Këshilla & Arsye

June 18, 2016 | 9:00

Jepini frymëmarrje dyshes suaj!

Ti dhe unë baraz me dy. Por ku mbaron “uni”? Për të mos humbur brenda çiftit dhe për ta ushqyer pa e shteruar, ka një zgjidhje: mbani distancën e duhur dhe pohoni identitetin… “Martesa është kur një burrë dhe një grua bëhen një njeri i vetëm. Gjëja e vështirë është të dish kush!”. Kjo shprehje e Woody Allen përmbledh mrekullisht problematikën e çiftit. Gjithë ajo që ngjante magjike në fillim, ndarja e të njëjtit shtrat, të njëjtave shije, të njëjtëve miq, argëtime dhe mënyra shprehjeje, pasohet shumë shpejt jo vetëm me varfërimin e ndjenjës dashurore, por ndonjëherë edhe me ndjesinë e humbjes së identitetit. “Ne” e fashit vendin e “unë”. Dyshja e gëlltit individin. Marrëdhënia e shndërron tjetrin në një zgjatim të vetes, në një dublim me kalimin e kohës të paparashikueshëm. Më në fund nuk mundemi të shohim qartë se cilët jemi. Dëshira fiket dhe lodhja triumfon. Terapeutët pohojnë: kur na zihet fryma në çift, nuk ekziston më aftësia për të parë qartë në ndjenjat vetjake, pikërisht sepse ka humbur dëshira dhe energjia. Duket paradoksale, por mund të jetë një moment i mirë për të bërë disa pyetje për veten dhe marrëdhënien. A jetoj një marrëdhënie, ku njëri e ha tjetrin, apo në një ku njëri e ushqen tjetrin? A jam mjaft e sigurt në lidhje me ndjenjat, që ta lejoj tjetrin të jetë i lumtur edhe jashtë dyshes sonë? Janë të shumta rrugët që mund t’i ofrojnë shtysa të reja çiftit ose t’i japin oksigjenin që i mungon. “Brenda disa viteve nuk e dija më se kush jam. ‘Unë’ isha e fshehur pas ‘ne’, tregon Nadia, 42 vjeç, e martuar prej 12 vitesh. “Asgjë nuk më magjepste më tek ai, parashikoja gjestet, fjalët e tij. Kisha dëshirën të braktisja gjithçka, më zihej fryma…”.

1.Të dini të rrini dy

Nadia nuk i ka thënë “po” gjithçkaje. Ka vendosur të “lejojë ajrin të hyjë në jetën e saj” dhe është lëshuar në një aktivitet bamirësie që e ka lejuar të angazhohet jashtë dyshes, të interesohet për marrëdhënie të reja, por sidomos ka kërkuar të rigjejë energjinë dhe entuziazmin. Brenda disa muajsh është ndjerë “më autonome, më e arsyeshme, më e gjallëruar dhe më e dashur”. Të jesh dy, do të thotë edhe të pohosh veten dhe të jesh e aftë të thuash “jo”. Mund të duket diçka e thjeshtë, por nuk është aspak. Ideja se kur dashuron, duhet të bësh dhe të kesh dëshirë të bësh të njëjtat gjëra me tjetrin, është shumë e rrënjosur në shpirtin tonë. “Nëse nuk bën si unë, do të thotë se nuk më do edhe aq”, është e nënkuptuar. “Pasiguria lind nëse individët janë aq të mbyllur në çift, sa i humbin nga fushëpamja nevojat vetjake, duke mos e vlerësuar më faktin se janë persona të veçantë”, shpjegon Claudio Boienti, psikolog e psikoterapeut. “Përkundrazi, është e nevojshme ta kultivosh, duke e respektuar ndryshueshmërinë, duke guxuar të kesh disa dëshira vetjake dhe t’i respektosh ato të tjetrit. Në kërkim të një të mesmeje të ekuilibruar”. Pa zonat vetjake të hijes, i lëmuar si një pasqyrë, i parashikueshëm dhe familjar, personi tjetër që ishte dukur në fillim tërheqës si një leopard, është shndërruar në një mace të madhe shtëpiake. Si të na mahnisë nëse nuk e dëshirojmë më?

2. Shmangni sakrificat

Të braktisësh qendrën estetike që e kishit shumë për zemër, miqtë e vjetër, hobet që ke pasur gjithnjë… për t’i kushtuar më shumë kohë çiftit, ose më keq, të jesh e detyruar të përshtatesh me tjetrin kërkon jo vetëm mohimin e veçantisë suaj, por edhe ushqen në mënyrë të pandërgjegjshme zemërimin, i cili manifestohet me rastin e parë. Sakrificat janë pra një formë shantazhi, që do të përfundojë gjithnjë duke helmuar intimitetin në çift. Kush sakrifikon, jeton me bindjen se një ditë do të shpërblehet për devotshmërinë e vet dhe përpjekjen më të vogël për autonomi të partnerit e sheh si mungesë të patolerueshme mirënjohjeje. Në vija të përgjithshme, nëse bën rregullisht disa lëshime për t’i pëlqyer tjetrit, do të përfundosh duke bërë efektin e kundërt. Kush sillet në këtë mënyrë, nga njëra anë qëndron i burgosur brenda një personaliteti të përfytyruar, nga ana tjetër e mbyt tjetrin nën peshën e kujdesit të vazhdueshëm dhe të dukshëm.

