Posta

August 11, 2016 | 8:13

Jam shumë xheloz

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Përshëndetje znj. Denata! I kam lexuar shpesh letrat tuaja dhe doja t’ju pyesja për disa gjëra që më shqetësojnë. Studioj në universitet dhe mendoj se jam inteligjent, pasi gjithmonë arrij të bëj analizën e sjelljeve të mia. Në këtë periudhë sapo jam ndarë nga e dashura. Ishte një lidhje serioze, por kam kuptuar se në këtë ndarje ka ndikuar shumë fëmijëria ime. Prindërit e mi janë divorcuar kur unë isha 13 vjeç. Im atë ishte shumë xheloz, e kundërta e mamasë sime, e cila është një grua e fortë. Gjithsesi, ky fakt, sigurisht që ka ndikuar në karakterin tim. Pavetëdijshëm bëhem xheloz dhe shumë posesiv. A ‘shërohet’ xhelozia dhe posesiviteti? Shpresoj të jem shpjeguar ashtu siç duhet. Faleminderit!

Përgjigjie:Fëmijëria ndikon në formimin e personalitetit tonë, por kjo nuk do të thotë që dhe përvoja jetike që kalojmë ndër vite nuk na mëson një spektër të gjerë skemash se si të veprojmë në jetën e përditshme, me veten dhe të tjerët. Fakti që prindërit tuaj janë ndarë, pa dyshim, ka ndikuar në jetën tuaj dhe në mënyrën se si i shikoni situatat, por kujdes! Nuk është e thënë që në ngjarjet e jetës të përfshihet, mbi të gjitha, e kaluara juaj me prindërit. A mund të jepni arsye se përse jeni ndarë nga partnerja? Është xhelozia një ndjenjë që e keni të lidhur me kontekstin, apo janë situata që kuptoni se ndoshta po trilloni në mendjen tuaj apo po parashikoni një ngjarje që ende nuk ka ndodhur?! Këto janë pyetje që do mund t’ju ndihmojnë të kuptoni nëse xhelozia juaj është irracionale ose racionale. A ka arsye të tjera që i identifikoni si shkaqe të ndarjes, përveç xhelozisë? Këtë pyetje jua bëj për të kuptuar më mirë situatën dhe për të mos i mbiveshur asaj nocione vicioze të së kaluar, si për të “justifikuar” shkaqet e ndodhisë. Ndoshta partneren nuk e doni më ose e kundërta. Ndoshta ju ka lënduar dhe nuk mund ta duroni. Ndoshta mungon komunikimi midis jush, si një aset për të kuptuar dhe mbështetur më mirë njëri-tjetrin. Nëse shqetësimi mbetet sërish xhelozia, e cila ju pushton dhe ju mundon në marrëdhëniet që ndërtoni, atëherë, si person analitik që e përshkruani veten, është e udhës të bëni një “stërvitje” me mendjen tuaj, duke identifikuar se cilat aspekte të xhelozisë janë reale dhe cilat janë “të trilluara”, që nuk kanë ndodhur ose parashikohen në mënyrë profetike të ndodhin. Nëse ka elementë të kësaj natyre, vlen që të mund ta qetësoni veten tuaj, sa më shumë të njiheni me to, dhe të vlerësoni të tashmen, si një mundësi për ta gëzuar marrëdhënien. Nëse ndjenjat bëhet më të forta, deri në pengesën e funksionimit gjatë jetës së përditshme në marrëdhëniet tuaja ndërpersonale, atëherë është e udhës të mund të vazhdoni mbështetjen profesionale pranë një profesionisti të fushës, përtej letrave në redaksi. Ju uroj jetë të mbarë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top