Marrëdhënie

January 26, 2016 | 11:40

Jeta nën një çati

Manjola BaçiNga:Manjola Baçi

M.Sc Psikologe Klinike

Të jetuarit nën një shtëpi është një mënyrë pragmatiste për të zgjedhur qëndrimin dhe fluturimin së bashku, me një shpresë përgjithmonë të lumtur e të kënaqur. Fjalë klishe për të ilustruar këtë magji që ngjizet e shfaqet befas apo pa planifikuar. Duke përshkruar imagjinatën dhe ndërhyrjet në mendimet e përjetimet e secilit, rendim pas pështjellimeve dhe kurajës për iniciativa të guximshme, dhe pse jo edhe të pavetëdijshme. Gjithçka nis nga ndjenjat ndaj njëri-tjetrit. Të bashkëjetuarit në një çati, qoftë kjo me ose pa oxhak, bëhet një zgjedhje e dëshiruar. Mobilizimi i këtyre ndjesive, dashuri, kënaqësi, lumturi, intimitet, zbërthehen në këtë oaz vozitjeje lundrimi për të jetuar në dy, ndoshta edhe më vonë, për më shumë. Pëshpëritjet në vesh për të qenë bashkë, janë oguri që ata duan t’i urojnë vetes dhe ta ndajnë me të tjerët. Me një skemë arkitekture të shtëpizës së tyre, ku vendi të jetë sa më komod dhe i sigurt, i mbushur me historinë e fillimit dhe vazhdimit të dashurisë. Kur çifti bie dakord për shtëpinë apo kështjellën ku do të ndajë jetën në dy, së pari duhet të njohë mirë strukturën e lidhjes, përputhshmëritë e karakterit, shijet, pasionet, dimensionet e të parit, kjo për të lehtësuar dhe përshtatur gjendjen shpirtërore të secilit. Deri diku ato janë të njëjta, por me pak ndryshime. Njëri është më këmbëngulës, ndërsa tjetri tërhiqet, bëhet më indiferent ndaj shijes apo ndryshimit. Kjo ndodh për të plotësuar dëshirën e njërës palë. E gjithë kjo periudhë përcillet me emocione dhe me flutura në stomak. Përfshirja për të jetuar dhe zgjedhur bashkë është një fillim i mbarë, për të ndarë e dedikuar dashurinë, kohën dhe përgjegjësitë ndaj njëri-tjetrit. Në këtë kohë shprehen dhe shpalosen më së miri personaliteti i secilit, për vendimet dhe pritshmëritë që do të ndërmarrin në ndërtim të historisë së çiftit në folenë e tyre, të zgjedhur sipas shijes dhe perceptimit të përbashkët.

Në këto raste vendimesh apo zgjedhjesh, ballafaqohemi me ndjesitë, mendimet, logjikën e të vepruarit dhe kjo mund të kufizojë apo pranojë atë formë të perceptuari të tjetrit që është ndryshe nga e jona. Për hir të ndjenjës, ne pranojmë çdo kusht që na vihet dhe ndryshojmë sjellje së menduari e vepruari. Ndikimi i tillë shtrembëron mënyrën e të perceptuarit, kjo për shkak të dominimit që shpreh apo ka njëri nga partnerët. Një tendencë e tillë ka si tubim rregullatorin për një balancë që çdo pale i duket e drejtë.

Si të pranojmë vendimet bashkërisht

-Si fillim, ata që ende nuk janë çift në bashkëjetesë duhet t’u japim përgjigje pyetjeve që ngrihen me kryeneçësi. Përse u dashka të ndryshojë dhe të përshtatem me të? Të marrësh dhe të ndash vendime bashkërisht, nuk do të thotë se do të privohesh nga diçka. Funksioni i një lidhjeje nuk ka matës apo peshë, por mundësi bashkëpunimi për të ndarë dhe vlerësuar gjendjen e pritshmërive të ngritura që herët në lidhje.

-Në një marrëdhënie supozohet komunikimi, lirshmëria për t’u zhveshur nga pengesat që shqetësojnë e zemërojnë palët. Kështu që

nevoja për të dëgjuar dhe ndihmuar njëri-tjetrin nuk mund të shihet si detyrim por natyrshmëri për të qenë afër.

-Kompromisi është një gjest në marrëdhënien njerëzore, i cili tejçon me pompozitet mekanizma mbrojtës, qofshin këto edhe artificialë, por që ushqejnë dhe mbajnë lidhur mundësitë për bashkëpunim dhe zgjedhje në vendimmarrje. Ndaj në marrëdhëniet në çift, psikologët sugjerojnë afërsi dhe të parit kompromisin si mundësi pozitive dhe të domosdoshme.

-Ndodh që në marrëdhënie, vendimet për ndryshim apo ato që kërkojnë më tepër kohë dhe vëmendje, të ndërmerren nga ata që kontribuojnë financiarisht. Kjo e përjashton palën tjetër të tregojë interes dhe përfshirje në këtë vendimmarrje. Nuk duket e drejtë dhe aspak e këndshme, pasi kështu injoron e nuk merr në konsideratë faktin se përpjekjet nuk janë të barabarta. Lidhjes kjo do t’i shkaktonte mungesë besimi dhe vlerësimi. Duhet të tregojmë kujdes se kontributi në familje nuk është vetëm monetar, por përkujdesje, përkushtim, siguri dhe dashuri.

-Lidhja në çift kërkon gjithmonë siguri, mbi të gjitha besim e përkushtim, prandaj kërkohet sinqeritet për të ndarë pasiguritë dhe dyzimet që do kenë për vendime apo dilema në të ardhmen. Këto kërkesa nuk flijojnë askënd nga palët, por i vënë përpara përgjegjësive, ku ndonjëherë apo shpeshherë kërkojnë t’ia mbathin.

-E nisëm fillimin “në një çati me njëri-tjetrin”, me një shpirt karizmatik dhe e tillë do të jetë për ata që kanë pritshmëri pozitive dhe që janë të përthyeshëm në lidhje. Komunikimi, besimi, kompromisi dhe toleranca janë çelësat e një lidhjeje të re, që e zgjidhni ju dhe po ju vendosni në mënyrë unanime: Po, dua të jemi bashkë dhe të lumtur!

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top