Me rritjen e moshës rritet edhe mundësia për shfaqjen e kancerit të prostatës. Sipas urologut Aurel Janko, një në tetë persona të grupmoshës nga 60 deri në 79 vjeç ka predispozitë për t’u prekur nga sëmundja. Trashëgimia konsiderohet si një ndër shkaktarët që ndikon, por krahas saj renditen edhe disa faktorë të jashtëm të tillë si, konsumimi i tepërt i yndyrave shtazore te dieta e përditshme, konsumimi i tepërt i alkoolit, duhanpirja, ekspozimi i tepërt ndaj rrezatimit ultraviolet në disa profesione, si p.sh. punonjësit që punojnë në industrinë e baterive alkaline etj.
Ajo që vlen të thuhet është se në rastin e kancerit të prostatës, nuk ka shenja tipike, të cilat të orientojnë te sëmundja, megjithatë ka disa simptoma që nuk duhen nënvlerësuar dhe ato janë vështirësi në urinim, fluks i dobët i urinës dhe urinim i shpeshtë, jo vetëm gjatë ditës, por edhe natën.
Faktorët që shkaktojnë kancerin e prostatës konsiderohen të panjohur. Megjithatë, renditen disa shkaqe që favorizojnë shfaqjen e tij, të tilla si dieta, obeziteti dhe mënyra e jetës. Si ndikon secila prej tyre?
Po, faktorët që shkaktojnë kancerin e prostatës konsiderohen të panjohur. Megjithatë ka disa faktorë, të cilët kanë ndikim te shfaqja e kësaj sëmundjeje. I tillë është edhe faktori gjenetik (trashëgimia). Rreth 10% e kancerit të prostatës ka një bazë trashëgimie. Sipas studimeve kërkimore është arritur në përfundimin se personat që kanë në familjen e tyre një të afërm të nivelit të parë (vëlla ose baba) të diagnostikuar me kancer të prostatës janë 2 herë më të rrezikuar për t’u sëmurur nga kjo patologji. Kjo shkallë rreziku arrin deri në 9 herë, n.q.s një person ka tre të afërm të nivelit të parë të diagnostikuar me këtë sëmundje. Kjo nënkupton që ekziston një faktor gjenetik, i cili ndikon në shfaqjen e kancerit. Një faktor tjetër është edhe raca, së cilës i përkasin meshkujt. Afrikanët janë raca më e rrezikuar, krahasuar me grupet e tjera racore. Duke pasur parasysh se popullata e meshkujve në Shqipëri është pak a shumë homogjene (shumica dërrmuese e meshkujve shqiptarë i përkasin së njëjtës racë), origjina etnike nuk përbën faktor rreziku. Gjithashtu, të dhënat klinike kanë treguar se ekzistojnë disa faktorë rreziku të jashtëm, të cilët ndikojnë në shfaqjen e kancerit të prostatës. Në këtë kategori futen konsumimi i tepërt i yndyrave shtazore te dieta e përditshme, konsumimi i tepërt i alkoolit, duhanpirja, ekspozimi i tepërt ndaj rrezatimit ultraviolet në disa profesione si p.sh. punonjësit që punojnë në industrinë e baterive alkaline etj. Në vendin tonë, për fat të keq, incidenca e sëmundjes është në rritje. Gjatë 10 viteve të fundit, në vendin tonë është shtuar numri i pacientëve të diagnostikuar me këtë sëmundje.
Cilat janë moshat më të rriskuara?
Studimet thonë se shumica e meshkujve të prekur nga tumori i prostatës janë mbi moshën 60 vjeç… Mosha përbën një faktor rreziku në lidhje me kancerin e prostatës. Në përgjithësi, kanceri i prostatës fillon të diagnostikohet pas moshës 50 vjeç. Karakteristikë e kësaj sëmundjeje është fakti se me rritjen e moshës rritet edhe probabiliteti për t’u prekur nga kjo sëmundje. Studimet kanë treguar se probabiliteti që një mashkull i moshës 40 vjeç të sëmuret nga kanceri i prostatës është 1 në 10 000; për meshkujt e grupmoshës 40-59 vjeç, kjo shifër bëhet 1 në 103 dhe për meshkujt e grupmoshës 60-79 vjeç, kjo shifër arrin në 1 në 8. Megjithatë duhet theksuar se te shumica e këtyre personave mungojnë shenjat klinike të sëmundjes dhe kryejnë një jetesë krejt normale. Në përgjithësi, kanceri i prostatës është një sëmundje e cila në dallim nga tumoret e tjerë ka një ecuri disi më të ngadaltë. Në vendin tonë ajo që mund të konsiderohet shqetësuese është fakti që kanceri diagnostikohet në faza të avancuara.
