Dëshmi

January 16, 2019 | 11:59

Julka Gramo: Martesa, një marrëdhënie që krijon jetë!

Për këdo që mendon se martesa është privim lirie, një lloj vdekje a vetëvrasje, ajo ka një përgjigje të shpejtë e krejt të sinqertë: Si mund të sjellë vdekjen diçka që në fakt mbjell jetën. Julka Gramo, këngëtare e moderatore e njohur e ekranit, mendon se marrëdhënia e shëndetshme në çift tanimë ka një rezultante e cila do të sjellë jetëgjatësinë mes palëve dhe aspak divorcin e tyre, dhe sipas saj kjo është: respektimi i lirisë së njëri-tjetrit.

Padyshim, që femra dhe mashkulli, burri dhe gruaja apo më thjesht bashkëshortët, po të respektojnë lirinë e njëri-tjetrit, me gjasa konfliktet mes tyre do të jenë të papërfillshme, ose të paktën të zgjidhshme lehtësisht.

Si e shikoni martesën në kohët e sotme?

Martesa në ditët e sotme ndodh shumë më vonë për sa i përket moshës se në kohët e mëparshme. Duke qenë kështu, partnerët janë më të rritur, kanë zhvilluar karrierat respektove e si rrjedhojë janë të orientuar kah tyre. Mendoj se më përparësi kanë karrierat e si rrjedhojë familjet zgjedhin të kenë më pak fëmijë. Sigurisht martesat dhe bashkëjetesa e çiftit më parë bëhej nëpër familjet e mëdha dhe kjo gjë tashmë ka ndryshuar. Një gjë pozitive, por edhe negative.

Pozitive sepse çifti ka nevojë ta ndërtojë vetë jetesën e jo duke marrë direktiva apo ndjekur urdhra nga palë të treta. Negative sepse duke jetuar më vete dhe duke pasur një jetesë frenetike, ata largohen edhe nga familja e madhe, duke shpenzuar gjithnjë e më pak kohë pranë tyre e duke i përçuar pasardhësve të tyre po të njëjtin model izolimi.

Cilat janë vështirësitë në pjekurinë e martesës me kalimin e viteve?

Sigurisht që vështirësia në kohët kur jetojmë për të mbajtur një martesë jetëgjatë është e madhe. Megjithatë kur ka dëshirë dhe vullnet mund t’ia dalësh. Jeta dhe konkurrenca në kohët e sotme është shumë e ashpër e si rrjedhojë duhet të bësh luftë apo shumë sakrifica për të siguruar të mira materiale për familjen dhe për t’i siguruar atyre një jetesë dinjitoze.

Ndaj partnerët shihen gjithnjë e më pak me njëri-tjetrin apo kalojnë gjithnjë e më pak kohë me fëmijët e tyre e duke qenë kështu shpesh humbet kontakti apo komunikimi që është shumë i rëndësishëm. Nivelet e larta të stresit padyshim nuk e lehtësojnë aspak marrëdhënien.

Sigurisht nuk mund të lëmë pa përmendur edhe tundimet që vijnë nga të gjitha anët (këtë e kam më tepër për meshkujt). Diçka që e shoh ndryshe nga kohët e mëparshme në martesat e sotme është fakti se tani njerëzit mund t’i japin me shumë lehtësi dhe shpejtësi fund martesave të tyre. Nuk përpiqen që të punojnë për të zgjidhur problemet e tyre dhe kaluar vështirësitë duke bërë të zgjasë martesa, por rendin menjëherë drejt divorcit.

Çfarë e bën të fortë një lidhje?

Asnjëherë nuk mund të flasim për receta se çfarë e bën të fortë një lidhje, megjithatë përveç gjërave bazike si dashuri, respekt, mirëkuptim, komunikim, për mua ka rezultuar shumë po shumë frytdhënëse LIRIA! Për mua është thelbësore që secili nga partnerët të ndihet i lirë edhe pse i impenjuar. Shpesh bëhet shaka dhe thuhet “Ohoooo u martove, ike dhe ti, kaq e pate”. Martesa nuk është vdekje, përkundrazi është jetë, një jetë e jetuar me një partner apo partnere në krah që e bën çdo gjë të duket më e lehtë. Pastaj një marrëdhënie që krijon jetë dhe vazhdimësi, si mund të ishte VDEKJE.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 133

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top