Fëmijët bëhen më altruistë e më të dashur, nëse mësohen të dëgjojnë dhe respektojnë emocionet e të tjerëve. Sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Milanos, ku morën pjesë 150 fëmijë të moshës 2-3 vjeç, rezultoi se pasi kishin biseduar me persona të tjerë për mënyrën sesi ndiheshin, fëmijët ishin treguar më bujarë me njëri-tjetrin.
Për të kryer studimin, fëmijët duhej të dëgjonin histori të shkurtra, ku persona të ndryshëm shprehnin emocionet e tyre, të tilla si dhimbje, trishtim, zemërim etj. Më pas u vu re se kur fëmijët filluan të luanin me njëri-tjetrin, pas fazës që dëgjuan emocionet, ishin më të dashur, e më të disponueshëm për të qenë në ndihmë të bashkëmoshatarëve.
Sjelljet që shfaqën më shumë fëmijët ishin: ndarja e sendeve personale me shokët, mirëkuptimi ndaj njëri-tjetrit, ngushëllimi i atyre që ishin të trishtuar.
Shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se njohja e emocioneve, i bën fëmijët më altruistë, më socialë e më bujarë.
Rezultati i këtij studimi është i rëndësishëm sepse këto sjellje e mbajnë fëmijën larg nga sjelljet negative sociale si agresiviteti, ngacmimi, abuzimi.
Për t’i ndihmuar fëmijët të zhvillojnë ndjenjën e altruizmit e bujarisë me të tjerët, nuk mjaftojnë vetëm praktikat e njohjes së emocioneve. Familja ka gjithashtu rol shumë të rëndësishëm në edukimin e fëmijës. Prindërit mund ta bëjnë këtë gjë më së miri duke dhënë shembullin e tyre, duke ndihmuar të varfrit, duke u bërë dhurata atyre që kanë nevojë etj.
Burimi / www.pernenat.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.