Dëshmi

August 8, 2018 | 8:45

Irena Beqiraj / Nëse do të jesh e lumtur, bëj të tjerët të lumtur

Shkollimi është çelësi i suksesit në jetë për çdo femër, sepse gratë, duam apo s’duam, nuk i kanë të gjitha të drejtat e pretenduara. E për këtë arsye lufta e tyre është e vazhdueshme, qoftë në rritjen e rolit të vetes në shoqëri, po ashtu dhe të emancipimit të burrave, që duket se është një gjë e vështirë dhe kërkon jo pak kohë. Irena Beqiraj, me një karrierë jo të pakët në administratën shtetërore dhe së fundmi këshilltare e kryeministrit të vendit, thotë se: “Nëse rrugëtimi i një gruaje për të realizuar dëshirat, drejtohet nga parimi i pavarësisë dhe lirisë, vetë-përmbushja është e sigurt”. Ndaj ajo është partizane e mendimit se pavarësia dhe liria ushqejnë vetë-respektin.

Edhe pse shprehet se gratë përgjithësisht udhëhiqen nga parimi: “Nëse do të jesh e lumtur, bëj të tjerët të lumtur”, ajo nuk e mendon të pranojë konformizmin, qoftë dhe për ta mbajtur të papërlyer sentencën biblike. Për karakterin e saj të fortë Irena thekson se i thotë gjërat troç, atë që mendon që është e drejtë, me një gjuhë të mprehtë e të pa rrumbullakosur, njëlloj si dhe rininë e saj të vrullshme. Asgjë nuk ndryshon, për hir të një karriere, karrigeje apo pozicioni politik e shoqëror.

Si e shikoni rolin e femrës në shoqërinë tonë, sfidat me të cilat ajo përballet?

Në mitologjinë greke përshkruhet se qenia njerëzore, si fillim u krijua me katër këmbë, me katër duar dhe një kokë me dy fytyra. Duke pasur frikë nga fuqia e kësaj qenieje, Zeusi e ndau atë në dy pjesë, duke i detyruar ato të kalonin gjithë jetën e tyre në kërkim të gjysmës tjetër. Një mesazh i qartë ky se si duhet të ishte marrëdhënia burrë-grua, e cila është themeli i shoqërisë njerëzore. Asnjë dominim, asnjë supermaci, por thjesht komplementarë dhe në krah të njëri-tjetrit. Tërësisht ndryshe është realiteti. 

Bota, megjithëse në dukje, në ekuilibër perfekt, nuk është bota që do të donim të ishte. Sot gratë duhet të punojmë dhe përpiqen shumë më shumë se burrat edhe kjo jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë. Një numër i konsiderueshëm vajzash nuk ndjekin dot studimet e larta, sepse edhe familjet e tyre besojnë se ato janë të destinuara të merren vetëm me punët e shtëpisë. Sot ka vajza që duhet të martohen pa mbushur 18 vjeç. Shumë prej tyre pranojnë që jetën ta kalojnë nën ombrellën e një burri, duke qenë qenie të varura jo vetëm ekonomikisht, por edhe shpirtërisht. Gratë, në të gjitha studimet botërore janë më pak të paguara se burrat, kanë më pak pozicione të larta ekzekutive dhe më pak zë në vendimmarrje. 

Sfida e parë është të pranojmë që barazia gjinore nuk do të na ofrohet kurrë nga burrat, pasi emancipimi i këtyre të fundit vjen dora-dorës me rritjen e rolit të gruas. Forcimi i gruas do të vijë vetëm nga përpjekjet tona të përditshme për të përmirësuar veten. Çelësi i këtij suksesi është vetëm një: shkollimi, shkollimi dhe përsëri shkollimi. “Një fëmijë, një mësues, një libër dhe një penë mund të ndryshojnë botën”. Dhe kjo askund nuk është më e vërtetë se sa në rastin e një gruaje.

Në kohët që flasim, në Shqipëri, a mundet ne, të jemi ato që dëshirojmë? Apo jo?

Secila nga ne është një qenie unike. Por të gjitha ne, pavarësisht statusit shoqëror, vendit ku jetojmë apo moshës, si fillim kemi nevojë të ndihemi të respektuara. Thuhet: aty ku gratë respektohen, Zoti ngre shtëpinë e vet, aty ku gratë dominohen shoqëria është joproduktive. Jeta është një udhëtim që më shumë se arritja në destinacion, ka vlerë rruga që ndjek për të arritur aty ku do. Eksperiencat e deritanishme vërtetojnë katërcipërisht që nëse rrugëtimi i një gruaje për të realizuar dëshirat, drejtohet nga parimi i pavarësisë dhe lirisë, vet përmbushja është e sigurt. Pavarësia dhe liria ushqejnë vetërespektin, konfidencën, integritetin dhe besimin se jemi të zonjat e vetes. Secila nga ne, e pasur apo jo, e bukur apo jo, në karrierë apo jo, nëse është e zonja e vetes ia del të arrijë atë që do.

Simone de Beauvoir thotë: “Një grua e lirë është e kundërta e një gruaje të lehtë”. Si do ta komentonit për shoqërinë tonë?

Një grua e lirë është një grua që instinktivisht në çdo moment sfidon veten, që pranon me guxim të gjitha gabimet duke iu vendosur emrin eksperiencë, që nuk pranon të trajtohen si naive apo e pafajshme, por pranon që ajo është heroina dhe jo viktima e zgjedhjeve të saj, që di të falë edhe pse e ka të vështirë të harrojë, që arrin të shënojë një kujtim, një ndjenjë, një mësim në jetën e saj edhe të çdo njeriu që jeta i vendos përballë. Një grua e tillë nuk mund të jetë kurrë e lehtë. Një grua e tillë akoma është vështirësish e pranueshme në shoqërinë shqiptare.

Në mendësinë shqiptare ndodh që në shumicë të pretendohet se një grua duhet të sakrifikohet. Deri në ç’pikë është e duhur më shumë lumturia e të tjerëve se sa mirëqenia jonë?

Nëse për një grua, lumturia e të tjerëve është objektivi apo dëshira e saj, është po lumturia e të tjerëve baza e mirëqenies së saj. Ndërkohë që psikologjia e një gruaje, e një nëne, është pazgjidhshmërisht e lidhur me lumturinë e njerëzve që rrethojnë jetën e saj. Gratë përgjithësisht udhëhiqen nga parimi: nëse do të jesh e lumtur, bëj të tjerët të lumtur.

Si grua në karrierë, sa keni ndryshuar në perceptimin e të qenit femër? Jeni ju në veprimet e të kaluarës tuaj apo keni ndryshuar?

Jam munduar çdo ditë, të paktën në vlerësimin tim, që karriera apo pozicioni shoqëror të mos ndikojë në mënyrën se si unë e perceptoj veten dhe botën rreth meje. Por vitet që ikin, në njëfarë mënyrë më ndryshojnë edhe mua. Mendoj, mëmësia është një ngjarje thelbësore që maturon një grua, duke ndryshuar jo vetëm prioritetet, por edhe mënyrën se si e percepton botën. Megjithatë, ka disa gjëra që nuk i kam ndryshuar, edhe pse vitet ikin. Vazhdoj të mos kem asnjë marrëdhënie në të përditshmen time me grimin, duke besuar thellësisht që, ngjyrat dhe bukurinë një femre ia jep personaliteti. Njësoj si në rinë time të vrullshme, vazhdoj të kem një gjuhë të mprehtë dhe aspak të rrumbullakosur, të jem moskonformiste si dhe të them atë që mendoj që është e drejtë, pa u menduar dy herë.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top