Në fokus

April 21, 2017 | 12:06

Ja si e munda kancerin!

E vërtetë, ti kishe ardhur shumë kohë më parë brenda meje, kërkoje të më merrje qenien time, t’i jepje fund ëndrrave dhe ditëve të mia plot jetë. Kur dora ime fillon të shkruajë për ty, nuk gjen tjetër, përveçse frikë ndaj teje, ankth, vuajtje, sakrificë për të larguar përtej meje.

Nga Meri Cerri Ago

Nga Meri Cerri Ago

Të tillë të përjetova që në momentin e parë që dëgjova për ty. M’u mbush zemra me trishtim, m’u mbush trupi me siklet, m’u ngadalësuan hapat e jetës për të qenë më e fortë.

Vendosa të pranoj që ti ishe brenda meje, por ti ishe shumë e fortë për t’u përballuar. Nuk njihje mëshirë për mua, djalin që kisha pranë, nënën, bashkëshortin, njerëzit që më rrethonin, kërkoje të më largoje me çdo kusht, sepse e tillë je, merr jetë në më shumë se 8.2 milionë njerëz në vit në të gjithë planetin tonë.

Ty nuk të mjaftonin lotët e të ndjeje keqardhje, nuk të mjaftonin kafshatat e të ndjeheshe e ngopur si edhe nuk të mjaftonin ato pak qeliza, por kërkoje një familje të madhe.

Po përse vallë u tregove e ligë me mua? Kërkove që unë të mësoj më shumë për ty?

Kërkove që edhe unë të ndjej sesi mijëra njerëz kudo në botë, vuajnë e gjenden papritur përballë një situate katastrofike, të çeikulibruar trupore?

Kërkove, aq sa dhimbja më shkoi deri në palcë, kur brenda venave të mia u futën shumë serume me kimioterapi. Kërkove, sa flokët, vetullat e qerpikët e mi u venitën krejt, e prapë ty nuk të mjaftoi kjo.

Vendosa që të vërtetën tënde ta ndaj me njerëzit që kisha pranë, por ishe edhe më e hidhur nga kjo që bëra. Kishte nga ata njerëz që më gjykuan rëndë, se përse të vërtetën time duhet ta dinë të gjithë?

Më gjykuan duke thënë që, unë do jem një e sëmurë tërë jetën, një e “shëmtuar” tërë jetën dhe që me mua ndjenin lodhje e mëshirë akoma pa e nisur këtë betejë!

U përula, ndjeva diskriminim mes lotëve e lodhjeve pa limit. Por prapë, unë nuk kërkova që ti të ishe e vërteta që unë të mburresha, thjesht me përulje më të madhe. Ndjeva frikë dhe kërkova shumë duar të më nxirrnin nga gjendja psikologjike në të cilën ndodhesha!

Një dorë e bërë grusht e fortë në zemër, e nuk e hapa kurrë për ty, kurse dorën tjetër e zgjata për ju, që të ndjehesha pjesë e kurajës tuaj, e lutjeve tuaja pafund, e dëshirës, që me ju të gjithë bashkë do ia dilja mbanë.

Një mik, m’u shpreh që “Edhe burrat më të fortë janë dorëzuar përballë kësaj sëmundje”, por unë kisha “burrin” brenda vetes, ishte zëri i djalit që çdo ditë priste të bëhesha mirë.

Nga mesi i muajit shtator e deri në 30 Dhjetor 2016 qenia e Melit njohu dobësimin më të madh të jetës së saj, atë të ndryshimit fizik, shpirtëror dhe psikologjik, e mes gjithë kësaj vuajtjeje prisja të lutesha pafund që do ia dal mbanë.

E ndodhur çdo ditë përballë lutjeve pa fund në Zotin e Madhëruar, përballë lutjeve e kurajës suaj, më në fund, në mesin e muajit dhjetor, mjekët më dhanë lajmin e parë të mirë, atë të shmangies së ndërhyrjes tjetër kirurgjikale.

Nuk mjaftoi vetëm kjo. Unë vërtet për katër muaj e gjysmë bëra kimioterapi, por kimio ishte brenda meje, kurse terapia ishte familja që më qëndroi pranë, ju të dashur miq, të afërm, kushërinj (motra e vëllezër të mi) dhe shoqëria ime, që nga jashtë meje, priste të isha e fortë, të gjeja guxim se një ditë makthi do kalojë.

Ashtu ndodhi! Një forcë e pafund lindi brenda çdo kufiri, që të keqen mos ta lejoja të më bënte keq. Ishte forca për jetën që e dua shumë. Falë dashurisë per jetën time, falë dashurisë për njerëzit që më rrethojnë, falë ekipit mjekësor të Onkologjikut Tiranë, arrita të gjej pafund forcën se, një ditë do ju gëzoj me fundosjen e së vërtetës sime të hidhur.

Nga sot e tutje po filloj të besoj se, kam arritur t’i jap fund betejës së parë, tani po arrij të besoj se kanceri që ndodhej brenda meje është më i vogël se mua.

Arrita të marr akoma gëzim për jetën. Një pranverë të dytë pres, që jetës sime t’i japë sërish ngjyra.

Tani, dora ime do jetë akoma më e, ku në çdo ditë kërkon t’ju falënderojë në ditë të gëzuara dhe  kur në ditë të vështira kërkon ndihmë përballë çdo stuhie të jetës.

Mund të them që u mposht e vërteta e hidhur, por lufta për jetën vazhdon dhe e rëndësishme është që ta vazhdoj të mbushur me dashuri, gëzim e shpresë, e të shkuarës t’i lë vetëm ëndrrën e keqe që do shërbejë si forcë e madhe për realitetin që na pret.

PS: Me foton po kërkoj t’ju tregoj që gëzoj shëndet të mirë.

Burimi: http://perqasje.com/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top