Kaloria është energjia që marrim përmes ushqimit. Nëse marrim shumë kalori, si pasojë vjen shëndoshja. Por sa kalori kanë produkte të ndryshme ushqimore?
Kalori është ajo njësi matëse e energjisë, që del në formën e nxehtësisë. Në momentin që një person djersitet, ai djeg kalori ose çliron nxehtësi. Në shkencën që merret me të ushqyerit, një kalori është sasia e nxehtësisë që duhet për të rritur 1 o C temperaturën e 1 litër ujë. Nevojat ditore për kalori ose energji ndryshojnë nga njëri te tjetri, në varësi të faktorëve të tillë si: gjatësia, pesha, mosha dhe aktiviteti fizik. Të gjithëve na ndodh që kur blejmë një produkt ushqimor, gjëja e parë që bëjmë është të shohim se sa kalori përmban. Sipas disa ekspertëve, mund të ndodhë që pikërisht numërimi apo marrja në konsideratë e kalorive mund të na shëndoshë më shumë. Kjo sepse mënyra aktuale e numërimit të kalorive ka shumë të meta në vetvete dhe si pasojë numri i kalorive që gjendet në etiketat e produkteve ushqimore dhe në librat e dietave është gabim në masën 25%. Po të konsumoni ushqime me 20 kalori më shumë në ditë do të thotë që brenda një viti do të shtoni pa frikë 2 kilogramë.
Por sa kalori kanë produkte të ndryshme ushqimore?
Mënyra aktuale e numërimit të kalorive të ushqimit bazohet në tabelat e krijuara 100 vjet më parë nga një kimist bujqësor, që quhej Wilbur Olin Atwater. Ai përdori një pajisje që quhej kalorimetër dhe funksionimi i saj konsistonte në djegien e porcioneve të caktuara ushqimore dhe më pas në matjen e sasisë së energjisë që përftohej. Më pas ai llogariste sasinë e energjisë që përdorte trupi, përmes llogaritjes së energjisë së ushqimit të patretur në jashtëqitje apo mbetjet e tjera. Kështu, ai arriti në përfundimin se çdo gram karbohidrate prodhonte 4 kalori, një gram yndyrë prodhonte 9 kalori dhe 1 gram proteinë prodhonte 4 kalori. Këto shifra janë konsideruar si “të shenjta” deri më sot. Megjithatë, sipas studimit të fundit në revistën “New Sientists”, disa ekspertë të të ushqyerit e kanë vënë në dyshim këtë mënyrë përllogaritjeje. Disa prej tyre janë partizanë të një mënyre të re të llogaritjes së kalorive. Në bazë të saj, yndyra ka 8.7 kalori për gram (jo 9) dhe karbohidratet kanë 3.8 (jo 4) dhe së fundi proteinat kanë 3.2 (jo 4). Kjo diferencë tregon se për vite të tëra ne kemi nënvleftësuar numrin e kalorive të disa ushqimeve në masën 25%. Ndërkohë, sasia e energjisë e domosdoshme për të copëtuar ushqimin kimikisht është e ndryshme. Kjo sepse përbërja e ushqimeve është e tillë dhe përbërja ndikon në sasinë e energjisë së shpenzuar për tretjen e tyre. Ushqimet me përbërje të butë nuk kërkojnë ndonjë përpjekje të madhe për t’u shpërbërë e për t’u tretur, ndaj organizmi në këtë rast përdor shumë më pak kalori se në rastin e ushqimeve me përbërje të fortë që kërkojnë më shumë përpjekje dhe si pasojë shpenzojnë më shumë.
Në ditët tona pjesa më e madhe e ushqimeve tona është e gatuar, pra e butë, e parapërgatitur, madje në disa raste shumë e gatuar, çka do të thotë që ne nuk shpenzojmë shumë energji për ta përtypur dhe tretur. Rezultati i kësaj është beli ynë gjithnjë e më i trashë. Pyetja që lind, është: çfarë ndodh me kaloritë që nuk shpenzohen për tretjen e ushqimit të gatuar? Ato thjesht magazinohen rreth trupit dhe shtojnë dhjamin e yndyrat. Sipas një kërkimi shkencor, për trupin është shumë më e lehtë që të marrë kalori nga ushqimet e përpunuara që kanë në përbërje të tyre miell të pastër. Sipas sistemit konvencional të përllogaritjes së kalorive mendohet se 10% e ushqimit që kalon nëpër zorrë është e patretshme. Megjithatë, sasia e tretjes së disa ushqimeve ndryshon. Rreth 30% e miellit jo të rafinuar nuk tretet, ndërsa produktet që kanë miell të rafinuar treten pothuajse tërësisht. Kjo do të thotë që veçanërisht të gjitha kaloritë në ushqimet e përpunuara treten dhe kaloritë që nuk shpenzohen, ruhen në trup në formën e rezervave dhe shtresave të dhjamit. Ndërkaq, një tjetër teori rekomandon edhe këshillimin për mënyrën e gatimit të ushqimeve për të optimizuar sasinë e energjisë që duhet përdorur për ta tretur ushqimin me sa më shumë kalori. Për shembull, një këshillë është që ushqimi nuk duhet të zihet shumë, kur bëhet fjala për zarzavatet. Ato duhet të lihen në gjendje sa më të papërpunuar që të jetë e mundur. Në vitin 2002 u mbajt një konferencë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, e cila hetoi në lidhje me mundësinë e ndryshimit të etiketave të kalorive dhe zëvendësimin e tyre me sistemin e ri të përllogaritjes, në të cilin përfshihen edhe kaloritë e shpenzuara për tretjen e ushqimit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.