Mirëqenie

October 25, 2018 | 11:23

Isufi Royal Dental: Forca e buzëqeshjes

Buzëqeshja është forma e parë treguese në prezantim. Ama, nëse atë nuk e ke, kjo sjell probleme në mënyrën e të jetuarit. T’i besosh dentistit apo kirurgut stomatolog, nuk është thjesht një fjalë goje, por të gjesh të duhurin ndër dhjetëra e mijëra të tillë që dikton tregu stomatologjik, pa diskutim që është një mundim më vete.

Nga Orjona TRESA

Kirurgu në karrierë Ramazan Isufi, është një nga mjeshtrit e fushës, i cili njihet më së shumti për korrigjimet e nofullës, qiellzës dhe të buzëve. Këtë profesion ua ka trashëguar dhe djemve, ndërsa ndan kohën profesionale dhe të suksesshme me Renaton dhe Aurorën, të cilët janë specializuar në implantologji, estetikë faciale dhe ortodonti moderne.

Prof.Dr.Ramazan Isufi, si mjek në karrierë çfarë është Kirurgjia Ortognatike?

Kirurgjia Ortognatike merret me korrigjimin e deformimit të dhëmbëve, nofullave dhe fytyrës. Trajtimi i këtyre anomalive fillon që në moshë të vogël, duke filluar me aparatet e ndryshme ortodontike, të lëvizshme apo fikse. Nëse këto aparate mund të drejtojnë vetëm dhëmbët dhe nofullat mbeten me deformime, atëherë kirurgu Oro-Maksilofacial ndërhyn nëpërmjet Kirurgjisë Ortognatike duke drejtuar nofullat dhe duke i sjellë në raport korrekt me njëra-tjetrën dhe me bazën e kafkës. Kirurgjia ortognatike futet te kirurgjitë kozmetike, por e rëndësishme është që të sqarohen të sëmurët që, kjo lloj kirurgjie ka sukseset dhe ndërlikimet e saj. Sot kërkesat për kirurgji ortognatike janë gjithnjë e një rritje, kjo si rrjedhojë e burimeve të shumta të informacionit audioviziv. Në Shqipëri trajtimi në bazë të protokolleve shkencore ka filluar që në vitin 2005 nga unë dhe vazhdon të aplikohet sot me sukses në Departamentin e Kirurgjisë Oro-Maksilofaciale pranë Spitalit Francez “Nënë Tereza” në Tiranë.

Prof.Dr.Ramazan Isufi, çfarë janë defektet e lindura të buzës dhe të qiellzës? Cila është mosha e korrigjimit, kur ndërhyhet dhe çfarë pasojash lënë nëse nuk trajtohen?

Defektet e lindura të buzës dhe të qiellzës në Shqipëri kanë një incidencë 1 në 1000 lindje. Këto defekte takohen që në muajin e katërt të shtatzënisë dhe përcaktohen nëpërmjet ekos gjinekologjike. Pas lindjes, konstatimi i këtyre defekteve nuk është i vështirë si nga personeli mjekësor ashtu dhe nga prindërit. Defektet në fjalë trajtohen nëpërmjet plastikës së buzës dhe të qiellzës. Buza operohet rreth moshës 3-6 muaj, kur fëmija nuk paraqet probleme mjekësore, të cilat nuk lejojnë operacionin, ndërsa qiellza operohet në moshën 1-2 vjeçare. Defektet e lindura të buzës dhe të qiellzës i sjellin pacientit probleme estetike, funksionale dhe psikosociale. Më të vështira për t’u trajtuar janë defektet shoqëruese të sindromave keqformuese.

Dr.Renato Isufi, si pjesë e një familjeje me traditë në dentisti, cili ka qenë fokusi juaj?

U bënë vite që unë i jam përkushtuar dentistrisë, duke ndjekur traditën familjare. Aplikoj çdo ditë me pasion, të gjithë disiplinat e dentistrisë, por fokusi im prej disa vitesh është kirurgjia. Për këtë arsye jam përpjekur të bëj specializime të herëpashershme jashtë vendit, përveç specializimit tim afatgjatë në kirurgjinë OMF në Shqipëri.

