Mirëqenie

September 3, 2018 | 10:54

Isufi Dental Clinic / Mjekësi brezash, këshilla për problematikat dhe trajtimet risi

Në gjurmët e të atit. Është ky modeli që i ka frymëzuar në jetë dhe që sot janë dy mjekë profesionistë të fushës. Dr.Irina dhe Dr.Algeni, bijtë e profesorit të nderuar, Ramazan Isufi, falë gjuhës së trupit të përftuar nga një përvojë e gjatë e atit të tyre, kanë jetuar me mjekësinë e stomatologjisë, duke ndjekur hapa pas hapi gjurmë që për ta do të ishin e ardhmja profesionale. Sot ata vijnë me këshilla specifike për problematikat, por edhe risitë më të fundit të shkencës në fjalë, duke sjellë modele të përparuara dhe praktike për dhëmbë estetikisht të bukur e të shëndetshëm.

Nga Orjona TRESA

IRINA ISUFI

Irina Isufi, mjeke stomatologe në Ortodonci

Jemi mësuar t’i quajmë të gjithë ‘dentistë’. Në fakt, çfarë e dallon një mjek ortodonti në fushën e gjerë të stomatologjisë?

Vetë fjala Ortodont do të thotë: drejtim dhëmbësh, orto=drejtim dhe dont=dhëmbë. Por mund të them se, mjeku ortodont është ai specialist i dentistrisë që merret jo vetëm me drejtimin e dhëmbëve, por gjithashtu me diagnostikimin, parandalimin dhe korrigjimin e problemeve të kafshimit dhe anomalive të nofullave.

Në çfarë moshe është mirë të nisë kontrolli i dhëmbëve?

Kontrolli i dhëmbëve është mirë të nisë në mosha sa më të hershme. Shpesh prindërit mendojnë se dhëmbët e fëmijëve do të nderohen ndërrohen dhe nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur, duke harruar kështu që ato janë të rëndësishëm për ushqyerjen, të folurën dhe buzëqeshjen e fëmijës. Përveç problemeve dentare, shumë probleme të kafshimit dhe nofullave, sa më shpejt të diagnostikohen aq më kollaj janë për t’u trajtuar nëpërmjet aparateve ortodontike.

Biberoni dhe shishet e ushqimit: sa ndikojnë në formimin e dhëmbëve te fëmijët tanë?

Përdorimi për kohë të gjatë i biberonit, dhënia e lëngjeve me sheqer, me biberon, mund të shkaktojë një sërë problemesh. Duke filluar nga ai që quhet “kariesi i biberonit” e deri te problemet e dhëmbëve dhe të kafshimit .

Cilat janë sjelljet kryesore që ndihmojnë për të shmangur problemet me dhëmbët?

Parandalimi i problemeve dentare fillon me kujdesin për higjienën dentare, dietën ushqimore të shëndetshme dhe vizitat e rregullta te mjeku. Nga ana ortodontike duhet të them se korrigjimi në kohë i disa veseve si: mbajtja e gishtit në gojë, ngrënia e thonjve etj., ndihmon në paradalimin e një sërë problemesh, të cilat mund të kërkojnë trajtim ortodontik në të ardhmen.

Cilat janë problematikat që hasni më shpesh në klinikën tuaj, moshat, gjinitë dhe a është rritur ndërgjegjësimi i kulturës dentare?

Në klinikën tonë ne ofrojmë një gamë të gjerë shërbimesh, kështu që dhe problematikat që hasim janë të larmishme. Është e vërtetë që ndërgjegjësimi për kulturën dentare është rritur, sidomos nga ana e prindërve, të cilët janë bërë më të përgjegjshëm për shëndetin dentar të fëmijëve të tyre. Patologjitë karioze apo problemet e okluzionit që kërkojnë trajtim ortodontik vihen re më shumë në moshat e reja, ndërsa në pacientët adult kemi më shumë kërkesa për zëvendësimet protetike dhe ato implantare, por mund të them se edhe kërkesat për aparatet ortodontike në pacientët adult janë rritur ndjeshëm.

