Përgatiti Esmeralda Birçaj, eksperte e shëndetit mendor
“Një nënë më tha një herë: se nuk po e mbaja siç duhet foshnjën time, se arsyeja që ajo qau ishte sepse nuk kisha qumësht të mjaftueshëm për të; që koha që kaluam veçmas pas lindjes së saj mund të ketë ndikuar në marrëdhëniet tona; që nëse unë ndjehem e shqetësuar, edhe ajo mund ta ndiejë këtë dhe mund të jetë edhe ajo e shqetësuar; se unë nuk duhet të qaj kurrë para saj, sepse do ta bëj të ndiejë se nuk e dua; që nënat e tjera nuk e kanë aq të vështirë ta vendosin foshnjën e tyre në gjumë; që unë duhet të bëj diçka të gabuar, nëse e kam kaq të vështirë për ta përfunduar ditën.
Kush ishte kjo nënë e tmerrshme që më tha të gjitha këto gjëra?
Ishte një nënë e frikësuar që nuk kishte fjetur sa duhet për shumë javë. Një nënë e shqetësuar që u lëndua thellë nga historia e lindjes së saj, e cila nuk shkoi aspak siç do të donte, siç ëndërronte.
Një nënë që ishte vetëm, shumicën e ditëve, pa u ndjerë e sigurt ose pa një person për të folur.
Unë isha kjo nënë.
Këto ishin fjalët që i thashë vetes. Por ajo nënë tani është një nënë tjetër. Ajo është e lodhur, por pushon kur mundet. Ajo shqetësohet ndonjëherë, por ndihet më e sigurt për veten e saj. Dhemb dhe shërohet në të njëjtën kohë, njeh progresin e saj dhe shpreson për të ardhmen.
Kjo nënë tani di si ta dallojë një zë që po e gënjen. Kjo nënë gjen rrugën e saj, mënyrën e saj për të qenë nënë. Kjo nënë i beson vetes. Kjo nënë e di se është mjaft e mirë, edhe kur kjo nëna tjetër përpiqet ta bindë atë se po bën gjithçka keq.
Ka dy lloje të nënave dhe shumica prej nesh janë të dyja. Por i besoni nënës që ju kujton se jeni mjaft mirë. Se nuk ka mami perfekte. Kjo me të vërtetë është kaq e vështirë ndonjëherë dhe është në rregull. Dëgjojeni këtë nënë, sepse ajo po thotë të vërtetën. Besojeni atë “.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.