Mirëqenie

August 4, 2018 | 9:27

Ja se si të kujdesemi për shëndetin mendor gjatë verës

Vera është stina që na ofron ngrohtësi dhe mundësi që të jemi më aktivë në ambientet e hapura, të përfshihemi më shumë në aktivitete sociale dhe të pushojmë pranë bregdetit. Edhe pse vera mund të konsiderohet një stinë festive dhe argëtuese, për shumë njerëz aktivitetet e mësipërme mund të sjellin stres dhe ankth.

Një program pune më elastik, aktivitete të shumta sociale dhe pritshmëria për të qenë të shkujdesur, mund të rrisin presionin te personat që vuajnë nga ankthi, apo depresioni. Në vijim po ndajmë disa këshilla që mund t’ju ndihmojnë për të menaxhuar sa më mirë simptomat e stresit dhe ankthit.

Jini aktivë

Aktiviteti fizik është një mënyrë mjaft e mirë për të ulur ankthin. Kënaqësia që merret nga rrezet e diellit, nga ecja dhe vrapimi ndihmojnë në qetësimin e mendimeve shqetësuese. Notoni rregullisht, merrni një biçikletë, bëni ecje në mal, ose merrni pjesë në kampe pushimi verore në mënyrë që të çlironi endorfinat dhe të merrni vitaminën D.

Vendosni objektiva

Sfidoni veten dhe vendosni objektiva, trajnohuni për një maratonë vrapi, ose angazhohuni në një aktivitet tjetër fizik. Edhe pse mund të duket e vështirë, një regjim i caktuar fizik mund të rrisë vetëbesimin dhe kënaqësinë në përmbushjen e një objektivi të caktuar. Mos i shmangni sfidat gjatë verës. Edhe pse fillimisht mund të ndiheni të pasigurt apo të frikësuar, ndjesia e daljes nga “zona e komfortit” do t’ju gjallërojë.

Bëni një shkëputje

Ndryshimi i ambientit, apo shkëputja për pak kohë nga ambientet e zakonshme ku ju shpenzoni kohën, mund të jetë një mënyrë e mirë për të lehtësuar mendimet ankthioze. Qëndrimi në një ambient të ri, përfshirja në aktivitete aventureske, shpenzimi i kohës me të dashurit tuaj, shkëputja nga rutina dhe streset e përditshme, do t’ju bëjnë të ndiheni energjikë. Shkoni diku me partnerin, shokun ose një person të dashur për ju, qoftë edhe për një ditë. Do të shikoni që efektet pozitive do të jenë të menjëhershme.

Bëni aktivitet jashtë shtëpisë

Ekspozimi ndaj rrezeve të diellit dhe ajrit të pastër dihet që rrit nivelin e serotoninës, e cila redukton ankthin. Qëndrimi në ambiente të hapura ofron një ndjenjë qetësie dhe mirëqenieje. Në verë zhvilloni aktivitete rutinore jashtë, si për shembull kopshtari. Kjo gjë do t’ju nxisë që të shpenzoni më shumë kohë jashtë dhe do t’ju ndihmojë që të ndiheni të realizuar në një punë që ju ka dhënë fryte.

Praktikoni meditimin

Meditimi nënkupton të qenit i vetëdijshëm tani dhe këtu. Përpiquni që çdo ditë të shpenzoni pak minuta duke u përqendruar në atë që dëgjoni dhe shikoni, pra, në atë që ndodh përreth jush. Përqendrimi në ndjesitë, përjetimet që ju jep dëgjimi i tingujve që ofron natyra apo valët e detit përjetimet ndjesore të prekjes së barit në natyrë dhe rërës në plazh, ndjesia e rrezeve të ngrohta të diellit në lëkurë apo flladi, ju bëjnë që të ndiheni njësh me realitetin dhe ju ndihmon të ndërprisni mendimet shqetësuese.

Bëni pushime për t’u qetësuar

Zakonisht ndodh që kohën e pushimeve ta përdorim për të bërë disa detyra të pambaruara, apo të lëna pezull, punë shtëpie, etj. Gjatë verës lejen shpenzojeni për t’u kujdesur për veten. Përzgjidhni një libër që keni dashur të lexoni, shkoni në pishina, takoni një mik të vjetër të cilin keni kohë pa e takuar. Shpenzimi i kohës për t’u qetësuar dhe për t’u kënaqur me miqtë do t’ju japë energji, do t’ju ulë stresin dhe do të ndiheni të rigjeneruar.

 

Burimi / gsh.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top