Marrëdhënie

March 15, 2016 | 9:48

Juli Xhokaxhi: Oreni, shoku im 14-vjeçar

E divorcuar prej gati 14 vjetësh, që kur solli në jetë djalin e saj, Orenin, gazetarja televizive Juli Xhokaxhi është përballur me të dyja rolet prindërore. “Motivi i jetës sime është Oreni” thotë, e vetëm pas kësaj flet për vështirësitë me të cilat i është dashur të përballet… pa harruar të sqarojë se gjithsesi çdo gjë e ka ndarë me prindërit e saj. Tashmë, Oreni, 14-vjeçar, nuk është vetëm fëmija i Julit, por siç e përkufizon ajo, një shok i mirë, nxënës me ego për të ardhmen dhe një nip që nuk kursehet për gjyshërit e tij.

Jeni nënë prej 14 vitesh. Si e keni përjetuar mëmësinë?

Mendoj se është instinkt i lindur. Të përjetosh mëmësinë është pa dyshim ndjenja më e fuqishme në jetë. Çasti i parë kur e kisha në krahë ishte një dhembshuri pa fund. Më pas përkushtimi ishte total. Nuk isha më vajza e përkëdhelur. Papritur madje, as nuk sëmuresha më. Kisha një forcë dhe bindje se i përkisja Orenit, që më bëri thuajse të përjashtoja çdokënd nga jeta ime. Çdo buzëqeshje, çdo lëvizje madje dhe çdo dhëmb që i dilte ishte ngjarje unike dhe e jashtëzakonshme për mua. Madje çdo gugatje e tij kur ishte fare i vogël më dukej se kishte kuptim. Kjo besoj ndodh tek çdo nënë…!

Sa e vështirë ka qenë rritja, duke qenë se pas lindjes së djalit erdhi divorci?

Tani që e mendoj ftohtë, them se divorci ishte një bekim për të dy. Në fakt, ishte divorc i paralajmëruar që kur isha shtatzënë dhe në subkoshiencë e kisha të qartë se kështu do të ndodhte. Nuk mund të them se e kam përjetuar si dramë. Rëndësi për mua kishte djali. Beteja ishte për të, për të bërë më të mirën për të. Dhe besoj se kam bërë më të mirën. Paragjykimet, mendësitë e njerëzve kanë qenë gjithmonë jashtë meje, pavarësisht se për shkak të tyre shpesh edhe jam lënduar. Jam me fat që kam dy prindër të mrekullueshëm, të cilët kanë bërë më të mirën për mua dhe Orenin.

Si e klasifikoni veten si nënë?

Nënë klasike. Jam përpjekur t’i bëhem shoqe djalit. I kam folur hapur për çdo gjë dhe e kam trajtuar si të rritur. Madje shpesh këshillohem edhe për gjëra që më shqetësojnë mua. Vendimet i marrim bashkë, pa dyshim që ndonjëherë përdoret edhe urdhërorja, por rrallë. Oreni nuk ka qenë kurrë fëmijë tekanjoz. Gjithmonë kam besuar se një fëmijë rregullat i zbaton duke parë se si të tjerët në ambientin familjar i zbatojnë ato, dhe nuk ka nevojë t’ia theksosh çdo ditë. Kjo mendoj ka funksionuar. Shpesh jam unë ajo që i plotësoj dëshira, qoftë edhe të tepruara, pa m’i kërkuar. Po ndonjëherë është mirë të kthehesh pas në kohë dhe të mendosh: kur isha 14 vjeç çfarë dëshiroja? Pavarësisht ndryshimit të brezave, dëshirat vërtiten po aty. E në këtë mënyrë duket se plotësoj edhe veten.

Sa e pranon ai shoqërinë tuaj?

Oreni tashmë është adoleshenti që kujdeset të mbajë trupin në formë, të vishet bukur… Tashmë, është ai vetë i pari që nuk të lejon më ta trajtosh si fëmijë. I pëlqen të jetë shok, të më ketë shoqe. Këtë vit, për pushime, në Rodos ai ishte kavalieri me të cilin dilnim darkave e pinim kokteje (pa alkool kuptohet) dhe notari me të cilin bënim gara se kush ikën më larg. Jam krenare për të. Është në një moshë kur çdo prind has vështirësi. Ndërsa mua, përkundrazi, mund të them se më fal vetëm kënaqësi. Më pëlqen pa fund mënyra se si komunikon dhe se si përshtatet në ambiente të rriturish e fëmijësh. Por edhe mënyra se si kuptohemi me një vështrim. Tani është ai që më hedh dorën në qafë e më thotë: “Mami, duhet të jesh më optimiste në jetë!”.

Ju kap ndonjëherë ndjenja e fajit me idenë ‘përse më ndodhi mua të divorcohem’?

Ndjenjë faji nuk ka arsye të kem, përgjegjësi po, shumë. Jam përpjekur të bëj më të mirën për të. Për vetë kushtet, nuk mund të them se jam penduar ndonjë çast. Besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur për Orenin dhe për veten.

Pavarësisht divorcit, sa jeni përpjekur ta respektoni figurën atërore të djalit tuaj?

Oreni komunikon me të atin normalisht, pavarësisht distancës, dhe mendoj se nuk ka asnjë arsye t’i zhbësh një fëmije figurën atërore. Them se i ka bërë mirë.

Ju ka shkuar në mendje ta quani veten nënë e keqe, për faktin se djalin e kanë rritur prindërit tuaj? Nuk e kam lënë pas dore tim bir. Unë jetoj për të dhe çdo gjë e bëj për të. Dhe ai këtë e di. E ka kuptuar që kur ishte fare i vogël. Oreni u rrit nga prindërit e mi dhe ky ishte vendimi më i mirë që mund të merrnim të gjithë bashkë. Mua më duhej të punoja, dhe të punosh në media është absurde të flasësh për orare. E provova ta mbaja vetë, por pashë se kopshti me orar të zgjatur e terrorizonte. I mungonte dashuria dhe qetësia e shtëpisë së prindërve të mi. Një fëmijë i rritur me shumë dashuri bëhet një njeri i mirë dhe nuk besoj se kujdesi i një dadoje do ta bënte tim bir fëmijën që është sot. Ai u rrit me shumë dashuri dhe në një ambient shumë më pozitiv se ai që mund t’i ofroja unë, e ngarkuar me stresin e punës, pse jo dhe të mbijetesës me të.

Botuar në revistën Psikologjia, nëntor 2012

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top