Mirëqenie

May 7, 2016 | 8:00

Jonida Shehu: Argëtohem duke gatuar

Ritual i përditshëm, veprim i sforcuar apo një situatë nga e cila nuk shpëton dot?! Nëse çështja e gatimit do të ishte e tillë për Jonida Shehun, me siguri që ajo do të kishte dështuar që në lugën e parë… Të gatuarit është një nga ato angazhime që asaj i qëllon rrallë ta praktikojë. Dhe në këtë pikë ndihet e përkëdhelur sa nga fati, sa nga mamaja e saj Jolanda! “Kam fatin e madh që me gatimin në shtëpi merret ime më. Jetojmë të dyja në të njëjtën shtëpi, dhe duke qenë se unë gjatë gjithë kohës jam e larguar për shkak të punës, është ajo që e ka marrë përsipër çështjen e gatimit. Sigurisht, më ndodh edhe mua që të angazhohem me përgatitjen e ndonjë vakti, dhe këtë e bëj me shumë kënaqësi”, pohon ajo.

Argëtimi

Nëse nuk do të ishte kënaqësi dhe argëtim, për Jonidën gatimi nuk do të kishte asnjë emër tjetër! I pëlqen të shijojë shumë, por të fusë rrallë “duart në tenxhere”. Dhe si e tillë, në ato pak raste kur vërtet i duhet ta mendojë seriozisht gatimin e ditës, e merr me qetësi dhe i kushton vëmendje edhe detajit më të vogël që e shoqëron gjatë gjithë procesit deri në versionin përfundimtar të pjatës. “Fakti që nuk gatuaj përditë, do të thotë që nuk jam maniake pas të gatuarit. Nuk hyn tek pasionet e mia të flakta… Por, në ato raste kur vë përparësen dhe i përvishem punës për të përgatitur ndonjë recetë, e bëj me shumë dëshirë. Gatimi për mua është edhe altruizëm, dëshirë për të ndarë me të tjerët atë çka unë përgatis, në mënyrë që ata ta shijojnë, provojnë dhe të japin vlerësimin e tyre. Kjo është diçka vërtet e rëndësishme për mua”, vijon 28 vjeçarja. Prakticiteti është një nga ato detaje që ngulmon ta ketë të pranishëm në këndin e kuzhinës. E në ato raste kur Jonida nuk ia del dot, është mamaja personi që e shpëton duke e nxjerrë nga situata. “Nuk jam amvisë profesioniste, prandaj është mami ajo që shpeshherë më shpjegon në telefon të gjithë procesin, ndërkohë që unë e zbatoj me përpikmëri”. Duket se nuk i beson as librave të kuzhinës, dhe as fantazisë… sepse, “Duhet të jesh shumë profesioniste në kuzhinë, për të guxuar e provuar receta të reja”.

Detajet

Detajet janë ato që bëjnë diferencën për Jonidën! Madje, i ka aq të rëndësishme sa kur i ndodh që të shtrojë një darkë për miqtë e saj, kujdeset që edhe mbulesa e tavolinës, pecetat, lugët e pirunjtë, gotat e ujit dhe ato të pijeve, gjithçka të jetë në vendin e duhur. Jo vetëm ushqimi, por edhe dekoracioni janë ato elementë që e pasurojnë tavolinën, dhe që shërbejnë si dëshmia më e fortë se nuk vlen vetëm një ushqim i shijshëm për të mbushur stomakun, por edhe gjithë “aksesorët” e tjerë që tregojnë se i është kushtuar vëmendje edhe grimcës më të fundit. “Gjithashtu më pëlqejnë shumë fajancat me ngjyra të ndezura e të forta… E kuqe, e bardhë, jeshile… janë këto tone të theksuara që spikasin, tërheqin vëmendjen dhe i japin gjallëri tryezës”, thotë ajo.

Shija

Gatimin e shijon sipas mënyrës së Jonidës! Nuk ka receta të caktuara që ia kufizojnë shijen, apo që e bëjnë të mendohet mirë përpara se t’i provojë. Gustot e saj përqendrohen tek perimet e ziera ose të pjekura, sallatat e frutat, si dhe peshku i gatuar në mënyra të ndryshme. Nuk konsumon kurrë ushqime me yndyrë, mishin e deles, apo ëmbëlsirat. Kjo është një zgjedhje si për të treguar që 28 vjeçarja kujdeset edhe për format e saj fizike, dhe mbi të gjitha për një mirë-ushqyerje të nevojshme për organizimin!

2

Botuar në revistën Psikologji, Tetor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top