Anar Huseynov, Ambasador i Azerbajxhanit në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën Helene
20 Janari i vitit 1990 është një moment historik vendimtar për Azerbajxhanin në rrugën drejt pavarësisë. E shënuar zyrtarisht si Dita e Zisë Kombëtare, është gjithashtu një ditë krenarie kombëtare për vendin, duke u bërë simbol i vullnetit të palëkundur në emër të pavarësisë kombëtare dhe lirisë së popullit Azerbajxhan. Kjo ngjarje epokale ishte faktori vendimtar në formimin e identitetit kombëtar të Azerbajxhanit dhe shënoi një pikë kthese në rivendosjen e pavarësisë kombëtare. Ishte tragjedia e Janarit që e ktheu një lëvizje nacionalçlirimtare në një realitet politik dhe i dha shtysë të fortë luftës së popullit Azerbajxhan për pavarësi.
Masakra e popullatës civile të Baku më 20 Janar u krye me udhëzimet e qeverisë sovjetike të asaj periudhe për të shtypur protestën e drejtë të popullit Azerbajxhan, për të parandaluar zgjerimin e lëvizjes çlirimtare në Azerbajxhan dhe më gjerë. Për këtë arsye, trupat e BRSS që numëronin më shumë se 20.000 persona, hynë në Baku natën e 19-20 janarit 1990 dhe ushtria sovjetike, pa shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, filloi operacionet ushtarake kundër popullit civil të Azerbajxhanit. Masakra brutale u krye mbi popullsinë paqësore, qindra njerëz u vranë, u plagosën dhe u zhdukën.
Rrënjët e tragjedisë së Janarit datojnë që nga viti 1988, kur përpjekjet për të aneksuar rajonin e Nagorno-Karabakut të Azerbajxhanit me Armeninë dhe një valë tjetër e dëbimit të Azerbajxhanasve nga tokat e tyre historike në Armeni po arrinin pikun. Për shkak të përkeqësimit të konfliktit të Nagorno-Karabakut, një lëvizje kombëtare u rrit në Azerbajxhan dhe situata në vend u tensionua. Populli i Azerbajxhanit u tërbua nga pretendimet territoriale dhe aktet agresive të Armenisë, të mbështetur nga disa zyrtarë të atëhershëm sovjetikë kundër Azerbajxhanit. Që nga viti 1988 lëvizja kombëtare për liri u rrit. Duke protestuar kundër kësaj politike të BRSS, mijëra njerëz mbajtën demonstrata gjatë gjithë ditës në sheshin qendror dhe në rrugët e Baku.
Por udhëheqja sovjetike kreu një krim të tmerrshëm kundër popullit Azerbajxhan, në vend që të parandalonte këto tensione në rritje. Politika e liderit sovjetik Gorbaçov u bë një detonator për forcimin e separatizmit armen në Nagorno-Karabakh, i cili mbrojti aneksimin e këtij territori në Republikën armene. Si rezultat i veprimeve ushtarak, zyrtarisht u vranë 131 persona. Jozyrtarisht shifrat shkojnë në të paktën 300 dhe ndoshta më shumë. Edhe sot e kësaj dite, më shumë se 30 vjet më vonë, e vërteta nuk dihet, pasi me sa duket shumica e dokumenteve u konfiskuan dhe u kthyen në Moskë nga Ushtria Sovjetike kur u bë e qartë se Bashkimi Sovjetik ishte në prag të kolapsit. 744 persona mbetën të plagosur rëndë, 4 të zhdukur, 400 të arrestuar. Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, 21 persona të tjerë u vranë në Baku, 26 u qëlluan në qytetet Neftchala dhe Lankaran. Banorët e Azerbajxhanit e quajnë këtë tragjedi “Janari i Zi”, që do të thotë masakra e civilëve që ndodhi gjatë këtyre ditëve. Meqenëse zyrtarët sovjetikë kanë deklaruar publikisht se qëllimi i ndërhyrjes së trupave sovjetike ishte parandalimi i përmbysjes së qeverisë sovjetike të Republikës së Azerbajxhanit nga lëvizja kombëtare, dënimi i bërë ndaj qytetit te Baku-s nga ushtarët sovjetikë mund të ketë synuar si një paralajmërim për lëvizjet çlirimtare, jo vetëm në Azerbajxhan, por edhe në Republikat e tjera të Bashkimit Sovjetik.
Masakra e përgjakshme që ndodhi në Baku në Janar 1990 tregoi thelbin gjakatar antihumanist të regjimit totalitar Sovjetik, kur forcat e armatosura të BRSS u përdorën edhe një herë kundër lëvizjes çlirimtare dhe pavarësisë të njerëzve. Kjo ishte metoda e besueshme e Bashkimit Sovjetik për shtypjen e lëvizjeve çlirimtare, e aplikuar kundër kryengritjes hungareze në 1956 dhe Pranverës së Pragës në 1968. Veprimi ndëshkues i forcave të armatosura sovjetike që kryen në Baku në janar 1990, përmasat, mizoria, numri të viktimave njerëzore tejkaluan ngjarjet në Tbilisi, Vilnius, Riga e kështu me radhë. Këto ishin konvulsionet e fundit të perandorisë sovjetike të vjetruar.
