Posta

November 23, 2019 | 8:06

Posta nga Denata Toçe / Jam tmerrësisht xheloze

Jam tmerrësisht xheloze për partnerin tim dhe për këtë bëj skena të ekzagjeruara ose skena në kufijtë e dhunimit të privacisë (i kontrolloj celularin, postën elektronike). Mjafton një gjë e vogël që të shpërthej: e marr në telefon e ai nuk e hap; nuk takohemi dot një pasdite apo një ish e tij ndahet nga i dashuri tjetër… Asnjë sjellje dashurie nuk e qetëson xhelozinë time, në të vërtetë jam duke e jetuar këtë raport timin të fundit në një ankth të vazhdueshëm se mos ai më le. 

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Si fillim dua të të kujtoj se të gjithë ne, pa përjashtim, kemi ndjenja xhelozie. Ato janë më se të natyrshme dhe shpesh të nevojshme në një marrëdhënie, deri në pikën që nuk janë racionale, të përputhura me realitetin, pengojnë integritetin e tjetrit, lirinë, hapësirën personale të tij.

Ju vetë pohoni se po dhunoni hapësirën e tij personale. Nëse këto ndodhin, sigurisht që do të kemi të bëjmë me shumë probleme në partneritet. Mbi të gjitha, ju vetë do të vuani shumë e zhytur në zinxhir mendimesh që shkaktojnë ankth dhe stres.

Siç edhe ju thashë më sipër, ne të gjithë i kemi këto ndjenja, por duhet të kemi kujdes që të mos na kthehen deri në akte mazokizmi të vetes sonë. Ju do të vuani shumë nëse vazhdoni të ngrini hipoteza me “po sikur…”. Unë kam një “po sikur” për ju: Po sikur të provonit të mendonit për një moment që e gjithë kjo sjellje t’ju ishte drejtuar ju? Sigurisht që një moment na pëlqen që i dashuri të ishte xheloz për ne, por deri në momentin që kjo nuk na çon në lodhje.

Një shprehje e bukur latine thotë: “një jetë e jetuar me frikë, është një jetë e jetuar përgjysmë”. Kur frika ka baza irracionale sigurisht që e bën këtë shprehje më të vërtetë, sepse harroni të jetoni gjërat e bukura që mund t’ju ofrojë lidhja me partnerin tuaj. 

1

Filloni të mendoni diçka fare të thjeshtë, kush është aktualisht në krah me të? Ju jeni. Nuk ka rëndësi se me kë kemi qenë, rëndësi ka se me kë jemi… Relaksoni mendjen tuaj dhe vlerësoni lidhjen që keni, pa frikëra se mos e humbisni, se kështu do ta humbisni vërtet.

Frika është e mirë t’ju bëjë juve vigjilente që t’i ruheni rrezikut, por mos e ngatërroni, vetëm kur rreziku shfaqet vërtet. Sa më shumë ju të shpenzoni kohë duke parë e-mail-et, mesazhet, telefonatat, etj, aq më tepër ju do të shtoni frikërat tuaja. Informacioni në këto kushte nuk jua qetëson xhelozinë, por e ushqen duke kërkuar vetëpërmbushjen e profecisë vetjake.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top