Ju pohuat se sëmundja ka një ecuri të ngadaltë, e kjo e bën të mos manifestohet me shenja tipike…
Kanceri i prostatës nuk ka shenja specifike në fazat fillestare të tij. Meshkujt e prekur nga kjo sëmundje kanë simptomatologji të ngjashme me pacientët e tjerë të prekur nga patologji beninje të prostatës. Shenjat e para kanë të bëjnë me vështirësinë në kryerjen e aktit të urinimit. Veçori e sëmundjes është fakti që përkeqësimi i simptomatologjisë te pacientët e prekur nga kanceri i prostatës është më i shpejtë se te pacientët e tjerë, por kjo nuk konsiderohet domosdoshmëri. Ndonjëherë, pacientët nuk kanë probleme urinimi të ndryshme nga bashkëmoshatarët, por paraqesin shenjat klinike të cilat lidhen me përhapjen e kancerit nëpër organe të tjera, si p.sh. dobësi të përgjithshme, ulje të oreksit, dhimbje artikulacionesh, ose vështirësi në lëvizjen e gjymtyrëve etj. Nuk janë të pakta rastet kur pacientët me kancer prostate në faza të avancuara paraqiten për trajtim mjekësor te specialisti reumatolog ose ortoped, sepse ankesat e tyre kryesore janë dhimbjet e kyçeve, ose vështirësia në ecje, ose si pasojë e ndodhjes së frakturave patologjike të kockave nga metastazat. Prandaj, në këto kushte këshillohet që meshkujt mbi 50 vjeç që kanë vështirësi në urinim të shkojnëtek mjeku i familjes për t’u vizituar dhe t’i paraqesin ankesat e tyre. Nga ana tjetër ekziston një analizë e vlefshme diagnostikuese. Kjo është matja në gjak e nivelit të antigjenit specifik të prostatës(PSA). Është e rëndësishme të theksoj se gjatë vizitës, mjeku i familjes duhet të bëjë edhe palpimin rektal të gjëndrës së prostatës (e ashtuquajtur tushe rektale), me qëllim kryerjen e një vizitë sa më të mirë dhe marrjen e një informacioni sa më të plotë në lidhje me pacientin. Në fund të vizitës, atëherë kur mjeku i familjes dyshon se pacienti mund të jetë i prekur nga kanceri i prostatës kërkon vizitë nga ana e mjekut specialist urolog. Si informacion për popullatën e përgjithshme rekomandohet që meshkujt, të cilët nuk kanë histori familjare për kancer të prostatës, të kryejnë vizitën e parë urologjike te mjeku i familjes, përfshirë edhe kryerjen e analizës së PSA, pas moshës 50 vjeç. Ndërsa personat të cilët kanë histori familjare me kancer të prostatës rekomandohet që kjo vizitë të kryhet më herët, në moshën 45 vjeç.
Vështirësia në urinim shfaqet edhe tek ata që vuajnë nga zmadhimi beninj i prostatës, si bëhet diferenca?
Nga ana anatomike në përgjithësi zmadhimi beninj i prostatës ndodh te pjesa e brendshme e prostatës, ndërsa kanceri i prostatës prek pjesën periferike të prostatës. Nga ana klinike është e vështirë të bësh dallimin, nëse vështirësia gjatë urinimit pacientit i është shkaktuar nga patologjia beninje e prostatës apo nga kanceri, sepse në të dyja rastet ka ndodhur ngushtimi i kanalit të urinës (urethrës) si pasojë e komprimimit nga indi prostatik. Në këto raste, kryerja e ekzaminimit rektal të prostatës, së bashku me analizën e PSA-së ndihmojnë në diagnostikimin e patologjisë. Në përgjithësi, pacientët e prekur nga kanceri i prostatës kanë vlera të rritura të PSA-së. Megjithatë, më duhet të qartësoj se jo çdo vlerë e lartë e PSA-së nënkupton se pacienti vuan nga kanceri i prostatës. Ka disa raste dhe sëmundje të tjera kur vlerat e PSA-së janë të rritura. Për shembull, edhe pacientët e prekur nga hiperplazia beninje e prostatës mund të ketë vlera të larta të PSA-së, infeksionet e vezikës urinare dhe të urethres e rrisin vlerën e PSA-së. Gjithashtu, edhe manipulimet e ndryshme e rrisin vlerën e PSA-së dhe në këtë kategori përfshihen kryerja e tushesë rektale, vendosja e katetereve urinare për arsye të ndryshme, kryerja e ekzaminimit cistoskopik etj. Pra, mund të thuhet se jo çdo vlerë e rritur e PSA-së nënkupton se pacienti është i prekur nga kanceri i prostatës. Por prania e një vlere të lartë të PSA-së konsiderohet si një kambanë alarmi, e cila kërkon një vlerësim më të specializuar nga ana e mjekut urolog. Siç e theksova edhe më sipër, në disa raste pacientët nuk paraqesin simptomatologjinë e vështirësisë në urinim, por kanë simptomatologjinë e përhapjes në organe të tjera të patologjisë (metastaza). Ekzaminimi themelor, i cili vendos diagnozën përfundimtare të kancerit të prostatës, bëhet me anë të biopsisë së prostatës. Pra, e ritheksoj se diagnozën e kancerit të prostatës e vendos vetëm kryerja e biopsisë së prostatës, dhe jo vlera e rritur e PSA-së.
