Mirëqenie

July 10, 2017 | 11:19

ISHP: Kujdes nga mushkonjat, si mund të mbroheni

Mushkonjat kur pickojnë, injektojnë pak nga lëngu i gjëndrave të pështymës në plagën që hapin. Disa prej tyre janë në gjendje të injektojnë mikroorganizma infektues dhe të transmetojnë kështu sëmundje të ndryshme si Malarien, Ethet e Nilit Perëndimor Chikungunjen, Ethet e Verdha, Ethet Dengue, Filariozën etj. 

1

Gjatë stinës së verës, sëmundjet dhe shqetësimet që shkaktohen nga artropodet dhe veçanërisht nga insektet, përbëjnë një problem të rëndësishëm për shëndetin publik. Insektet ndikojnë mbi popullatën jo vetëm me bezdisjen dhe shqetësimet që ato mund të japin në zonat turistike, por edhe me rolin e tyre në transmetimin e sëmundjeve të rëndësishme. Insektet që shqetësojnë më shumë njerëzit gjatë sezonit veror janë mushkonjat. Ato (Culicidae, Diptera) janë insekte fluturuese me dy krahë dhe përfshijnë rreth 2000 lloje në të gjithë globin. Mushkonjat gjenden që nga zonat e ulëta deri në majat e larta të maleve, kanë krahë të gjata, të holla e me degëzime të larmishme. Mushkonjat kur pickojnë injektojnë pak nga lëngu i gjëndrave të pështymës në plagën që hapin. Disa prej tyre janë në gjendje të injektojnë mikroorganizma infektues dhe të transmetojnë kështu sëmundje të ndryshme si Malarien, Ethet e Nilit Perëndimor Chikungunjen, Ethet e Verdha, Ethet Dengue, Filariozën etj.

Kontrolli dhe kujdesi

Për të hartuar një program kontrolli për mushkonjat është e rëndësishme të dihet se, mushkonjat e kalojnë një pjesë të ciklit të zhvillimit të tyre në ujë përpara se të dalin në fluturim. Për kontrollin e tyre kanë rëndësi një seri masash të cilat janë të lidhura me mjedisin ku ato rriten si p.sh. eliminimi i ujërave të ndenjura, kontrolli dhe eliminimi gomave të përdorura, eliminimi i mbeturinave dhe plehrave, pastrimi i kanaleve etj. E rëndësishme është vendosja e barrierave fizike për të reduktuar infestimin e mjediseve të brendshme të banesave dhe veshjeve, dhe sidomos edukimi i popullatës, pushtetit lokal dhe bizneseve. Dezinsektimi është një proces i rëndësishëm dhe efikas, sidomos kur zbatohet me përpikëri së bashku me masat e mësipërme. Ky proces ka rifilluar në vendin tonë, kryesisht në zonat bregdetare publike dhe më tej në disa zona në Prefekturën e Vlorës, si dhe Sarandë, Prefekturën e Fierit, Durrësit dhe Lezhës, duke përdorur agjentin biologjik Bti, i cili nuk dëmton shëndetin e njeriut dhe të kafshëve, si dhe organizmat e tjerë ujorë përveç larvave të mushkonjave.

Këshilla

Mushkonjat kalojnë një pjesë të ciklit të zhvillimit të tyre në ujë përpara se të dalin në fluturim. Në kushtet dhe stinën aktuale, me një verë të nxehtë dhe të lagësht e cila është mjaft e përshtatshme për zhvillimin e mushkonjave, po japim disa rekomandime për të kontrolluar zhvillimin e larvave të tyre: Eliminimi i ujërave të ndenjura në banesa, bodrume dhe përreth tyre, dhe ndërhyrja e pushtetit lokal në lidhje me to. Eliminimi i pjatave e vazove të luleve, dhe nëse nuk është e mundur heqja e tyre nga përdorimi; duhet të evitohet lënia e ujit për një kohë të gjatë në to. Derdhja e vazove, kanaçeve apo kontenierëve të tjerë që mund të mbajnë ujë të ndenjur. Pastrimi i shpeshtë i pusetave dhe i zonave të shkarkimit të ujërave të tyre. Mbyllja e depozitave të ujërave me kapak. Shatërvanët dhe akuariumet dekorative, në mjediset publike dhe shtëpiake, duhet të mbahen të pastra duke futur në to peshq të kuq (të cilët hanë larvat e mushkonjave). Zbrazja dhe pastrimi i shpeshtë i enëve ku hanë ushqim dhe pinë ujë kafshët shtëpiake. Eliminimi i gomave të përdorura (duke qenë se përbëjnë vend–depozitim të përshtatshëm për vezët e mushkonjave) dhe evitimi i mbushjes së tyre me ujë. Eliminimi i vend-depozitimit të vezëve të mushkonjave, pellgjeve dhe gropave me ujë që krijohen gjatë punimeve të ndërtimit të godinave në zonat urbane, ose trajtimi i tyre me larvicid nga ana e subjekteve ndërtues. Ruajtja e një mjedisi të pastër dhe eliminimi i plehrave. Vendosja e rrjetave kundër mushkonjave në dritare dhe dyer në banesa, hotele, ambiente publike, shkolla, kopshte, çerdhe, spitale dhe institucione publike, për të evituar infestimin e mjediseve të brendshme. Reduktimi i aktivitetit në mjediset e jashtme, sidomos për fëmijët, në orët e pikut të aktivitetit të mushkonjave, mëngjes dhe mbrëmje, mund të ndihmojë gjithashtu, në shmangien e pickimeve. Në disa raste mund të përdoren edhe repelentë biologjikë (krem ose sprai kundër mushkonjave) në bazë të rekomandimeve të përshkruara në etiketë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top