Në fokus

January 10, 2017 | 9:45

Jetë të gjatë Artistit të Popullit, mjeshtri i skenës Robert Ndrenika mbush 75 vjet

Me fat që kemi një artist si Robert Ndrenika, mjeshtër i skenës dhe kinematografisë. I njohur për role të spikatura, të cilat kanë lënë gjurmë e shpesh përmenden për batuta tipike. Sot me mirënjohje dhe respekt të thellë ndaj kësaj figure emblemë, e urojmë me gjithë zemër në këtë përvjetor të 75-të.

robert-ndrenika-i-riRobert Ndrenika lindi më 10 janar të vitit 1942 në Tiranë. Familja e tij është nga fshati Vuno i Himarës. Në vitet 1960-1964 studioi për aktor në shkollën e lartë “Aleksandër Moisiu”. Deri me më 1970 punoi si aktor në teatrin “Skampa” të Elbasanit; Në vitet 1970-1974 në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve, i quajtur ndryshe Teatri i të Rinjve dhe më pas në Teatrin Kombëtar deri në vitin 2001, kur doli në pension. Ka kryer detyrën e Drejtorit të Teatrit Kombëtar në vitet 1993-1944. Në vitet 1992-1996 ka qenë i zgjedhur si deputet i Kuvendit Popullor. Robert Ndrenika shquhet për larminë e roleve, për kalime të natyrshme nga drama dhe tragjedia në komedi dhe grotesk. Është lehtësisht i transformueshëm, i vërtetë, i besueshëm, me sens të spikatur realist, skicues i karaktereve të goditura, rëndom të ardhura nga shtresat rurale a të ulëta të shoqërisë, por jo pak syresh edhe nga radhët e intelektualëve, zyrtarëve etj.

 

komedia_prefektiPërjetimi i tij është i thellë dhe tejet organik, buron dhe shkakton emocion. Qysh student me regjisorin dhe pedagogun Kujtim Spahivogli spikati në disa role komike, sidomos me rolin e Bendikut në komedinë “Shumë zhurmë për asgjë” të Shekspirit, 1959, dhe në versionin saj në vitin 1972 me Teatrin e të Rinjve. Në teatrin “Skampa” nga rolet me mbresëlënëse ishte ai i Filimonit, te komedia “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, 1965. Këtë rol e përsëriti në shfaqjen e Teatrit Popullor më 1983 dhe sërish, pas gati 25 vjetësh, më 2007 në teatrin “Skampa”. Në vitin 1973 luajti Pobjednosikovin te komedia “Banja e Majakovskit me regjisor Kujtim Spahivogli. Në këtë rol ra në sy aftësia e tij për të gërshetuar elementët e sarkazmës therëse, në talljen e zyrtarëve të lartë burokratë të shtetit të korruptuar sovjetik të viteve ‘20-‘30. Më 1974 mishëroi me një gjuhë realiste figurën e Qazim Mulletit në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës, ku aktrimi i tij u dallua për “seriozitetin” dhe “rëndësinë” që i dha këtij personazhi. Nga dramaturgjia kombëtare, midis të tjerash ka interpretuar në role kryesore: Koz Dynjaja te “Lumi i vdekur”, 1975, e Kudret Velçës, xha Ramadani te “Komunistet” e Ruzhdi Pulahës 1981; Teli te “Shënomëni dhe mua” e Hyjnor Minarollit, 1974; nënpunësi te “Shkallët” e Ruzhdi Pulahës, 1990 etj. Nga dramaturgjia e huaj interpretoi: Malvolion te “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit; Uill Lomenin te “Vdekja e një komisionari” e Artur Milerit, Alfred Uilin te “Vizita e damës plakë” e Friedrich Durenmat, 1990, Brosharin te “Darka e të marrëve” e Francis Veberit, 1998; rolin e Di Spetes te “Magjia e madhe” e Eduardo De Filipos ku u nderua me kupën si “Aktori më i Mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrit” më 1994 . Në vitin 2004 luajti Harpagonin te komedia “Koprraci” e Molierit;

ndrenika-2Në kinematografi ka interpretuar në mbi 38 filma, kryesisht role kryesore. Loja e tij shquhet për saktësinë e të vepruarit, për një ndjenjë të thellë e të brendshme. Në fillim “Mësonjëtorja”, 1979, luajti rolin e Kostës, nderuar me Medaljonin e Festivalit; Nënprefektin në filmin “Koncert në vitin ‘36” (1978). Në Festivalin e Filmit 1979 me këtë rol ai u nderua me çmimin “Aktori më i Mirë”. Më 1980 luajti rolin e Agushit në filmin “Një shoqe nga fshati”; Me rolin e Zenunit në filmin “Kur vjen një ditë”, me të cilin u nderua me “Medaljoni e Festivalit VI të Filmit” dhe me çmimin “Aleksandër Moisiu”; me rolin e Vangjelit te filmi “Përrallë nga e kaluara” 1987;

Për shumë vite Robert Ndrenika ka punuar si pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe fjalës artistike, në degën e aktrimit në Akademinë e Arteve. Ka qenë deputet i Kuvendit Popullor në një legjislaturë. Mban titullin “Artist i Popullit”.

Burimi: Aktoret Shqiptare

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top