Nëse diagnostikohet në kohë, a mund të konsiderohet një “betejë e fituar”? Dhe cilat janë metodat e trajtimit?
Patjetër. Në stadet kur tumori është i lokalizuar në prostatë, është i kurueshëm. Kjo nënkupton kryerjen e një interventi kirurgjikal; prostatektomisë radikale. Prostatektomia radikale është intervent madhor dhe sfidues për urologun, por kur kryhet në kohën e duhur ka rezultate shumë të mira dhe pacientët kanë mbijetesë të kënaqshme. Në rastet kur sëmundja është në stade më të avancuara dhe nuk mund të kryhet interventi kirurgjikal, atëherë pacienti i nënshtrohet radioterapisë (rekomandohet me akselerator), metodë e cila sueshme edhe me ndërhyrjen kirurgjikale. Dhe së fundmi, kur pacienti diagnostikohet me sëmundje në stade të avancuara, ekzistojnë trajtime medikamentoze, ku përfshihen edhe kimioterapia, terapia me antiandrogjenike, radioterapia dhe ndërhyrje kirurgjikale, të cilat përmirësojnë cilësinë e jetës dhe rrisin jetëgjatësinë e pacientit.
Komplikimet që mund të sjellë?
Sëmundja përhapet nëpër organe të ndryshme, por më shpesh preken kockat, në rreth 90% të rasteve, dhe më pas preken mushkëritë dhe mëlçia. Klinika e këtyre pacientëve është e ndryshme, por ka një rezultante, e cila nënkupton uljen e cilësisë së jetesës së pacientit. Duhet të theksoj se edhe në rastet kur tumori diagnostikohet në faza të avancuara, pacientët kanë në përgjithësi jetëgjatësi më të mirë krahasuar me tipat e tjera të tumoreve. Kjo shpjegohet me faktin se për kancerin e prostatës ekzistojnë një mori metodash trajtimi alternative të efektshme dhe se tumori ka në përgjithë- si një ecuri të ngadaltë. Fatkeqësisht, në vendin tonë një pjesë e mirë e pacientëve diagnostikohen atëherë kur sëmundja është në faza të avancuara.
Nëse mund të ndalemi te kostoja e trajtimit, sa është?
Bëhet fjalë për një kosto të lartë. Ndërhyrja kirurgjikale e prostatektomisë radikale është ndër operacionet më të mëdha në fushën e urologjisë. Ndërsa kur pacienti duhet t’i nënshtrohet kimioterapisë, apo terapisë hormonale me antiandrogjenikë, kostoja mujore e trajtimit të tyre është tepër e lartë. Fatmirësisht, shumica e preparateve të domosdoshme kanë vite që përdoren në vendin tonë dhe janë të përfshira në skemën e rimbursimit. Por, gjithsesi, trajtimi i kancerit të prostatës është kompleks dhe i kushtueshëm.
Mjekët e familjes kanë një rol shumë të rëndësishëm në këtë proces. A e përmbushin ata misionin, i referojnë në kohë rastet?
Roli i mjekut të familjes në zinxhirin e procesit të diagnostikimit dhe trajtimit të pacienteve me kancer të prostatës është i pazëvendësueshëm. Mjeku i familjes është pika e parë e kontaktit të pacientit. Dëgjimi me kujdes i ankesave të pacientit dhe kryerja e një vizite të thjeshtë, por të saktë, duke përfshirë edhe ekzaminimin rektal të prostatës së bashku me analizën e PSA-së janë detyrë e mjekut të familjes. Sa më herët të kryhen këto, aq më të mëdha janë mundësitë që kanceri i prostatës të diagnostikohet në fazat e hershme, atëherë kur ekzistojnë edhe mundësitë për trajtimin përfundimtar të saj, me qëllim shërimin e pacientit. Në përgjithësi, mjekët e familjes kur kanë dyshime se pacienti mund të jetë prekur nga kanceri i prostatës, i referojnë pacientët për të kryer vizitën te specialisti urolog. Nga ana tjetër, edhe vizita mjekësore dhe ekzaminimet laboratorike të nevojshme në këto raste janë të thjeshta dhe nuk marrin shumë kohë.
Burimi: Gazeta “Panorama”
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.