Jeta Faqolli këngëtare
Të jesh a të mos jesh vegjetarian? Për disa është një tendencë në rritje, mënyrë për të eliminuar përdorimin e mishit të kuq e njëkohësisht prirje për të mos u shëndoshur, gjë që bën shumë mirë për shëndetin. Në grupin e vegjetarianëve ka vite që dhe ajo është pjesë. Sigurisht që me ndihmën dhe këshillat e mjekësisë bashkëkohore. Për Jeta Faqollin kjo zgjedhje ka ardhur vitet e fundit gjë që ka funksionuar më së miri në organizmin e saj. E vogël, tregon ajo, e ka refuzuar mishin pa e ditur, ndërsa sot, jo aq e prerë por me karar, përpiqet të mbushë tryezën më shumë me jeshillëqe. Sepse kombinimi i bulmetit me perimet bio, te ajo kanë sjellë rezultate të efektshme si në peshë ashtu dhe në atë shëndetësor.
Kur e kuptuat prirjen tuaj, të qenit konsumatore vegjetariane?
Para disa vitesh duke lexuar revista dhe informacione për grupin tim të gjakut dhe se çfarë ushqimi duhej të përdorja për këtë grup. Por gjithsesi unë kam qenë kundra mishit që kur isha e vogël, nuk e përtypja dot dhe e urreja atë.
Sa % jeni e tillë?
Mendoj 80%,sepse unë përdor shumë perimet,bulmetrat por dhe mishin e peshkun herë pas herë duke i kombinuar. Normal s’mund të jetohet fare pa mish.
Është prirje gjenetike, apo një zgjedhje me kalimin e viteve?
Është zgjedhje që ka ardhur me kalimin e viteve, sepse duke u rritur kupton me mirë se si duhet të ushqehesh dhe të përzgjedhësh ushqimin që duhet për trupin tënd. Vitet e fundit gjithmonë kam qenë e interesuar se çfarë ushqimi bën mirë për metabolizmin tim sepse dihet jo të gjithë jemi njësoj.
Çfarë përmban dieta juaj ushqimore e përditshme?
Çdo ditë është e ndryshme sepse s’mund të ha të njëjtat ushqime. Mundohem t’i përdor të gjitha zarzavatet e stinës gjatë javës. Por më e zakonshmja që mundohem të ha çdo ditë është që në drekë të kem gatuar gjellë me zarzavate.
Cilat janë produktet që konsumoni dhe ato që shmangni?
Produktet që konsumoj më shumë janë llojet e sallatave, peshku, gjellë me zarzavate,djathi,kosi etj. Shmang patatet, s’më tërheqin shumë, karkalecat e detit sepse kanë shumë kolestrol, mishin, byrekun etj.
I druheni faktit që në tregjet tona ka produkte përgjithësisht jo BIO?
Është një fakt shumë shqetësues. Këtë e konstatoj sa herë marr ndonjë kile më tepër pavarësisht regjimit që mbaj. Por unë përpiqem të gjej ushqim bio. Por mendoj se përveç të ushqyerit është i rëndësishëm dhe aktiviteti sportiv. Personalisht gjej kohë për palestër, vrap nga liqeni dhe kërcim latin duke i kombinuar me njëra-tjetrën.
Në ndonjë rast specifik, ndonjë takim në restorant, jeni ndjerë e kushtëzuar për të shijuar ato çfarë ju janë ofruar?
Patjetër që po dhe normalisht dhe kam ngrënë sepse s’mund ta lija stomakun bosh, por nuk do më bënte dëm ndonjëherë.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.67
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.