Më shumë se 1/3 e të rriturve i shohin mediat sociale si të dëmshme për shëndetin e tyre mendor, sipas një studimi të ri nga Shoqata Psikiatrike Amerikane. Vetëm 5% prej tyre i shohin mediat sociale si pozitive për shëndetin e tyre mendor, sipas sondazhit, ndërsa 45% prej tyre, thonë se ka efekte pozitive dhe negative.
Dy të tretat e të anketuarve nga sondazhi besojnë se përdorimi i mediave sociale ka të bëjë me izolimin shoqëror dhe vetminë. Ekziston një organ i fortë hulumtues që lidh përdorimin e mediave sociale me depresionin. Studime të tjera e kanë lidhur përdorimin e rrjeteve sociale, me uljen e vetëvlerësimit, zilinë si dhe ankthin shoqëror.
Jelena Kecmanovic, psikologe, e cila njëkohësisht lektore në Universitetin Georgetown, ka studiuar rreziqet e ndërveprimeve në internet dhe ka vëzhguar efektet e përdorimit të mediave sociale tek njerëzit, ndaj sjell në ndihmë të tyre disa këshilla se si këta përdorues mund të zvogëlojnë dëmin që media sociale mund të shkaktojë në shëndetin e tyre mendor.
Kufizoni kohën që ju shpenzoni në mediat sociale
Përdorimi i mediave sociale mund të ndërpresë dhe të ndërhyjë në bisedat që ju zhvilloni me familjarët, miqtë apo kolegët tuaj. Prandaj, përpiquni të mos i kontrolloni mediat sociale gjatë kohës që jeni duke shpenzuar kohë me ta. Në të njëjtën mënyrë, sigurohuni që mediat sociale të mos ndërhyjnë gjatë kohës kur jeni në punë, duke ju larguar vëmendjen nga detyrat tuaja apo gjatë bisedave me kolegët. Në veçanti, mos e mbani telefonin ose kompjuterin tuaj në dhomën e gjumit, pasi kjo ndikon në cilësinë tuaj të gjumit.
Bëni periudha ‘Detox-i’
Programoni ‘’pushimet’’ nga mediat sociale. Kjo do të thotë, që gjithësecili që e ndjen veten të varur nga media sociale, duhet të marrë një periudhë pushimi nga to, duke mbyllur çdo llogari që zotëron. Disa studime kanë treguar që edhe një pushim pesë-ditor ose javor nga ‘’Facebook, Instagram dhe Snapchat’’, mund të ulë nivelin e stresit dhe depresionit. Mund të jetë e vështirë në fillim, por kërkoni ndihmë nga familja dhe miqtë duke deklaruar publikisht se jeni ‘’me pushime’’ nga rrjetet sociale. Dhe mos harroni të fshini aplikacionet për këto lloj shërbimesh nga telefoni juaj, në mënyrë që të tundoheni sa më pak për t’i hapur.
Kushtojini vëmendje asaj që bëni dhe mënyrës se si ndiheni
Eksperimentoni duke përdorur platformat tuaja të preferuara në internet në periudha të ndryshme të ditës dhe për gjatësi të ndryshme kohore, për të parë se si ndiheni gjatë dhe pas çdo seance. Nëse i përdorni në mënyrë rutinore, llogaritë tuaja në rrjetet sociale, atëherë përpiquni që të vendosni një motiv se përse po shpenzoni kohë në Instagram ose Facebook. Në të kundërt, pra nëse vazhdoni t’i përdorni mediat sociale në mënyrë pasive, thjesht duke parë postimet e të tjerëve, atëherë do të ndjeheni akoma më keq se pse njerëzit që marrin pjesë në mënyrë aktive, dhe janë duke postuar nga vende të ndryshme kanë mundësi dhe ju jo.
Ndaloni median sociale që të zëvendësojë jetën tuaj të vërtetë
Përdorimi i Facebook për të ruajtur ende kontaktet me të afërmit apo miqtë tuaj është shumë pozitiv deri në momentin kur ju anashkaloni që t’i takoni ata edhe pse mund të kenë kaluar muaj. Komunikimi virtual me një koleg, gjithashtu mund të jetë tërheqës dhe argëtues, por sigurohuni që këto biseda mos bëhen zëvendësuese për të folur ballë për ballë. Kur përdoret me mend dhe me qëllim, media sociale mund të jetë mjaft e dobishme në jetën tuaj shoqërore, por mos harroni se vetëm një person ‘’i gjallë’’ dhe jo virtual mund të përmbushë nevojat themelore të çdo njeriu.
Burimi / http://www.scan-tv.com/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.