Posta

October 14, 2019 | 8:15

Posta nga Denata Toçe / Jam shumë impulsive

Denata ToceNga: Denata Toçe

Psikologe Këshillimi

 

 

 

 

 

 

Jam një grua 42 vjeçe dhe në marrëdhënie me të tjerët jam shumë impulsive. Nuk kam aftësinë që të kontrolloj veten dhe them gjithmonë atë çka mendoj. Shpesh jam e ndjeshme, dyshuese dhe pothuajse asnjëherë nuk i vlerësoj njerëzit që më rrethojnë. Kjo sjellje më krijon vështirësi në marrëdhënie me miqtë dhe me bashkëshortin dhe jam e paaftë të krijoj lidhje të qëndrueshme. Bashkëshorti, ndoshta ngaqë më njeh dhe ndoshta ngaqë më do, më duron, por kam frikë se nuk do vazhdojë gjatë kështu.  

Përgjigje: I kam admiruar njerëzit që janë të hapur dhe të sinqertë dhe që shprehin pa frikë mendimin e tyre. Është një cilësi shumë e mirë kur përdoret për të arritur rezultat në marrëdhënie me veten dhe të tjerët. Ju po më shprehni se nuk ndodh kështu në rastin tuaj.

Atëherë vlen të shikoni nëse është ngaherë dhe me çdo person të thoni mendimin tuaj të hapur dhe a jeni e sigurtë për mënyrën se si po e shprehni mendimin tuaj? Këto mund të jenë pyetje që do të vendosnin në diskutim marrëdhënien me veten dhe të tjerët.

Pjesa më e madhe e jona tundohen për të thënë mendimin e tyre, ashtu sikurse i kalon në kokë, por me kalimin e kohës, që nga fëmijëria jonë, kemi mësuar të vendosim disa “filtra” në procesin e komunikimit, pikërisht që të mund ta përmirwsojmë këtë të fundit dhe të arrijmë rezultatin e dëshiruar.

Ne priremi të mendojmë se është më e rëndësishme të themi të vërtetën “troç”, por harrojmë të mendojmë, cili është rezultati që duam të arrijmë? Pa dashur, pjesa më e madhe e marrëdhënieve përfundojnë në konflikt dhe më pas marrëdhënia prishet, ne të shumtin e rasteve, përfundimisht.

A është kjo ajo çfarë dëshironi? Ju më shprehni se JO! Atëherë ia vlen të shikoni mënyrë e komunikimit, të vlerësoni personat që keni përballë në interes të marrëdhënies suaj sociale dhe profesionale.

Në psikologjinë e stresit, sjellë në shqip nga Prof. Dr. Theodhori Karaj thuhet: “nëse jeni e zemëruar numëroni deri në 10, nëse jeni shumë e zemëruar, deri në 100”. Zëvendësoni fjalën “zemërim” me “të thuash atë që mendon tani” dhe “shumë e zemëruar” me “të thuash atë që mendon patjetër tani”. Kjo është një mënyrë e mirë për të menaxhuar stresin e vrullit impulsiv për të thënë ankthshëm atë që mendoni.

Duke komunikuar gjithçka në “mënyrën tuaj”, atëherë dhe marrëdhëniet ju cedojnë shpesh dhe kështu preket akoma më shumë vulnerabiliteti juaj. Merreni shtruar dhe kërkoni t’i bashkoheni sado  pak “tjetrit” në keni përballë, duke mos nënvlerësuar asnjë çast, rëndësinë që “tjetri” ka për ju. Kështu di të ndjeheni më pak vetëm me veten tuaj. Nga letra juaj kuptova se thirrja indirekt ishte kjo: nuk dua të ngelem vetëm!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top