Dr. Tina Payne Bryson, është një psikoterapiste që punon kryesisht me prindërit dhe familjet. Ajo është gjithashtu nënë e tre djemve adoleshentë dhe ajo që ka mësuar nga hulumtimet dhe përvoja, është se ju nuk duhet të jeni një prind i përsosur për të rritur fëmijë të lumtur dhe të sigurt.
“Ka shumë momente në marrëdhënie dhe si prind unë nuk mund të di domosdoshmërisht se çfarë të bëj ose them”, thotë Bryson.
“Ka të bëjë thjesht me shfaqjen emocionale për fëmijët tanë kur ata kanë nevojë për ne”.
Bryson punon me një koncept të sjelljes dhe psikologjisë të quajtur teoria e atashimit, e cila përshkruan se si lidhjet që bëjmë me personat që kujdesen për ne kur jemi të vegjël ndihmojnë në përcaktimin se kush bëhemi kur rritemi.
Duke përdorur si udhëzues teorinë e atashimit, Bryson ndihmon prindërit të komunikojnë më mirë dhe të lidhen me fëmijët e tyre. Ajo zbulon se të qenit një prind i mirë, por jo i përsosur, gjendet në një pyetje: Në pjesën më të madhe të kohës, a siguroheni që fëmijët tuaj ndihen të sigurt dhe të qetë?
Cilat janë stilet e atashimit, dhe nga vijnë ato?
Stilet e atashimit në studim, ne i quajmë modele lidhje, të cilat përshkruajnë mënyrën se si ne krijojmë marrëdhënie me të tjerët bazuar në mënyrën se si jemi rritur si fëmijë. Psikologët kanë studiuar teorinë e atashimit për pesëdhjetë vitet e fundit.
Nëse keni një kujdestar që siguron një lidhje të sigurt me ju, ju mësoni nga përvojat e përsëritura. Nëse keni ndonjë nevojë, ata do të vijnë dhe do t’ju ndihmojnë. Prindërit tuaj nuk kanë qenë të përsosur, por kanë qenë kryesisht të parashikueshëm dhe ishin aty për ju, kur keni pasur një vështirësi ose keni pasur më shumë nevojë për ta.
Kur kemi një prind që kujdeset për mendimet dhe ndjenjat që qëndrojnë pas sjelljes së fëmijës së tyre, kjo i lejon trurit të praktikojë rregullimin e emocioneve, trajtimin e vështirësive me qëndrueshmëri, si dhe pasqyrimin dhe ndjeshmërinë më të mirë për njerëzit e tjerë. Truri praktikohet duke i kushtuar vëmendje gjërave.
Me një lidhje të sigurt, mund të dilni dhe të bëheni të pavarur. Këto përvoja të përsëritura, jo të përsosura, të dikujt ju sigurojnë një lidhje të sigurt që ju lejon të jeni kurioz dhe hulumtues.
Një nga format e atashimit të pasigurt quhet atashim shmangës, ose shpërfillës. Kjo është kur një prind shmang shumë lidhje emocionale. Ju rriteni në një shkretëtirë emocionale, askush nuk i kushton vëmendje mendimeve dhe ndjenjave që qëndrojnë pas sjelljes tuaj.
Në mënyrë tipike, në këtë lloj marrëdhënie, fokusi tek gjërat është në nivelin sipërfaqësor, duke shmangur lidhjen më të thellë ose cënueshmërinë. Fëmijëve u thuhet të mos jenë aq të ndjeshëm ose nëse do të qajnë, duhet të shkojnë të qajnë në dhomat e tyre.
Fëmijët me këtë model atashimi nuk dinë të kërkojnë të qetësohen. Nga pikëpamja e neuroplasticitetit, ne e dimë që truri zhvillon atë që praktikohet. Pra, nëse keni një prind i cili kurrë nuk ju kushton vëmendje ose ju flet për mendimet ose ndjenjat, dëshirat tuaja ose peisazhin tuaj të brendshëm, ju mund të mos keni zhvilluar qark nervor optimal për të parë mendjen tuaj ose mendjen e të tjerëve.
Burimi / https://telegrafi.com/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.