Në fokus

February 7, 2019 | 11:02

Ja pse nuk duhet t’i detyroni fëmijët tuaj të japin puthje dhe përqafime

Sa herë i keni qortuar fëmijët tuaj, sepse nuk duan të puthin gjyshërit? Kujto kur e ke detyruar djalin tënd të vijë dhe të përshëndet kolegët e tu kur e çove në zyrë?

Kur takojmë miqtë ose familjarët, sado të neveritshëm mund të jenë ata, ne jemi mësuar të bëjmë kontakt fizik për të përshëndetur. Me një puthje në faqe, një përqafim apo një shtrëngim duarsh. Prandaj, është shumë e zakonshme që shumë nëna të mësojnë fëmijët që ata duhet të përshëndesin të rriturit me një përqafim dhe një puthje. Ndonjëherë prindërit e imponojnë atë si diçka që do t’i bëjë ata të duken bukur.

Problemi i këmbënguljes për puthjet dhe përqafimet është se bëhen udhëzime të tilla sikur u thua për të rregulluar dhomën e tyre. Me këtë, ju përcillni kërcënimin se do të ketë pasoja negative nëse nuk bëjnë ashtu si ju është thënë.

Pra, kur thoni “jepini atij një përqafim dhe një puthje”, ju impononi diçka tek fëmijët tuaj dhe ata do ta marrin atë si një “Nuk më intereson nëse ndiheni mirë apo jo, duhet të tregoni dashuri”. Kur një fëmijë ndihet i detyruar të tregojë dashuri, ai merr mesazhin se ai nuk ka kontroll mbi trupin e tij. Dhe ky është një mesazh i rrezikshëm sepse ata do të mendojnë se duhet të plotësojnë kërkesat e dashamirësisë së një të rrituri, duke iu dhënë më shumë shanse mundësisë për t’iu nënshtruar abuzimeve seksuale.

Paramendoni se keni mësuar vajzën tuaj për të puthur dhe përqafuar të gjithë dhe e keni qortuar kur refuzon. Nëse një i huaj, me synime të këqija, i kërkon asaj të bëjë atë, ajo do të “programohet” për t’u pajtuar. Megjithatë, nëse i keni mësuar që mund të thotë jo nëse nuk ndihet mirë, ajo ka më shumë mundësi të largohet nëse dikush kërkon këtë qasje fizike.

Çfarë duhet të bëni vërtet?

Përcilluni fëmijëve tuaj një mesazh të shëndetshëm për trupin e tyre. Ai i mëson ata se kanë të drejtë të zgjedhin nëse duan që dikush t’i gudulisë ose nëse duan të ulen në prehrin e dikujt, gjë që tregon se ata mund t’i marrin ato vendime bazuar në nivelin e tyre të rehatisë. Të zbatojnë rregullat që askush nuk duhet të ketë kontakt fizik me askënd përveç rasteve kur ata e duan atë, përfshirë këtu familjen dhe miqtë e ngushtë.

Fëmijët tuaj nuk duhet të tregojnë dashuri fizike për të kënaqur dikë. Fakti që dikush përpiqet të fajësojë një fëmijë për një përqafim si përshëndetje, nuk do të thotë se ai duhet ta bëjë këtë. Fëmijët nuk janë të detyruar të falënderojnë gjyshen me një puthje ose një përqafim, për dhuratën që u ka bërë, një “faleminderit” dhe një buzëqeshje janë të mjaftueshme. As nuk duhet të dënohen nëse nuk puthin xhaxhain apo mikun që erdhi për t’ju vizituar.

Që fëmijë ju duhet t’i mësoni: “Vetëm ju jeni përgjegjës për trupin tuaj dhe për ata që mund ta prekni”.  Nëse një i afërm e pyet fëmijën tuaj për një përqafim, pyeteni nëse dëshiron ta bëjë atë dhe mos e qortoni nëse refuzon.

Shumë prindër besojnë se mos dhënia e një përqafimi ose puthjeje dikujt perceptohet si mungesë sjelljeje. Por ka gjithmonë mënyra për t’i mësuar ata se si të sillen. Dhënia e duarve është një opsion kur takoni njerëz të rinj, por edhe në këtë rast duhet të shpjegoni kur duhet të jetë e përshtatshme për ta bërë.

 

Përgatiti: Brikela Daci | Burimi / italiafeed.com

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top