Italianët janë të parët që kanë “dorë” në Europë sa u takon vjedhjeve. Më të ndershmit? Danezët, holandezët dhe norvegjezët. Shishe me shampo, sapunë, kapuçi i dushit, nuk është diçka e re: klientët italianë të hoteleve e kanë kthyer në zakon marrjen e suvenirëve, ku pjesa më e madhe e aksesorëve ndodhen në tualete. Dhe nuk është çudi që zbulohet se, shpesh kanë marrë edhe peshqirë, pije, deri te bateritë e telekomandave.
Sipas hetimit të motorit të kërkimit të fluturimeve dhe hoteleve “Jetcost”, më shumë se 79% e italianëve ka pranuar se kanë marrë diçka nga një hotel, ndërsa danezët janë miqtë më të ndershëm: 88% e tyre kanë deklaruar se nuk kanë marrë asnjëherë asgjë me vete. Pas tyre, sa i takon korrektësisë, janë holandezët dhe norvegjezët: 85% dhe 84% e tyre, respektivisht, shprehen se nuk kanë marrë kurrë objekte me vete. Mes atyre udhëtarëve apo turistëve që kanë pranuar se kanë marrë me vete diçka si kujtim gjatë qëndrimit në hotele, janë 62% e francezëve, 69% e britanikëve, 76% e portugezëve dhe 81% e spanjollëve.
Pëlqejnë edhe ëmbëlsirat dhe frutat
Nga hetimi ka rezultuar se shpesh janë “vjedhur” edhe shumë gjëra të tjera. Për shembull, edhe pse frutat dhe ëmbëlsirat vendosen si zakonisht për mikpritje në dhomat e klientëve, nuk ndodh e njëjta gjë edhe për tabakatë apo shportat, të cilat në fund zhduken nga tryeza. Ndërkaq disa vjedhje të tjera janë më të justifikuara: ka nga ata që marrin bateritë e telekomandës ose pultin e kondicionerit apo llampadarët e abazhurëve, ose Biblën në gjuhë të ndryshme, e cila ndodhet në sirtarët e tryezave dhe komodinave.
Jastëkët, çfarë pasioni! – Ka nga ata që kanë marrë me vete edhe jastëkët bashkë me mbulesat e krevatit, që ndodhen në dollap. Më ekspertët kanë marrë ato me cilësinë më të mirë, duke lënë ato që nuk vlenin. Gjëja më absurde është që bëhet fjalë gjithsesi për objekte me pak vlerë, që kushtojnë pak lekë në dhomat e hotelit, me këtë të fundit që shkon më shumë se 100 euro nata, shkruan ‘Express’. Në disa hotele të tjerë janë përdorur edhe kaçavidat për të hequr fotografitë, gdhendjet e dyerve, tharësen e flokëve, mbajtësen e peshqirëve, pasqyrat, elektro-shtëpiaket dhe magnetofonët.
Tundimi për mini-barin – Një vend jashtëzakonisht “i rrezikshëm” janë qendrat e biznesit për biznesmenët, nga ku zhduken në mënyrë të vazhdueshme printerë, kompjuterë dhe letra pune. Është zbavitëse të theksohet se pjesa më e madhe e këtyre “kriptomanëve” nuk ka pranuar asnjëherë se ka “vjedhur” diçka, por ka thënë që kanë marrë me vete një “kujtim”. Një tjetër tundim i kësaj kategorie është edhe mini-bari. Nuk ka ndodhur rrallë në fakt, që pasi kanë konsumuar shishe me xhin apo vodka, klientët e mbushin me ujë, duke u kujdesur që tapa të duket se është mbyllur me të vërtetë. Ka ndodhur edhe me pije si uiski apo konjak, duke e zëvendësuar alkoolin me çaj apo ndonjë pije tjetër me ngjyrë të ngjashme.
Në fund, ja 10 gjërat që merren në mënyrë të vazhdueshme në hotele:
1.Aksesorë në tualete (duke përfshirë ndonjëherë edhe mbajtëset e tyre).
2.Peshqirë, para së gjithash ata më të mëdhenjtë.
3.Llamba, bateri të telekomandës.
4.Objekte kancelarie, stilolapsa, libra të vegjël, revista, Bibla.
5.Lule dhe fruta përfshirë vazot dhe shportat.
6.Shishe me pije nga mini-bari, që fillimisht pihen dhe më pas mbyllen me tapë.
7.Pjesë qeramikash, gota dhe pjata porcelani.
8.Batanije, jastëkë e çarçafë.
9.Mbajtëse peshqirësh, tharëse flokësh, pasqyra.
10.Elektro-shtëpiake, pjata, orë, Dvd.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.