Nga: Isida Lalaj
Tetor… muaji i kancerit të gjirit, ndjesitë rreth kësaj teme vijnë gjithmonë me një trajtë të veçantë, ndërsa atë e lidh puna drejtpërdrejtë. Përditshmëria tregon raste të reja, angazhim të ri, shumë punë për ndërgjegjësim të femrave që preken nga kanceri i gjirit. Pjesë e një stafi të gjerë në shërbimin qëndror spitalor të onkologjikut në Tiranë, ajo jep kontributin e saj çdo ditë, për t’ia lehtësuar këtë barrë pacienteve të shtruara për shërim. Në këtë muaj sensibilizimi mesazhet janë të qarta: këshilla për kontrolle periodike, diagnostikim për të parandaluar rastet në fjalë, vizita falas…
Roli im si psikologe në shërbimin onkologjik është në mbështetje të stafit mjekësor dhe ka si qëllim primar shëndetin mendor dhe atë psikologjik të pacientit, si pjesë e pandashme e mirëqenies së tij fizike. Pacientët e prekur nga tumori shoqërohen përgjithësisht me reaksione emocionale intensive (të cilat rrallë mund të ndodhë të marrin edhe trajtën e një çrregullimi psikiatrik), dhe kërkojnë një proces riadaptimi, ndërgjegjësimi dhe aftësimi të pacientit për t’i u përshtatur kushteve fizike të tij, duke i ofruar mbështetje psikologjike përgjatë gjatë të gjitha fazave të zhvillimit të sëmundjes. Normalisht, ndihma orientohet edhe nga familjari i pacientit në ofrimin e mbështetjes emocionale, duke kontribuar drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës së këtyre familjarëve. Punohet me pacientin në përballimin e situatës ankthioze, uljen e vuajtjes emocionale, të përballjes me diagnozën e sëmundjes së tij/saj, duke aplikuar metoda relaksuese në favor të shëndetit të të sëmurit. Puna ime ka të bëjë me ndihmën që i ofroj pacientit në vështirësitë emocionale që lindin gjatë periudhes së trajtimit: kimioterapi, radioterapi, kirurgji, kyroterapi. Gjithashtu bëhet vlerësimi i burimeve të brendshme të pacientit: pavarësinë, logjikën, fleksibilitetin, të menduarit kognitiv, humanizmin. Me pacientë të prekur nga tumori bëhen disa seanca këshillimi deri në arritjen e ndërgjegjësimit dhe pranimit nga ana e tij të diagnozës së sëmundjes, në uljen e vuajtjes emocionale dhe aplikimin e sjelljeve në favor të shëndetit. Gjatë viteve të fundit vihet re një ndërgjegjësim i grave dhe vajzave për kontrolle periodike të gjirit, siç është një eko gjiri apo një mamografi. Zakonisht femrat shkojnë te mjeku i familjes ose mjeku i lagjes dhe nëse vërehet diçka, ata e rekomandojnë te mjeku specialist ku ndiqet më imtësisht. Kjo procedurë ka zvogëluar numrin e rasteve të prekura nga tumori i gjirit ose janë trajtuar në stadet e hershme të sëmundjes. Gjatë muajit tetor është dhe sensibilizimi i “Kancerit të Gjirit”. Gjatë këtij muaji zhvillohen seminare ndëgjegjësuese, ofrohen mamografi falas në poliklinika, qendra shëndetsore, ambulanca lëvizëse me mamografi brenda. Autoritetet shtetërore morën masa vjet dhe ofruan mamografi falas gjatë disa muajve nëpërmjet një regjistrimi në emër/mbiemër dhe numër telefoni të çdo gruaje që donte të kryente mamografi, dhe në bazë të kësaj liste u kryen të gjitha mamografitë për disa muaj në vazhdim, për shkak dhe të fluksit të të interesuarave. Kjo gjë tregon se femrat janë ndërgjegjësuar dhe rastet diagnostifikohen më herët se vitet e kaluara. Ndaj shqetësimet dhe brengat me këta pacientë për përballimin sa më me lehtësi të sëmundjes, si dhe rritjen e cilësisë së jetës së tyre. Gjithashtu bisedoj me ta ballë për ballë se çfarë i gëzonte apo i shqetesonte më shumë në jetë dhe ajo që ka më tepër rëndësi është t’ua lehtesoj dhimbjen dhe t’ua zbeh mendimin e vazhdueshëm për sëmundjen që ata vuajnë dhe eleminimin e mendimeve të këqija lidhur me procedurat e trajtimit të mjekimit, sepse siç dihet, një mjekim në këtë shërbim është dhe kimioterapia, e cila në skema të ndryshme mjekimi jep prishje të imazhit trupor p.sh: rënia e flokëve. Jap maksimumin tim në ndihmë të këtyre pacienteve, të cilat vuajnë nga këto sëmundje të rënda, sepse siç e dimë, një mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë dhe përpunimi që unë bëj në seancat e mia padyshim bashkë me anën mjekësore janë ilaçet më kurative për pacientët e mi.
Në punën time si psikologe ka dhe momente të lumtura kur shikon pacientët, të cilët në fillim vijnë me një frikë të madhe në këtë shërbim, refuzojnë të marrin mjekimin, bëhen ankthiozë. Por, kur i shikon të përmirësuar, luftarakë, pranojnë të kryejnë ekzaminimet përkatëse, ecin përpara me jetën. Kjo është lumturi por dhe një sadisfaksion për punën që unë bëj dhe për përpjekjet e mia profesionale që sa vjen e shtohet çdo ditë e më shumë, sepse pacientët po ndërgjegjësohen për mjekimin dhe ndihmën që marrin këtu. Me anë të psikologut, pacientët me tumor ndihen më të lehtësuar psikologjikisht.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.