Tendenca më e shpeshtë e njerëzve që jetojnë në qytete dhe zona të ndryshme, është ajo që të arrijnë të pamundurën. Por ka nga ata që nuk kënaqen me një jetë pa shumë impenjime, të lehtë dhe monotone. Ata janë gjithmonë në kërkim të përvojave, ideve dhe mënyrave të reja për të realizuar dhe arritur ambiciet e tyre. Nuk dorëzohen në pengesën e parë që u del, por ecin përpara duke besuar në aftësitë që kanë. Bëhen më të fortë në rrugën që përshkojnë, injorojnë dobësinë, flasin me kokën lart. Presupozohen me fat që janë kështu, sepse dallohen nga të tjerët, të cilëve nuk u pëlqen të rrezikojnë, por mendojnë vetëm të gjykojnë dhe të mendojnë se qetësia e tyre varet te fjalët që thonë, edhe pse nuk i kanë kushtet e favorshme për të jetuar në harmoni. Ndoshta, këta të dytët, vuajnë nga kjo, sepse shpesh shoqërohen nga mendime që një ditë mund të mbeten pa gjë. Doza e egoizmit shtohet dhe nuk arrijnë të përqendrohen në jetët e tyre dhe të investojnë përfitimet që kanë arritur. Gjithashtu, situata përkeqësohet edhe nga puna e jeta që bëjnë, pasi u pëlqen të jenë spektatorë të jetës së të tjerëve, me egoizëm e zili të pashoqe dhe nuk mendojnë aspak të ndryshojnë. Ka të tjerë prej nesh që i thonë ‘jo’ këtij ritmi jetese, sepse dëshirojnë më shumë, mendojnë se duhet të kenë gjithmonë guximin për të rrezikuar dhe nëse humbasin, ngrihen sërish. Mjafton kuraja, durimi i duhur për të shkuar përtej. Dhe nëse nuk e provon, nuk do ta dish kurrë deri në çfarë pike mund t’i ngjitësh shkallët. Nëse nuk provon, do të mbetet në ndërgjegje mendimi i pazhvilluar dhe i pavënë në veprim. Pavarësisht se gjykimet e të tjerëve ndikojnë (ndonjëherë të zë frika nga fjalët e të tjerëve, edhe pse në të vërtetë është dikush tjetër që “mbytet” nga frika e humbjes), këto sjellje nënvlerësohen, sepse mendojnë që për një çast dobësie ata janë njerëz pa guxim dhe kurajë. Vërtet gjykimet të bëjnë keq, të sjellin mendime negative, të fusin në një rrugë pa dritë ku sheh vetëm errësirë, por ai që ia di vlerat vetes, edhe në një çast të vetëm dobësie kur mund të mposhtet nga fjalët e të tjerëve, e merr veten sërish. Njerëz të tillë duan të jetojnë, të ëndërrojnë, të rrezikojnë, të besojnë dhe e dinë fare mirë se domethënia e vërtetë e jetës është administrimi i mirë i gjërave. Teoria e tyre e të jetuarit nuk përqendrohet vetëm në fjalët dhe gjykimet e të tjerëve, por te jeta me fakte. Nëse jeta luan me ty, bëj dhe ti të njëjtën gjë. Nëse ajo të rrëzon në raundin e parë, mos u dorëzo; nëse ndodh sërish e njëjta gjë, ki kujdes, studio mirë terrenin, mëso nga dështimet e pastaj vihu në vetëmbrojtje dhe lufto për të fituar raundin që shënon fundin e lojës. Nga e gjitha kjo do të mësosh të jesh administrator i mirë dhe i aftë për të qenë një drejtues i mirë i jetës tënde. Njerëz të tillë, pavarësisht gjykimeve të të tjerëve, nuk mposhten, por besojnë në forcat e tyre dhe kjo rrit besimin në vetvete, ushqen vetëvlerësimin me mendime pozitive. Ata janë të pamposhtur edhe pas një ere furtunë paragjykimesh, por për ta jeta vazhdon.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.