Gazetarja britanike Adrienne Matei shpenzon dy orë e 20 minuta çdo ditë në telefon, gjë që mund të duket mirë, derisa kuptoi se rrinte rreth 35 ditë të plota në vit në celular. Po ju sa kohë kaloni në telefon dhe sa ditë të vitit shpenzoni përpara pajisjeve elektronike?
Sipas një studimi të fundit, njerëzit kalojnë rreth tre orë e 15 minuta në ditë me telefonat e tyre, pa llogaritur kohën që rrinë në laptop, apo duke parë televizor. Një shifër e lartë e përdoruesve të smartfonëve që shpenzojnë më shumë se katër orë e gjysmë,duke ndenjur kështu me shumë se 70 ditë në telefon.
Edhe vetë drejtuesit e kompanive të teknologjisë që shpikën mediat sociale, po frenojnë fëmijët e tyre t’i përdorin. Për ironi, shkëputja nga smartfonët në vetvete duket se është bërë një privilegj elitar. Kjo varësi njihet me termin “nomofobia”, pra vështirësia për t’u shkëputur fizikisht nga telefoni, ose frika e të mos qenit në kontakt me botën. Personat e prekur nga ky shqetësim kanë tendencën ta konsiderojnë smartfonin si një instrument për të kënaqur nevojat emocionale-shoqërore dhe si mjet kryesor për të komunikuar me të tjerët.
Sipas agjencisë britanike të kërkimit “Yougov”, më shumë se 6 të rinj në 10, mes 18-29 vjeç, bien të flenë në shoqërinë e smartfonit, dhe më shumë se gjysma e përdoruesve të smartfonëve (53%) kanë tendencën të manifestojnë gjendje ankthi kur bateria e telefonit është drejt fundit, apo kur nuk kanë internet.
Varësia nga telefoni ushqen vetëm ankth dhe depresion, pasi paqëndrueshmëria emocionale është një nga shkaqet e mundshme të këtij fenomeni.
Një studim i kryer nga një ekip studiuesish në Universitetin Nottingham, mori si shembull 640 njerëz të moshës 12 dhe 70 vjeç, të cilët përdorin rregullisht telefonin. Rezultatet e studimit nxjerrin në pah se personat me probleme të paqëndrueshmërisë emocionale dhe në veçanti me probleme të ankthit dhe depresionit kanë varësi ndaj telefonit. Pra, sipas studiuesve, numri i orëve të shpenzuara në telefonat celularë është në proporcion të drejtë me nivelin e ankthit.
Burimi / https://gazetasi.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.