20 Janari ishte sprova e parë dhe fitorja morale në rrugën që e çoi kombin drejt pavarësisë, rikthimin e ideve kombëtare-shpirtërore.
“Janari i Zi” doli të ishte fillimi i fundit të sundimit sovjetik në Azerbajxhan dhe hapi rrugën për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Pavarësisht ngjarjeve të përgjakshme në Baku, dita e 20 janarit 1990 u bë një faqe heroizmi në historinë e luftës për pavarësi dhe integritet territorial të Azerbajxhanit.
Në këtë kohë vërtet vendimtare për republikën, duke vënë në rrezik jetën e tij, Udhëheqësi Kombëtar i Azerbajxhanit, Heydar Aliyev, mbajti fjalimin e tij të famshëm në Moskë, në të cilin ai e quajti vendimin e udhëheqjes supreme të Sovjetikës për të dërguar trupa në Baku si një akt “jo-njerëzor, antidemokratik dhe antikushtetues” dhe kërkoi “të ndëshkohen të gjithë personat e përfshirë në tragjedi”. Më pas, vendimi për vlerësimin e parë politiko-juridik të tragjedisë së 20 janarit u miratua nga Parlamenti i Azerbajxhanit, me iniciativën e tij.
Kanë kaluar 32 vjet nga tragjedia e 20 janarit. Azerbajxhani nderon kujtimin e viktimave të ngjarjeve të Janarit të Zi çdo vit.
“Janari i Zi” është regjistruar përgjithmonë në historinë e vendit si një ditë lufte heroike në emër të lirisë dhe integritetit territorial të Azerbajxhanit të pavarur, modern, demokratik dhe të begatë. Dita që çoi në humbje të rënda dhe në vrasjen e njerëzve të pafajshëm tregoi gatishmërinë për luftë, krenarinë e njerëzve që nuk mund të duronin politikën e pabesë të udhëheqjes së BRSS ndaj Azerbajxhanit, ngritën zërin për të fituar lirinë dhe pavarësinë.
Duke kaluar në këtë rrugë të përgjakshme, Azerbajxhani fitoi pavarësinë e tij, por kostoja ishte e lartë – 20 për qind e territorit tonë u pushtua si rezultat i agresionit Armen, i cili kaloi në operacione ushtarake aktive.
Udhëheqja sovjetike vazhdonte të minonte rivendosjen e shtetit të pavarur dhe demokratik, duke mbështetur agresionin ushtarak të Armenisë kundër Azerbajxhanit. Kjo mbështetje rezultoi në pushtimin e territoreve të njohura ndërkombëtarisht të vendit tonë. Përveç kësaj, Armenia ka kryer një politikë spastrimi etnik kundër azerbajxhanasve. Si rezultat, më shumë se një milion Azerbajxhanë u gjendën në pozitën e refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit. Këto veprime, pa dyshim, janë shkelje masive e të drejtave themelore të popullatës civile.
Azerbajxhani gjithmonë ka mbrojtur zgjidhjen paqësore të këtij konflikti. Pavarësisht negociatave 30 vjeçare të ndërmjetësuara nga bashkëkryesuesit e Grupit te Minskut të OSBE-së, asnjë rezultat nuk është arritur. Vitet e fundit, Armenia ka shkatërruar qëllimisht procesin e negociatave, duke kërcënuar Azerbajxhanin me një luftë të re për territore të reja. Në shtator të vitit të kaluar, Armenia filloi një sulm ushtarak në shkallë të gjerë ndaj Azerbajxhanit. E mposhtur plotësisht në luftën dyzet e katër ditëve, Armenia u detyrua të tërhiqej nga territoret e pushtuara të Azerbajxhanit duke nënshkruar një akt kapitullimi më 10 nëntor 2020. Vetë Azerbajxhani siguroi zbatimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për konfliktin e mëparshëm. Konflikti i Nagorno-Karabakut ka hyrë në histori. Ky zhvillim nuk është vetëm një moment historik vendimtar në historinë e Azerbajxhanit të pavarur, por edhe një kusht jetik për paqen e qëndrueshme, bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon.
Azerbajxhani beson se çështja është zgjidhur dhe duhet të ketë një marrëveshje paqeje midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Të dyja palët duhet të njohin reciprokisht integritetin territorial të njëra-tjetrës dhe duhet të fillojë procesi i caktimit dhe demarkacionit të kufijve shtetërorë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.