Sot flitet për dhëmbë të bukur, por “pa tela” çdo të thotë kjo?

Në ortodonci, ashtu si edhe në fushat e tjera të dentistrisë, teknologjia ka ecur me hapa të shpejtë. Për të plotësuar kërkesat e pacientëve për dhëmbë të drejtë e buzëqeshje të bukur, por “pa tela”, sot përdoren një sërë aparatesh estetike, duke përmendur aparatet fikse të qeramikës apo perlës, maskerinat trasparente dhe aparatet linguale.

Ndër shërbimet më të veçanta cilat do të përmendnit?

Ortodoncia kërkon një bashkëpunim të ngushtë me të gjitha disiplinat e dentistrisë, dhe në veçanti me kirurgjinë orale dhe maxillo-faciale. Falë bashkëpunimit me kirurgun, mund të them se ndër shërbimet e veçanta që ne ofrojmë janë pikërisht trajtimet ortodonike-kirurgjikale në korrigjimin e anomalive dentofaciale.

Algen Isufi, mjek kirurg oro-maxillo facial

ALGEN ISUFI

Jeni mjek në dy shërbime kaq delikate, që kërkojnë jo thjesht vullnet e përkushtim, por edhe zemër për ta përballuar emocionalisht. Çfarë ju ka mësuar përvoja dhe si ndiheni në vitet që jepni kontributin tuaj?

Është e vërtetë që kirurgjia kërkon vullnet e përkushtim, por njëkohësisht dhe shumë profesionalizëm. Dhe pikërisht, që të arrihet profesionalizmi i lartë, kërkohet jo vetëm studim, por dhe vite pune e palodhur me pacientët. Përvoja më ka mësuar se në mjekësi çdo pacient është i veçantë dhe duhet trajtuar si i tillë.

Cilat janë problemet që hasni çdo ditë dhe shkaktarët?

Kirurgjia oro-maxillo-faciale trajton shumë patologji të regjionit kokë-qafë. Problemet që hasim çdo ditë fillojnë me problemet dentare, që kërkojnë ekstraksion apo trajtim kirurgjikal, problemet e gjëndrave të pështymës. Traumat në fytyrë, anomalitë e nofullave apo problemet onkologjike të regjionit ku ne punojmë.

Cila është merita më e madhe që shënoni në karrierën tuaj dhe çfarë ka ende për t’u zbuluar në dimensionet e reja shkencore të kësaj fushe?

Për mua, të qenit kirurg, krahas studimit dhe punës, një meritë të madhe ka edhe familja ime. Babai im duke qenë një profesor i shquar i kësaj fushe, jo vetëm më nxiti t’i hyja këtij profesioni, por njëkohësisht më ka ndihmuar pa masë në formimin tim profesional, duke me transmetuar dije e njohuri nga përvoja e tij 35-vjeçare. Ashtu sikurse mjekësia në tërësi, edhe kirurgji maxillo-faciale është duke u zhvilluar me ritme të shpejta. Pjesëmarrja në aktivitete shkencore të ndryshme, më bën të mundur marrjen e informacioneve mbi të rejat e kësaj fushe dhe implemetimin e tyre te pacientët tanë.

Fjala e fundit shkencore që implementoni në klinikën tuaj?

Zëvendësimi i mungesës së dhëmbëve me implantet dentare dhe kirurgjia në ndihmë të tyre si: sinus lift, bone graft etj., janë fjala e fundit e shkencës që ne ofrojmë në klinikën tonë. Aplikimi i implanteve dentare është një ndërhyrje kirurgjikale që edhe pse jo shumë e vështirë, kërkon mjekë specialistë për të siguruar rezultate afatgjata dhe sa më pak komplikacione për pacientin.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top