Nëse e shihni atë të frekuentojë vetëm kafenetë që ndodhen në katet e para të ndërtesave, mos u habisni aspak! Nëse ju thotë që ka frikë nga ashensorët, nga lartësitë, shpesh edhe nga udhëtimet me avion, edhe këto janë pjesë e karakterit dhe zgjedhjeve që ajo ka bërë. Modelja, njëherësh edhe prezantuesja simpatike Iva Mera, e pohon me plot gojën, se lartësitë i kallin datën, i fusin frikën nën lëkurë. I duket sikur humbet ekuilibrin, dhe nga çasti në çast pret të rrëzohet… Lartësitë i japin ndjesë sikur do bjerë nga çasti në çast… “Duke pasur frikë nga kjo, përpiqem të shmang vendet që janë të pozicionuara në katet e larta të ndërtesave… Shpesh shkallët e apartamentit tim, që për fat të keq është në kat të gjashtë, i ngjis në këmbë. Nuk shoh kurrë nuk dritarja poshtë… Mundohem ta mbys frikën që më karakterizon në kësi situatash, duke i thënë me zë të lartë vetes: Nuk kam frikë, nuk kam frikë… Ngushëllohem me faktin se nga lartësitë mund të shohësh edhe pamje të bukura, por rrallë ndodh që kjo terapi të funksionojë tek unë. Shikimin e pozicionoj në pikat më të afërta dhe përdor atë horizontal, dhe jo atë vertikal nga lart poshtë… dhe kjo më ndihmon shumë”, thotë ajo. Teksa përpiqet të gjejë çelësin e zgjidhjes së kësaj frike, një pjesë të arsyeve mundohet t’i rrëmojë edhe tek e kaluara e saj, apo tek të afërmit… Babai, humoristi i mirënjohur i skenës shqiptare, e ka disi problem lartësinë, pavarësisht se ai nuk e shpreh kurrë këtë, ose në shumicën e rasteve përpiqet ta mohojë. Iva, mendon se kjo mund të jetë edhe çështje trashëgime, pasi duke u rritur me këtë ndjesi, edhe ajo ka marrë disa tipare të karakterit të të atit. Andaj, mendon se fobia ndaj lartësive, nuk ka lindur krejt rastësisht tek ajo. Por, një tip si Iva, që është e marrosur pas udhëtimeve, e ka shumë të vështirë t’i rezistojë dëshirës për të eksploruar vende të bukura… edhe pse në jo pak situata, ajo i shijon këto udhëtime jo njëlloj si shoqëria apo miqtë e saj… Për shkak të lartësive, sigurisht! “Një nga vendet që frekuentoj shpesh për pushimeve verore është zona turistike e Llogorasë. Në një nga pikat më të larta të këtij vendi, shihet gjithë panorama e plazhit të Dhërmiut… është një pikë referimi për imazhe të bukura, sete fotografike dhe filmime të çastit. Kur gjithë grupi im i shoqërisë, afrohen aty dhe e shijojnë këtë pamje, unë përpiqem të rri sa më larg “zonës së rrezikshme”. Ndodh që për hir të përshtatjes, ta heq mendjen nga aty dhe të bëj dy hapa përpara, por është shumë e vështirë… Kur të tjerët e shijojnë këtë mrekulli të natyrës, unë rri tërë frikë, se mos befas zgjohet brenda meje ajo ndjesia e çuditshme”, shton Iva Mera. Nuk njihet si person ekstremist… Ndonjëherë i ndodh të bëjë dhe kompromise, në emër të një dëshire, të një kënaqësie të përbashkët me njerëzit e saj më të dashur. “Nuk jam tip që bëj betime… nëse nuk kam zgjedhje tjetër më të pranueshme, dal edhe nga vetja… Përpiqem të përshtatem me kushtet dhe vendin ku jetojmë. Kjo do të thotë, se unë nuk e ndërroj dot shtëpinë nga kati i gjashtë, në të parin, as kur duhet të hipi në ndonjë vend të lartë… por këto situata ndodhin vërtet shumë rrallë”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.