3. Japni hapësirë dashurisë

Është një hapësirë e zakonshme dhe një realitet: jeta në çift na bën të plogësht. Dhe jeta moderne na lodh. Përfundimi është që shpesh flemë në krah të tjetrit të sfilitur dhe… të munduar. Dhe kështu ndodh që midis plogështisë së lehtë dhe lodhjes së madhe, lidhja dashurore shndërrohet në një lidhje vëllazërore. Trupi i tjetrit tashmë është shumë i njohur, humbet ngarkesën erotike. Nuk ekziston një recetë magjike, ama ka mënyra që mund të ndihmojnë shmangien e rrëshqitjes në një marrëdhënie të ftohtë. Për shembull, mund të përpiqemi të krijojmë një “hapësirë dashurie” (kohë ose vend) kushtuar vetëm takimeve seksuale të çiftit. Mund të jetë një kënd i dhomës i sistemuar si kthinë, ose mund të jetë një fundjavë kushtuar sensualitetit, gjatë së cilës, arti, ushqimi ose natyra mund të nxisin dëshirën dhe krijojnë një intimitet të ndryshëm nga ai i përditshëm.

4. Të kultivosh dëshirën tjetërkund

Dëshira ushqehet edhe jashtë çiftit, kujtojnë seksologët. Nuk bëhet fjalë për të qenë të pabesë, por për të orientuar antenat seksuale jashtë hapësirës së përcaktuar për marrëdhënien dyshe. Lëreni veten të josheni aq sa duhet për të shijuar “mundësinë” pa u dorëzuar të sforcuar. “Në mënyrë paradoksale, janë çiftet që dhurojnë më shumë liri ato që janë më besnikë”, shënon Valentina Riboni, psikologe e neuropsikologe. “Në çiftet më të mbyllura, ‘molla e ndaluar’ bëhet një lloj magneti”. Të kultivosh dëshirën jashtë çiftit nuk ka të bëjë vetëm me sesnualitetin. T’i kushtosh kohën e duhur vetes për kënaqësi, të ndash momente intime me të tjerët, do të thotë edhe të shumëfishosh burimet e energjisë jetësore, t’i japësh jetë ekzistencës, pra dëshirës vetë.

Të pranosh largimin

Bashkërendoni disa momente ndarjeje (nga disa ditë, në një ose dy javë) për t’u ritakuar më pas me më shumë hare. Këshilla, që duket tregues i një buonsesni të thjeshtë dhe që jepet edhe nga seksologët dhe terapeutët e çiftit, duket si një motiv. Por jo. Kur njëri nga partnerët kërkon energjinë tjetërkund, lehtësisht ngrenë krye demonët e pasigurisë afektive. Si mund të jetë i lumtur pa mua? Po nëse gjen dikë më të mirë se unë? Po sikur t’i shijojë qëndrimi larg meje dhe të mos ketë më dëshirë të kthehet? Mes dashurisë dhe pronësisë, shpesh kufiri është shumë i brishtë. Frika nga braktisja, brishtësia narcizistike janë frena, shpesh të pandërgjegjshme, që na pengojnë ta lëmë tjetrin të bëjë një hap larg nesh. Në këtë pikë, duhet të bëjmë të qartë se në të vërtetë është frustrimi ai që na bën të ikim dhe jo liria. Një partner i qetë ka gjithnjë më shumë dëshirë të japë, sesa një i frustruar. “Më parë vuaja gjithnjë paksa, kur partneri im ikte për të bërë ndonjë reportazh”, rrëfen Lura, 38 vjeç, arkitekte, e martuar me një gazetar. “Tani përfitoj nga mungesa e tij për të bërë diçka të re për veten dhe me kënaqësi ve re se kur kthehet, marrëdhënia jonë është më e hareshme edhe për shkak të rifreskimit nga koha që kemi qenë larg njëritjetrit”. Një tjetër frenë për autonominë është mënyra tradicionale e të parit të gjërave: “Një çift duhet të rrijë gjithnjë i bashkuar, gjatë gjithë kohës”. Dhe kështu, nëse ndjejmë nevojën për të dalë vetëm, apo, nëse ndihemi mirë në çift, por jo gjatë gjithë kohës, mendojmë: “Nuk e dashkam sa duhet, qenkam gabuar në lidhje me partnerin tim” apo: “Nuk qenkam bërë për jetën në çift”. Shumë çifte mendojnë kështu dhe në vend që të asgjësojnë këtë bindje të gabuar, duke këmbëngulur te një besim i tillë, asgjësojnë marrëdhënien.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top