Posta

October 19, 2019 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Kam dy vjehrra…

 

 

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Shqetësimi im është bërë konstant që kur babai i bashkëshortit tim u rikthye nga emigracioni përgjithnjë, bashkë me gruan e tij të dytë. Me idenë e bashkimit pas shumë vitesh si dhe që fëmijët tanë të kishin dashurinë e pakursyer të gjyshërve të vet, lejuam të ndanim shumë gjëra bashkë, por në respektim të kushteve në të cilat ndodheshim. Im shoq ka dhe nënën e tij, gjyshe me rol të veçantë gjithashtu. Ajo që më bezdis dhe më ngarkon në rrethana aspak të justifikueshme familjen time është gruaja e vjehrrit, e cila kërkon me çdo kusht të ndikojë tek fëmijët si dhe në ekuilibrin tonë familjar. Fëmijët ndihen të ç’orientuar në këtë situatë, pasi ata e kanë gjyshen e tyre nga ana e babait? Për më tepër, vjehrri im nuk bën asgjë për të qetësuar këtë situatë.

Përgjigje: Situata nuk duket aspak komode. Ky realitet përfshin mbi të gjitha bashkëshortin tuaj, i cili përballet me mamanë e tij e ndjenjat e saj, me babanë që është kthyer, me një grua të dytë dhe mbi të gjitha me familjen e tij, gruan dhe fëmijët.

Kjo situatë e ka burimin,  koklavitjen, zanafillën e situatës vite më parë, ndaj dhe si e këtillë nuk zgjidhet duke reaguar në raport me ndërtimin e këndvështrimeve qartësisht të ndryshme të palëve, por me anë të komunikimit që ju mund të kryeni me familjen tuaj.

Ndani shqetësimin tuaj me bashkëshortin. Tregojini atij faktin se e kuptoni se si ndjehet në raport me situatën në fjalë, sikundër e përshkrova më sipër. Jepini mundësinë të mendojë se realisht ai ndjehet keq dhe se ju e kuptoni shumë mirë. Më pas tregojini se si ndjeheni ju dhe fëmijët. Pas kësaj i vjen radha  procesit të menaxhimit. Tregojini se ju mund të menaxhoni situatën duke organizuar kohën me të dy vjehrrat.

Komunikoni më pas me fëmijët dhe tregojini realitetin e situatës, duke i bërë të qartë se “ndodh edhe kështu”, dhe se kjo nuk është pjesë vetëm e familjes së tyre. Tregojini se e kuptoni shumë mirë se si ndjehen ato, por ata kanë të drejtë të duan gjyshen e tyre biologjike dhe ta takojnë atë si të duan ata dhe gruan e dytë të gjyshit, ta respektojnë si partneren e tij, por që nuk janë të detyruar ta quajnë gjyshe dhe as ta konsiderojnë si të këtillë.

Ju mund t’i komunikoni se ata kanë të drejtë ta vendosin se kur mund ta takojnë dhe kjo mund të ndihmojnë në organizimin tuaj. Më pas, filloni të organizoni kohën për t’iu bashkuar familjes së vjehrrit me gruan e tij të dytë. Vendoseni ju kur dhe ku do të takoheni. Ju mund dhe keni të drejtë të thoni “jo!”. Kështu nuk jeni të detyruar, sikundër për çdo marrëdhënie tjetër të silleni ndryshe nga se mendoni. Fundja, gruaja e dytë e vjehrrit tuaj, që mund të jetë person shumë i respektuar, mbetet të konsiderohet si e këtillë dhe vjehrra reale, si gjyshja e fëmijës.

Edhe pse në vetvete këto janë marrëdhënie që shkaktojnë efekt në veprimet tona të përditshme për të amortizuar sa më shumë të jetë e mundur problemet e mundshme, ju ftoj të qetësoheni dhe t’i jepni Çezarit çfarë i takon Çezarit.

Çdokush i rëndësishëm, në vendin e tij. Fundja, çdo sjellje në konflikt te persona të tretë nuk është as faji dhe as problemi juaj për ta  zgjidhur. Thjesht vazhdoni të komunikoni DREJTË me fëmijët tuaj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top