Sa ju ka ndihmuar përvoja në Gjermani për implantet dentare?

Ndër më të rëndësishmit ka qenë specializimi për implantet dentare, duke punuar me disa nga profesorët më të mirë gjermanë në këtë fushë si Prof. Uwe Eckelt dhe Prof.Gunther Lauer. Duke përfituar nga përvojat e tyre, jam përpjekur që të aplikoj për vënien e implanteve një standard gjerman te pacientët tanë. Implanti dentar sot është mënyra më e mirë e zëvendësimit të dhëmbëve që mungojnë në gojë, dhe nëse vendoset sipas protokolleve bashkëkohore, ka një jetëgjatësi shumë të mirë. Është një procedurë kirurgjikale e thjeshtë dhe pa dhimbje, me një sukses rreth 98% në literaturë, por si çdo procedurë kirurgjikale ndodh që në raste të rralla dhe ajo të ketë komplikacionet e saj. Shumë i rëndësishëm në suksesin afatgjatë të implantit është dhe vendosja e drejtë e indikacioneve dhe kundraindikacioneve si dhe shkalla e higjienës dentare.

Dr.Renato Isufi, e keni zgjeruar profilin tuaj në stomatologji duke prekur dhe kirurgjinë Estetiko-Faciale. Si është kjo përvojë të cilën e keni prekur dhe zhvilluar në Francë?

Kirurgjia Estetiko-Faciale është një disiplinë shumë e bukur dhe që në vitet e fundit kërkesat janë rritur shumë. Kam kryer një specializim në Paris, Francë me Prof.Jean Paul Meningaud, i cili më ka shërbyer shumë, sepse përveç fillerave të zakonshëm që përdoren në rutinën e përditshme për zmadhimin e buzëve dhe mollëzave, konsiston në marrjen e dhjamit nga pacienti, përpunimin e tij me pajisje të veçanta dhe përdorjen e po këtij dhjami për të bërë zmadhimin e buzëve dhe mollëzave edhe në pacientë që kanë defekte në fytyrë si pasojë e aksidenteve të ndryshme. Kjo teknikë është shumë e suksesshme sepse përdoret dhjamë i po të njëjtit individ dhe organizmi e adopton më mirë dhe nuk e njeh si të huaj.

Dr.Aurora Isufi, si qershia mbi tortë qëndron dhe profili juaj, ortodoncia moderne. Sa ndihmon ajo për drejtimin e dhëmbëve nisur dhe nga teknologjia e përparuar?

Ortodoncia është një disiplinë relativisht e re në Shqipëri, por që ka pasur shumë sukses në drejtimin e dhëmbëve. Ortodoncia bën të mundur që brenda një kohe të caktuar pacienti të ketë dhëmbë të drejtë dhe një buzëqeshje të bukur. Duke shfrytëzuar dhe disa trajnime të miat jashtë vendit, po tentoj që të aplikoj disa nga metodat më të reja në ortodonci siç janë maskerinat apo aparatet linguale, që lejojnë të bëhet drejtimi pa qenë i dukshëm aparati, gjë që mirëpritet shumë nga pacientët, por që janë të rezervuar për rastet e vështira. Gjithashtu, së bashku me Prof.Ramazan Isufi dhe Dr.Renato Isufin jemi duke marrë përsipër trajtimin e disa rasteve të vështira që kërkojnë një bashkëpunim të ngushtë midis Ortodontit dhe Kirurgut.

Dr.Aurora Isufi, cilat janë mjetet dhe koha për të korrigjuar problemet e dukjes?

Fasetat janë e tashmja dhe e ardhmja. Nëse ju doni një buzëqeshje të bukur dhe pa i preparuar dhëmbët tuaj ose me një preparim minimal, ju mund të vendosni fasetat. Fasetat janë të përbëra nga materiale të ndryshme cilësore, si dhe suksesi afatgjatë i tyre është shumë i mirë. Ato kërkojnë një preparim minimal të strukturës dhëmbore, duke bërë të mundur që dhëmbi të mos dëmtohet shumë, por të jetë vital dhe pacienti të ketë buzëqeshjen që dëshiron.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 131

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top