Kantautori i njohur Gjergj Leka në studion e “Rudina” në Tv Klan rrëfeu për këngën e tij më të re dhe jetën personale. “Ndryshojmë” e prezantuar në Këngën Magjike, është kënga dedikuar meshkujve shqiptarë, i cili tha se mori shkas për të bërë tekstin nga një koleg i tij, i cili ishte divorcuar dhe vazhdonte të dashuronte ende ish-gruan. Gjergji krahas angazhimeve të tij të reja në muzikë e televizion, ka folur edhe për jetën private. Pasi zbuloi se ai dhe partnerja Erisela Marku janë martuar disa kohë më parë, i pyetur nëse ata kanë një fëmijë në plan, Leka u përgjigj disi i trishtuar: ‘Fëmija dua të rritet me babë, s’dua të thonë e solli gjyshi në shkollë. Nuk mendoj që në këtë moshë duhet ta bëj një gjë të tillë. Nuk e ndjej, jam vonë.”
Por ky vendim i kantautorit sigurisht prek edhe partneren e tij, regjisoren Erisela Marku që është 22-vite më e re në moshë se Leka. I pyetur se çfarë mendon ajo për këtë çështje, Gjergj Leka u përgjigj: “Erisela s’ka si të jetë dakord, por meqë më do shumë thotë ke të drejtë!”Nga martesa e tij e parë, Gjergj Leka ka një vajzë të rritur të quajtur Dorina.
Por nuk është vetëm Kënga Magjike projekti i ri i Gjergj Lekës. Së shpejti, ai ka edhe një projekt tjetër që do ta rikthejë në ekran si prezantues. Bashkë me miqtë e tij producentë, Gjergji deklaroi nga “Rudina” se është blerë një frekuencë që do t’i dedikohet një target grupi nostalgjik: nga 40 deri në 80 vjeç. Shumë shpejt, Tv Antenna, një kanal që ka për themelues dhe autor Lekën, do të nisë transmetimet më 4 dhjetor: “Është një Retro Tv, që do të ketë një target grup, nga 40 deri 80 vjeç. Çfarë do të përfshijë? Do të ketë filma nostalgjikë, Shigjeta e Zezë, Katani e shumë të tjerë si këta. Unë kam një arkiv shumë të mirë me video, koncerte të tëra nga emra të mëdhenj. Me këtë duam të kapin një target grup i cili mungon”, – tha kantautori.
Me këtë program, Gjergji synon të shkojë më pranë njerëzve të thjeshtë, amvisave dhe atyre që e duan artin. Ai thotë se e gjithë kjo eksperiencë është një aventurë e re, të cilën po e bën për qejf.
Retro Tv do të jetë një kanal 24 orë, me 3 edicione lajmesh, me programe për të rinj të talentuar, ata që nuk i bëjnë dot vetë klipet, do të ketë zërat e natës, me koncerte nga perlat e të gjithë botës. Të gjitha këto programe, tregon Gjergji, ai do t’i ketë me arkiv, madje, siç tregon, një pjesë të mirë të programeve të huaja, ai ka shkuar për t’i marrë të drejtat në Rai. Një risi e këtij kanali do të jetë “Në shtëpinë e artistit”. Gjergji ka të ftuar në shtëpinë e tij artistë, miq të tij, me të cilët do të bisedojë, do të gatuajë dhe do të ndajë edhe shumë kujtime.
Burimi: TvKlan.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.