Lifestyle

August 15, 2017 | 15:36

Jeta e Shqipërisë së 30 viteve më parë, mes buzëqeshjeve të ngrira, me frikën se shikimi përballë ishte sfidë

Nga Fatmira NIKOLLI

Burra e fëmijë që transportojnë qumësht hipur në kuaj, bunkerë, gra me shami, shikues të venitur ulur mbi mbrojtëset prej betoni, një grua me dy dhi kapur për litari – pothuaj e qeshur në një pozë “alla Merilin” megjithëse e paimagjinueshme për kohën; një burrë i ulur që mban ballin më dorë, hyrja e një vendstrehimi në anë të një pallati, një rruginë gjirokastrite ku një fëmijë mban në dorë ‘bukën e përditshme’, një tjetër me një tufë lule, ulur në biçikletë me të atin, mozaiku i Muzeut Kombëtar, këmbësorë që shëtisin dhe një burrë mbi biçikletë që sheh drejt objektivit.

6

Në bardh e zi, dramaciteti, ndjehet më shumë. Mes varfërisë e ideologjisë, që nuk shihet po ndihet pezull në ajër, Shqipëria shfaqet me bukë, bunkerë, e varfëri. Biçikleta është e kudogjendur, në rrugët pothuaj bosh. Jeta e përditshme e Shqipërisë së më shumë se 30 viteve më parë shfaqet me pezmin që bartte, mes buzëqeshjeve të ngrira, shikimeve që treteshin diku, veç për të mos parë çastin me sy, me drojën e frikën se shikimi përballë ishte sfidë.

Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar thotë se ekspozita fotografike “The Other Side of Albanian Communism” (Ana Tjetër e Komunizmit shqiptar) është një ekspozitë që mundohet ta shikojë në mënyrë integrale historinë e zhvillimit të sundimit komunist në jetën publike të Evropës Lindore. “Për herë të parë për publikun do të publikohen foto sesi dukej Shqipëria e viteve të fundit të diktaturës në sytë e një fotoreporteri të huaj”, shton ai për ‘Gazeta Shqiptare’. Ekspozita çelet në Muzeun Historik Kombëtar me 17 gusht në orën 18:00.

Koçi shton se është e vërtetë që Shqipëria ka qenë një rast i veçantë brenda Perandorisë të së Keqes, por ajo ka të përbashkëta diferencën në mjerimin njerëzor të ëndrrës për një jetë më të mirë dhe realitetit të trishtë, që kishte ngërthyer vendet e Evropës Lindore në fund të viteve ‘80. “Ekspozita në vetvete është një thirrje për një dialog të hapur me të shkuarën dhe dëshmi antropologjike e vizuale e së shkuarës për atë çka ishte Shqipëria në fund të viteve ’80”, bën me dije historiani e studiuesi Dorian Koçi.

EKSPOZITA

Ekspozita fotografike “The Other Side of Albanian Communism” (Ana Tjetër e Komunizmit shqiptar) mbledh bashkë fotografët e famshëm holandezë, të cilët kanë dokumentuar që të gjithë periudhën para dhe gjatë revolucioneve të ndryshme në vendet e ish-Bllokut Lindor. Ata kanë qenë dëshmitarë të momenteve historike, të tilla si krijimi në vitin 1980 i bashkimit polak të tregtisë, solidariteti, në Gdansk; rënia e Murit të Berlinit dhe Revolucioni në Rumani, në vitin 1989. Gjithsesi, ata kanë kapur edhe momentet e zakonshme të përditshmërisë. Tërësia e fotove paraqet një pamje të paparashikuar dhe shumëplanëshe të Bllokut Lindor të asaj kohe.

Fotografitë analoge bardh e zi, por edhe me ngjyra, mbajnë firmën e fotografit, duke regjistruar mënyrën se si ai ose ajo kanë fotografuar në ato kohë. Kjo ekspozitë bashkon rëndësinë historike të ngjarjeve sipas këndvështrimit të gjerë të foto-gazetarisë holandeze në vitet 1980 dhe 1990. Të gjithë fotografët pjesëmarrës në ekspozitë janë një shtyllë e fortë mbështetëse për një brez të ri të fotografëve të dokumentarëve dhe të gazetarisë.

Një pjesë e veçantë e ekspozitës i dedikohet punës së foto-gazetarit Piet den Blanken, i cili ka udhëtuar nëpër Shqipëri në vitin 1986, si pjesë e grupit të “shokëve të idealit”. Pavarësisht, ligjit që ndalonte kontaktet midis shqiptarëve dhe vizitorëve të huaj, si edhe ligjit që ndalonte realizimin e fotografive në rrugë, ai ia doli të bënte shumë fotografi të shqiptarëve dhe jetës së tyre të përditshme nën regjimin komunist.

1

5

4

3

2

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top