

Unë shkruaj libra dhe këtë gjë e bëjnë shumë njerëz. Nuk ka ndonjë gjë për të kapërcyer kufijtë e modestisë. Mund të ketë dhe njerëz që bëjnë libra shumë të mirë dhe nuk i botojnë, se s’kanë gjetur pasqyrën e duhur ose lenten e duhur, më saktë, por pa dyshim unë i jam shumë mirënjohës familjes sime që më jep mundësinë dhe më frymëzon akoma të kem mundësi të shkruaj.

Marrëdhënia me fëmijët tuaj, kanë trashëguar ata nga babai?

Unë jam shumë i lumtur për ata të tre dhe qetësia e mirësia e tyre më bën dhe mua njeri më të mirë, sepse nuk është e vërtetë që për shkak të prindërve fëmijët të bëhen njerëz të mirë. Është po ajo tezë dhe e kundërta që prindërit të bëhen njerëz të mirë për shkak të fëmijëve. Kështu është dhe rasti im dhe besoj dhe i shumë të tjerëve. Përpiqem të jem njeri më i vlefshëm, më i mirë, kryesisht dhe jo vetëm kryesisht për shkak të fëmijëve të mi.

Jeni baba tradicional apo modern?

Nuk i përgjigjem dot kësaj pyetjeje. Unë jam një baba si gjithë baballarët e brezit tim. Çdo brez ndryshon teknikë nga një brez paraardhës kur vjen puna te prindërimi, por qëllimi është po ai: të rrisësh një fëmijë të edukuar dhe të mbarë.

A jeni ju babai autoritar, tolerant apo miku që komunikon duke iu përshtatur moshës së tyre?

Fëmijët e mi janë tolerantë me mua. Kjo është e vërtetë.

Përtej letërsisë dhe politikës, cilat janë pasionet tuaja?

Pasionet e mia janë të dal në natyrë. Më pëlqen kjo gjë.

Cila do të jetë lëvizja juaj e radhës, një ndryshim brenda politikës apo një roman i ri?

Do të isha me fat sikur t’i bëja të dyja, por kjo është një gjë që nuk e parashikon dot. Do të kisha shumë qejf t’i bëja të dyja. Pra, të shkruaja më shumë dhe të bëja pak më shumë politikë. Por asnjëherë mos thuaj kurrë dhe asnjëherë mos thuaj çfarë do të bësh nesër.

Botuar në revistën Psikologjia, nr 102

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top